Zbardhet dëshmia e dy fëmijëve të mitur amerikanë, të cilët u larguan nga shtëpia pasi pretendojnë se i dhunon nëna e tyre.

Në dëshminë që kanë dhënë në Polici, djali i vogël është shprehur se rreth dy javë më parë nëna e tij Andrea Bailey-Kay i ka përplasur kokën në tokë.

Dhuna sipas fëmijëve ka vijuar edhe më pas. “Dy ditë para se të largoheshim nga banesa unë dhe Tevish kemi marrë disa ushqime pa lejen e nënës dhe kur ajo e mori vesh, na rrahu me rrip”- thotë në dëshminë e tij i mitur Tajg.

Kjo bëri që fëmijët të planifikonin largimin nga banesa. 

Pas dëshmisë së fëmijëve është kryer edhe kontrolli në trup i fëmijëve.

Fëmijët kishin plagë në kofshat e këmbëve
Nga kontrolli është zbuluar se i mituri Tavish ka ende shenja të dukshme në kofshën e djathtë, ku mendohet se i është shkaktuar nga sende të forta. Po kështu edhe në kofshën e majtë Tavish ka shenja të dukshme në pjesën e pasme.

Edhe i mituri tjetër Tajg ka shenja në këmbë, që mendohet se mund t'i jenë shkaktuar nga rripi me të cilin i ka qëlluar nëna e tyre. 

Djali i madh thotë se është larguar edhe herë të tjera nga shtëpia pasi nuk ka patur marrëdhënie të mira me nënën e tij.

Ndërkohë Andrea Bailey Kay është arrestuar nga Policia, mbrëmjen e djeshme, menjëherë sapo janë parë shenjat në trup.

Përveçse do të akuzohet për dhunë ndaj fëmijëve, ajo do të ndiqet penallisht edhe për kallëzim të rremë, pasi fillimisht në Polici denoncoi zhdukjen e dy fëmijëve, sikur i kishin humbur në një zonë të Tiranës. Në datën 30 maj ajo kallëzoi si i ishin zhdukur fëmijët dhe pas 5 ditësh policia i gjeti dy të miturit në Kodrat e Selitës në Tiranës.

47-vjeçarja fëmijët i ka të adoptuar
47-vjeçarja ka 7 fëmijë të adoptuar, përveç dy fëmijëve që u larguan nga banesa. Ajo ka ardhur në Shqipëri bashkë me të 7-të fëmijët në muajin shtator të 2016-së.

Andrea Bailey-Kay pritet të dalë ditën e nesërme para Gjykatës për t'u njohur me masën e sigurisë.

[gallery]22590[/gallery]

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com