TIRANË- Në puntatën e sotme të "Pa Gjurmë" është sjellë një dëshmi e cila hedh dritë mbi vendndodhjen e mundshme të Petrit Lekvukaj 46-vjecarit të zhdukur, në vitin 2012, ditën kur i tha nënës se do të fliste me të në mbrëmje.
Pritjes së gjatë, Petriti nuk iu përgjigj më, duke humbur kështu gjurmët për herë të dytë, së pari në 2000 dhe më pas në vitin 2012. Kërkimeve në "Pa Gjurmë" dhe apelit të nënës Liza që bëri nga studio iu përgjigj një emigrant shqiptar i cili jeton në Gjermani dhe pretendon se e njeh shkodranin dhe se është 100 % i sigurt që ai jeton në Lejpcig të Gjermanisë:
''Petrit Lekvukaj, ndodhet në qytetin Leipzig, ai qëndron 20 minuta larg nga Grimma. Eshtë i martuar jo me një bullgare, por me një ruse, ka edhe 1 vajzë. Ajo rusja ka dy vajza me burrin e parë dhe një me Petritin. Ai i ndërron numrat shpesh. Vajza e ruses me burrin e parë është nusja e shokut tim. Jam shumë i sigurt që bëhet fjalë për Petrit Lekvukajn. Ai më pat thënë që kishte 8 vite pa ikur në Shqipëri dhe po mendoja nëse ishte në hasmëri. Ai është në gjendje shumë të mirë. Për numër telefoni kam kontakte me të, por ngaqë e njoh shumë nuk dua që t’i prish punë, sepse ndoshta ai nuk do. Nuk kam shumë shoqëri me të pasi ai shoqërohet më shumë me rus dhe nuk është se kam çdo ditë kontakte me të. Ai është një tip që numrat që nuk i njeh nuk i përgjigjet dhe besoj se as juve nuk do jua ngrej telefonin. Familjes thojini se është mirë dhe se e keni gjetur. Ai është mirë dhe jeton në kushte shumë të mira ekonomike. Do mundohem që t’ju gjej edhe numrin e telefonit dhe t’jua dërgoj", tha dëshmitari.
Historia e shkodranit, i cili sot është 46 vjeç solli në studion e emisionit ’’Pa gjurmë’’ nënën e tij Lizën, ajo e cila pas largimit të të birit foli vetëm në telefon me të, pasi prej vitesh nuk u takuan nga afër. Petrit Lekvukaj ishte 22- vjeç kur nga Italia dhe më pas Zvicra, vendosi të zgjedh Gjermaninë për të jetuar për 14 vite. Në Gjermani, Petriti njihej si Petro Vukaj. Kontaktet me familjen vijuan rregullisht edhe për 4 vite në radhë, deri kur një ditë të nxehtë gushti, në vitin 2012 Petriti i thotë nënës se do të fliste me të në mbrëmje, por që nuk erdhi kurrë më.
Ai kishte 14 vite që qëndronte në shtetin gjerman-rrëfen nëna.
Dyshimet e familjarëve janë se konflikti i shumë viteve më parë me kunatin e tij është arsyeja që Petriti ka shkëputur marrëdhëniet edhe me familjen. Këta të fundit kanë afro 6 vite që nuk komunikojnë as me dhëndrin e familjes, për të njëjtën arsye, atë të Petritit…