Dëshmia e rrallë e ish-oficerit, që natën e 18 dhjetorit 1981, u mor nga Ministria dhe u caktua te vila e Mehmet Shehut

Dëshmia e rrallë e ish-oficerit, që natën e 18 dhjetorit 1981, u mor nga Ministria dhe u caktua te vila e Mehmet Shehut

Ish-kryeministri Mehmet Shehu i vdekur në dhomën e tij

Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra  dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

(Vijon nga numrat e kaluar)

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË INFERMIERES SË KLINIKËS SPECIALE, VALENTINA GINA, ME SHËRBIM PRANË FAMILJES SË KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

PROCES-VERBAL (DËSHMIE)

 Tiranë 28 Dhjetor 1981

Unë Koco Josifi, Kryetar i Degës së Hetuesisë, në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta në cilësinë e dëshmitares, qytetaren Valentina Gina, e bija e Qemalit dhe e Fatimes, e datëlindjes 1955, lindur dhe banuese në Tiranë, lagje Nr. 9, rruga “Konferenca e Pezës”, pallati 148, shkalla 1, apartamenti 1, me arsim të mesëm, me punë infermiere në klinikën speciale. Dëshmitarja, u paralajmërua, për përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit 202, të Kodit Penal.

DËSHMITARJA VALENTINA GINA

Mbasi u pyet rreth çështjes deklaroi:

Kam rreth tre vjet që punoja si infermiere, në shtëpinë e Mehmet Shehut, detyra ime ka qenë që të kujdesem për shëndetin dhe mbajtjen e fëmijëve të Bashkim Shehut. Më përpara kemi qenë tre infermiere, që merreshim me kujdesin e fëmijëve të Bashkim Shehut, unë, Liljana Sallaku, dhe Violeta Gjolla. Para një muaji e gjysëm, njëra nga ne infermieret u shkurtua, Liljana Sallaku, dhe mbeta unë, vetëm me Violeta Gjollën.

Punën zakonisht e bënim 10-12 orë, ndërsa më vonë punuam edhe më shumë. Në datën 17.12.1981, ditën e enjte, unë erdha në punë aty rreth orës 7.30 dhe kam vazhduar gjatë gjithë ditës punën, e natën fjeta aty në shtëpinë e Mehmet Shehut. Gjatë gjithë ditës kam qëndruar aty në dhomën e veçantë që ishte për fëmijët, në kuzhinë, si dhe në dhomën e televizorit. Dhoma që unë rri e fle me fëmijët, është në katin e parë të ndërtesës së vjetër. Mehmet Shehun, gjatë gjithë ditës së enjte, nuk e kam parë. Në mbrëmjen e ditës 17.12.1981, rreth orës 21.00, kur ka filluar filmi që jepte Tirana, unë së bashku me fëmijët e Bashkim Shehut, rrija në dhomën e punëtorëve, ku shihja film në televizor.

Mbas filmit, vura fëmijët në gjumë, shkova poshtë në kuzhinë, hëngra darkë, aty rreth orës 22.30 – 23.00 me punëtoren Mimoza, mbiemrin nuk ja di, se ka ardhur e re në punë. Kur ishim të dyja bashkë, mori në telefon oficeri i shërbimit, Dashamiri, dhe pyeti nëse Mehmet Shehu, ishte ngjitur lart në katin e dytë. Unë, pyeta punëtoren, ajo më tha që nuk është ngjitur, dhe këtë ja thashë oficerit të shërbimit në telefon. Mbasi hëngra bukë, rreth orës 23.00, unë shkova në dhomën e fëmijëve dhe rashë për të fjetur. Gjatë gjithë natës, unë kam fjetur pa asnjë lloj shqetësimi, dhe fëmijët nuk u zgjuan deri në 7.30.

Unë nuk jam ngritur nga gjumi, për asnjë lloj arsye, deri në mëngjes në orën 6.00. Mbasi rashë për gjumë dhe deri sa u zgjova në orën 6.00 të datës 18.12.1981, nuk kam ndjerë asnjë lloj zhurme. Dhoma ku flija unë me fëmijët, ishte na katin e parë, të qoshes së ndërtesës së vjetër. Ndërsa dhoma ku flinte Mehmeti, ishte në qoshen tjetër të ndërtesës, në katin e dytë. Gjatë gjithë ditës dhe natës, të 17 dhjetorit 1981, unë jo vetëm Mehmet Shehun, por as Fiqrete Shehun, nuk e kam parë.

