10 mijë euro në SHBA, Kanada e Angli me viza false/ Si funksiononte grupi i strukturuar kriminal...nga vjedhja e identiteteve te përfshirja e 2 policëve (EMRAT)

TIRANË- Report Tv zbardh dosjen e SPAK për grupin e strukturuar kriminal që dërgonte qytetar me viza false në SHBA, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar. Si rezultat i këtij operacioni që ka zgjatur për 2 vite, janë arrestuar 15 persona, 7 në arrest shtëpie dhe dy në detyrim paraqitje, emrat e të cilëve Report Tv i disponon të gjitha. 

Gazetari Arsen Rusta raporton se këta persona kanë funksionuar si një grup i strukturuar me detyra të përcaktuara qartë, ku merreshin me falsifikimin e letërnjofimeve, pasaportave dhe vizave më shumë se një herë dhe kanë ndihmuar më shumë se një herë qytetarë që të hyjnë ilegalisht në SHBA, nëpërmjet tre korridoreve, (Shqipëri-Gjermani-R.Domenikane në Meksikë- SHBA; Shqipëri-Bullgari-Francë-Republika Domenikane- SHBA; Shqipëri-Francë-Londër-R.Domenikane-SHBA), por gjithashtu edhe në Kanada dhe në Mbretërinë e Bashkuar. 

Qytetarët duhet të paguanin nga 5000-10.000 euro në varësi të destinacionit se ku do të shkonin. Pagesa bëhej me 2 këste, pjesa e parë paradhënie dhe pagesa tjetër pasi mbërrinin në destinacion. Po si funksiononte ky grup? Mësohet se përdorej identiteti i personave amerikanë të cilët në kartën e identitetit, vizën, apo pasaportën e falsifikuar modifikohej duke vendosur foton e qytetarëve shqiptarë. Për gjetjen e identiteteve përshtatej mosha, ngjashmëria dhe pa dyshim edhe gjinia.

Pjesë e kësaj skeme ishin të përfshirë edhe dy policë, Besjan Mustafa dhe Behar Ismailaj, për të cilët Report Tv mëson se ato kishin për detyrë që të kontrollonin në kufi qytetarët, por pas informacioneve të marra, dy policët nuk i kontrollonin shtetasit shqiptar. Arrestimi i këtyre personave erdhi pas një hetimi të nisur që prej vitit 2019 në bashkëpunim me zyrën e hetimit në ambasadën e SHBA duke u finalizuar ditën e hënë dhe është shtrirë edhe në disa rrethe. Ndaj tyre rëndojnë akuzat pë veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave“, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve“, “Grup i strukturuar kriminal“ dhe “Kryerja  e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal“.

Të arrestuar
Bukurije Ahmetaj
Elvis Ahmetaj
Shkëlzen Avduli (Byberi, Gjoka, Popega)
Elvis alias Fatmir Qema
Klajdi Llika
Eduart Haxhiu
Altin Memaj
Blerim Coka
Admir Spahia
Azem Tanushi
Xhelil Dautaj
Mark Gjinaj (Gjini)
Juxhin Tirana
Ilir Ferhati
Gëzim Gjona

Arrest shtëpie
Besjan Mustafa
Behar Ismailaj
Arjan Koldashi
Arselda Memaj
Besnike Tufa
Ervilma Bezati
Gëzim Breza

Detyrim paraqitje
Drita Sadriaj
Aida Cenaj

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:47
10 mijë euro për në SHBA/ Si funksiononte grupi i strukturuar kriminal...policët që duhet t'i kontrollonin i 'hapnin rrugët'

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me operacionin i cili u finalizua me 24 të proceduar. Burime për Report Tv bëjnë me dije se të personat e proceduar kryenin transportin e qytetarëve drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Anglisë kundrejt një shume prej 5000-10.000 euro. Po si funksiononte ky grup? Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije se përdoreshin identiteti i personave amerikanë të cilët në kartën e identitetit, vizën, apo pasaportën e falsifikuar modifikohej duke vendosur foton e qytetarëve shqiptarë. Për gjetjen e identiteteve përshtatej mosha, ngjashmëria dhe pa dyshim edhe gjinia. Pagesa kryehej fillimisht me paradhënie, dhe më pas pjesa e mbetur jepej pasi personat arrinin në destinacionin final për ku ishin nisur.