Në dhomën e Fiqrete Shehut, unë di që nuk flinte njeri tjetër, përveç një rasti para një muaji, ku aty ka fjetur vajza e Vladimir, ose gruaja e tij, Fatbardha.Unë, nuk di që natën e 17 Dhjetorit 1981, të ketë fjetur njeri tjetër në dhomën e Fiqretes. Në datën 18.12.1981, në orën 7.30, ka ardhur infermierja tjetër, që do të më zëvendësonte mua, Violeta Gjolla, dhe unë në orën 7.40, kam dalë e kam ikur në shtëpi. Tjetër gjë, unë për çështjen, nuk di.

Procesin, pasi e lexova, pashë se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos.

HETUESI VALENTINA GINA

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE OFICERIT TË MINISTRISË SË BRENDSHME, ASTRIT VELIU, ME SHËRBIM PRANË VILËS SË KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

PROCES-VERBAL (DËSHMIE)

Tiranë 28 Dhjetor 1981

Unë Koço Josifi, Kryetar i Degës së Hetuesisë, në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta në cilësinë e dëshmitarit, qytetarin Astrit Veliu, i biri i Namikut dhe i Meremes, i datëlindjes 1952, lindur në Fushë Verri të Sarandës, dhe banues në Tiranë, lagje Nr.10, rruga “Qemal Stafa”, pallati 585, shkalla 4, apartamenti 60, oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dëshmitari, u paralajmërua, për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit 202, të Kodit Penal.

DËSHMITARI ASTRIT VELIU

Mbasi u pyet rreth çështjes, deklaroi:

Kam rreth 5-6 vjet që shërbeja si oficer, me detyrë shërbim roje, në ndërtesën e Mehmet Shehut. Vendi i shërbimit tim, është në hyrjen kryesore të shtëpisë së Mehmet Shehut. Madje ne i themi vendroja nr. 1. Në datën 17.12.1981, unë si zakonisht kam marrë shërbimin në orën 20.00, dhe do ta lija në orën 2.00 të datës 18.12.1981. Kur isha duke kryer shërbimin rreth orës 20.30, Mehmet Shehu, ka ardhur në shtëpi, i shoqëruar nga Ali Çeno, dhe mjeku Llesh Rroku. Koha, ishte e keqe, me erë të fortë, e binte pak shi.

Aty Mehmeti, u shoqërua deri tek dera e hyrjes së ndërtesës, nga Ali Çeno dhe mjeku, pastaj u fut brenda. Ndërsa Aliu dhe mjeku, u kthyen dhe shkuan në vendin e shërbimit të tyre. Rreth orës 21.40, vura re se, u fik një nga dritat e katit të dytë, që unë dija se është dhoma e gjumit e zyra e punës, dhe një dhomë e vogël, që është në vijim të tyre. Se kush e fiku këtë dritë, unë nuk e di. Mbas fikjes së dritës, gjithashtu vura re se u mbyllën dhe grilat e dritares së kësaj dhome. Rreth orës 22.00, vura re se Mehmet Shehu, hapi derën e hyrjes kryesore në katin e parë të ndërtesës. Doli fare pak përpara derës, pa njëherë jashtë e u fut përsëri brenda.

Unë dëgjova që lëvizi çelësin e derës, si duket ka mbyllur derën me çelës. Unë kam vazhduar shërbimin normalisht, siç thashë frynte shumë erë e binte pak shi, mbaja edhe çadër në dorë. Shërbimin e kryeja duke lëvizur përpara portës së oborrit. Shërbimin kam vazhduar ta kryej, pa u shqetësuar nga asgjë, deri në orën 2.00 të datës 18.12.1981 dhe mua ka ardhur për të më zëvendësuar, oficer Asim Bejo, të cilit i kam dorëzuar normalisht shërbimin, ndërsa vetë ika në shtëpi.

Po atë ditë rreth orës 10.00, mora vesh se Mehmet Shehu kishte vrarë veten, me pistoletë, në dhomën e tij të gjumit. Natyrisht më bëri përshtypje një gjë e tillë, dhe mendoj se unë nuk e kam dëgjuar të shtënën e armës, me të cilën ai vrau veten. Sepse siç thashë koha, ishte e keqe me erë, gjithashtu nuk di se kur ai e kreu këtë akt. Ndonjë gjë tjetër, nuk më kujtohet. Procesin, pasi e lexova, pashë se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos.

DËSHMITARI ELHAM GJIKA

HETUES KOÇO JOSIFI

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE OFICERIT TË MINISTRISË SË BRENDSHME, ASIM BEJO, ME SHËRBIM PRANË VILËS SË KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

PROCES-VERBAL (DËSHMIE)

Tiranë 29 Dhjetor 1981

Unë Koço Josifi, Kryetar i Degës së Hetuesisë, në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta në cilësinë e dëshmitarit qytetarin Asim Bejo, i biri i Zenelit dhe i Salushes, i datëlindjes 1950, lindur në Mazhar të Vlorës, dhe banues në Tiranë, lagje Nr.8 rruga “Gjikë Kuqali”, pallati 23/1, shkalla 1, apartamenti 3, oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dëshmitari, u paralajmërua, për përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit 202, të Kodit Penal.

DËSHMITARI ASIM BEJO

Mbasi u pyet rreth çështjes, deklaroi:

Unë kam rreth 11 vjet që shërbej si oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Mesa më kujtohet, në datën 16.12.1981, komanda ime, më ka komunikuar urdhrin që të emërohesha oficer shërbimi, në grupin e Mehmet Shehut. Në datën 17.12.1981, vajta tek vendi i shërbimit që më ishte caktuar të bëja, në portën e hyrjes së oborrit të shtëpisë, së Mehmet Shehut. Unë, bisedova me shokun tim që kryente shërbimin, për të më sqaruar se cilat ishin detyrat e mia gjatë shërbimit.

Në fakt, bisedova me oficer Baki Hakramën, që ishte paradite me shërbim, dhe ai mi sqaroi detyrat, që unë do të kisha gjatë kryerjes së këtij shërbimi. Shefi i grupit që kishim neve, Ali Çeno, në fakt nuk më kishte dhënë ndonjë udhëzim, për mënyrën e kryerjes së shërbimit, por e lamë që të më instruktonte në datën 18.12.1981. Shërbimin e parë në detyrën e re, d.m.th., në portën kryesore të ndërtesës ku banonte Mehmet Shehu, unë e mora në orën 2.00 të datës 18 Dhjetor 1981, dhe e lashë në orën 8.00 të po kësaj date.

Kur shkova për të marrë shërbimin në orën 2.00, të kisha kujdes se mos bëhej zhurmë aty përpara, se nuk ishte ngritur akoma nga gjumi Mehmet Shehu. Para se të nisesha për në shtëpi, d.m.th., rreth orës 7.55, kur isha së bashku me oficer Baki Hakramën, pashë që iku me shpejtësi Ali Çeno, e u fut brenda në ndërtesën e shtëpisë së Mehmet Shehut. Por se përse e bëri këtë, unë nuk mora vesh gjë. Mbas këtij pashë se po me shpejtësi, shkuan dy mjekët, Llesh Rroku e Milto Kostaqi, së bashku me Jonuz Luton, por se përse, përsëri nuk mora vesh gjë.

Aty nga ora 8.00, doli Jonuz Luto dhe erdhi jashtë ku po qëndronim ne për të na komunikuar urdhrin e tij, që të mos lejonim njeri që të futej brenda në shtëpinë e Mehmet Shehut, por pa na thënë përse. Unë i thashë se do të iki, e mbasi lashë shërbimin, u largova për në shtëpi. Seç ndodhi më vonë, unë nuk e mora vesh. Për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, unë e mora vesh në orën 20.00, kur u dhanë lajmet në radio. Ndonjë gjë tjetër nuk kam për të thënë.

Procesin pasi e lexova, pashë se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos. Memorie.al

DËSHMITARIp;ELHAM GJIKA

HETUES KOÇO JOSIFI

G.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lapardhaja: Berisha rrënoi PD, opozita s'fiton në zgjedhje! Deputetët iu rreshtuan në krah që të sigurojnë karrige në Kuvend

Lapardhaja: Berisha rrënoi PD, opozita s'fiton në zgjedhje! Deputetët iu rreshtuan në krah që të sigurojnë karrige në Kuvend