Mësohet se pjesë e kësaj skeme ishin të përfshirë edhe dy policë, Besjan Mustafa dhe Behar Ismailaj, për të cilët Report Tv mëson se ato kishin për detyrë që të kontrollonin në kufi qytetarët, por pas informacioneve të marra, dy policët nuk i kontrollonin shtetasit shqiptar.

Ora 14:07
10 mijë euro me vizë false në SHBA, Kanada e Angli/ Gabimi i trafikantëve që i çoi në pranga (VIDEO)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka dhënë më shumë detaje lidhur me operacionin për kapjen e grupit të strukturuar kriminal që dërgonte ilegalisht qytetarë drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Anglisë.

Deklarata e plotë
"Prej një viti, një strukturë e posaçme speciale e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë (DSS) në Ambasadën Amerikane, ka zhvilluar dhe kryer një hetim të përbashkët për goditjen e një grupi kriminal lidhur me kontrabandimin e qenieve njerëzore, falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit dhe shkeljen e ligjit mbi emigracionin në SHBA, procedim ky i regjistruar në Prokurorinë  e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Si rezultat i këtyre hetimeve dhe provave të grumbulluara u finalizua me sukses operacioni i koduar "Crystal Eagle" (Shqiponja e kristaltë).

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në gjithë vendin, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë të lëshuara nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për 24 shtetas, nga të cilët 15 me masë sigurie “Arrest në burg”, 7 me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe 2 me masë shtrëngimi “Detyrim paraqitjeje” në Policinë Gjyqësore, konkretisht: Hetimi i këtij rasti kriminal është iniciuar para një viti nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë (DSS) në Ambasadën Amerikane, Tiranë.

Hetimet në lidhje me këtë grup kriminal filluan pas evidentimit të një rasti të shitjes së një pasaporte të falsifikuar amerikane në Tiranë dhe me pas u zgjerua dhe u zhvillua në një hetim të madh ndaj një grupi kriminal ndërkombëtar, dedikuar kalimit të paligjshëm të kufijve shtetëror, të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme si karta identiteti, pasaporta, leje drejtimi, karta shëndetësore etj. Ky grup kriminal, pasi siguronte dokumente të dyshuara të falsifikuara në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme si në Kosovë etj, rekrutonte persona të interesuar, me qëllim udhëtimin e tyre për në SHBA, Kanada, Mbretëri të Bashkuar etj, dhe gjithashtu u siguronte akomodimin në vende të ndryshme të BE-së, biletat e udhëtimit etj.

Anëtarët e këtij grupi kriminal, dokumentet e dyshuara të falsifikuara i dërgonin me autobusë të agjencive turistike, kryesisht në Itali dhe në Gjermani dhe nga aeroportet e këtyre vendeve shtetas të ndryshëm tentonin t’i përdornin dokumentet e falsifikuara, me qëllim destinacionin e tyre final SHBA, Kanada, Mbretëri e Bashkuar etj. Nga hetimet e kryera ndaj këtij grupi kriminal, gjatë një viti, janë arritur të dokumentohen disa raste të personave të kapur dhe të arrestuar në vendet si Itali, Gjermani, Spanjë, Mbretëri e Bashkuar, konkretisht:

Në aeroportin e Romës, Itali është kapur me pasaportë të falsifikuar 1 shtetas;
Në aeroportin e Londrës janë kapur me dokumente të dyshuara të falsifikuara sllovake (pasaportë, kartë identiteti, leje drejtimi), 2 shtetas;
Në Gjibraltar është kapur me kartë identiteti italiane të falsifikuar 1 shtetas;
Në aeroportin e Bilbaos, Spanjë është kapur me dokumente të dyshuara të falsifikuara rumune 1
shtetas;
Në Madrid janë kapur me dokumente të dyshuara të falsifikuara italiane 2 shtetas;
Në aeroportin e Berlinit, Gjermani, është kapur me dokumente të dyshuara të falsifikuara italiane 1 shtetas;
Në aeroportin e Barcelonës është kapur me dokumente të dyshuara të falsifikuara greke 1 shtetas;

Nga hetimet, këtij grupi kriminal i është dokumentuar veprimtaria kriminale në lidhje me kapjet dhe arrestimet e personave që kanë tentuar të udhëtojnë nga Shqipëria për në Kanada dhe Mbretëri të Bashkuar, ku dokumentet e dyshuara të falsifikuara dërgoheshin me autobusët e agjencive turistike, më konkretisht:

Më datë 15.01.2020 është finalizuar operacioni "Start", ku shoferit të një agjencie turistike iu gjetën dhe u sekuestruan në Portin e Durrësit, 12 dokumente çeke të dyshuara të falsifikuara (pasaportë, karta identiteti, leje drejtimi);
Më datë 23.01.2020 në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë është kapur shtetasi M. F. me dokumente të dyshuara çeke (pasaportë, kartë identiteti, leje drejtimi);
Më datë 26.01.2020 në aeroportin “Nënë Tereza” Rinas është kapur shtetasja E. B. me dokumente të dyshuara të falsifikuara (pasaportë) sllovene;

Kjo organizatë gjithashtu ka shitur dokumente mbështetëse false për shtetasit shqiptarë që donin të merrnin viza për në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA. Për te ndjekur dhe hetuar ketë rast u krijua Task Forca hetimore e përbashkët shqiptaro-amerikane, e quajtur "JOINT SHIELD". Kjo Njësi Hetimore e njohur nga amerikanët si "Njësia Speciale “Mburoja e Përbashkët”, e përbërë nga Policia e Shtetit Shqiptar dhe Shërbimi Diplomatik i Sigurisë (ASP-DSS), ka qenë përgjegjëse për të gjithë punën hetimore dhe rezultatet e deritanishme.  Dje, kjo Njësi e Përbashkët Hetimore, me mbështetjen e rreth 300 forcave policore në të gjithë vendin, finalizoi me sukses në kohë rekord prej 17 minutash operacionin për goditjen e gjithë grupit kriminal.

Ky operacion i radhës tregon edhe njëherë besueshmërinë e partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit që kanë tek Policia e Shtetit, për të luftuar bashkërisht krimin e organizuar dhe terrorizim. Policia e Shtetit gjen sërish rastin të falënderojë për suportin, bashkëpunimin dhe besimin ambasadën amerikane në Tiranë dhe veçanërisht Shërbimin Diplomatik të Sigurisë (DSS) në Ambasadën Amerikane, Tiranë

Ora 16:07
10 mijë euro në SHBA, ambasada: 22 trafikantët u zbuluan dhe arrestuan për 17 minuta

Ambasada e SHBA në Tiranë ka zbuluar detaje nga goditja e grupit të falsifikatorëve të vizave. Operacioni u zhvillua në 6 qytete dhe sipas ambasadës 22 trafikantët u zbuluan dhe arrestuan brenda 17 minutave. Hetimet kanë qenë të përbashkëta mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Por ambasada thekson se ishin agjentët e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë nga Ambasada e ShBA që udhëhoqën përpjekjet operacionale të afro 300 oficerëve të policisë për të shënjestruar laboratorin e falsifikimit të dokumenteve.

"Dje, operacioni “Crystal Eagle” (Shqiponja e Kristaltë) u ekzekutua në 6 qytete të ndryshme në të gjithë Shqipërinë dhe çoi në 22 arrestime. Operacioni, një rekord për Shqipërinë, zbuloi dhe arrestoi të gjithë personat e shënjestruar brenda 17 minutave. "Crystal Eagle" ishte një sukses i plotë falë mbështetjes së oficerëve të përkushtuar të Policisë së Shtetit Shqiptar, sidomos atyre të "Njësisë Speciale të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Shërbimit Diplomatik të Sigurisë “Mburoja e Përbashkët”, një njësi policore kushtuar punës së çështjeve të përbashkëta penale mids SHBA-së dhe Shqipërisë.

Agjentët e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë nga Ambasada e ShBA udhëhoqën përpjekjet operacionale të afro 300 oficerëve të policisë për të shënjestruar një laborator falsifikimi dokumentesh. Gjatë operacionit u konfiskuan armë automatike, drogë, dokumente të falsifikuara, kompjutera, automjete dhe para. Shumica e 22 të arrestuarve mund të përballen me 6 deri në 14 vjet burg. Ky është përfundimi i suksesshëm i një hetimi që filloi në vitin 2018 dhe Ambasada e ShBA falënderon partnerët tanë në udhëheqjen e Policia e Shtetit Shqiptar për ndihmën e tyre" shkruan ambasada. 

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lora leshi: 19/05/2020 16:53

    O lora ca jan keto komente ku ka polici ketu ku jetoni shikoni njejer vlore durres si eshte situata qe sekziston shteti fare jan pal njerez me blinda me arm su thot njeri plac me gij jo vetem kaq po dhe i ndimojn kundra hasmeve ky eshte realiteti

    Përgjigju
  • LORA: 19/05/2020 16:19

    Falnderim per punen,cdo dite e me produktive,te Policise se Shtetit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës