‘Nga mishi dhe gjeli i detit me tollon, tavat në furrë e dezhurni në ndërmarrje, te festa në lokale’, peripecitë e festës së vitit të ri në socializëm?!

‘Nga mishi dhe gjeli i detit me tollon, tavat në furrë e dezhurni në ndërmarrje, te festa në lokale’, peripecitë e festës së vitit të ri në socializëm?!

Viti i Ri, ishte festa që e prisnin të gjithë. Në Shqipërinë e varfër të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, dukej sikur atë natë harroheshin të gjitha. Një kthim pas në kohë na sjell ndërmend mënyrën tradicionale të festimit në çdo shtëpi shqiptare. Ritualet e vogla, festat nëpër lokale dhe hotelet më të famshme të kohës. Menyja, muzika dhe çmimet. Ku festonin banorët e ish-Bllokut të udhëheqjes së lartë komuniste të kohës.

Punë, dezhurn dhe futboll

Shiritat shumëngjyrëshe prej letre, lodrat prej kauçuku, aroma e drurit të djegur, që dilte nga tubi i sobave, përzier me atë të gjelit të detit të sapo pjekur, janë kujtimet që na çojnë pas në kohë, në festimet e Vitit të Ri gjatë viteve të diktaturës. Atmosferë fund vitesh në Tiranën e para viteve ’90-të.

Sot, mund të duket një festë rutinë. Mund të festosh kur të duash e çfarë të duash, por asokohe, kjo ishte e vetmja festë, që nuk lidhej me partinë dhe arsyet pse ishte e shumëpritur, ishin të shumta. Ndalimi i fesë në Shqipëri i kufizoi festat e fundvitit thjesht dhe vetëm te nata e ndërrimit të viteve, apo Viti i Ri.

Krishtlindja nuk festohej më, kështu që gjithë vëmendja ishte përqendruar në datën 31 dhjetor. Barra më e rëndë u binte amvisave, të cilave, përveçse u duhej të punonin edhe në datën 31, duhet t’i hynin gatimit për në darkë.

Dhe për to dukej se nuk kishte festë, vetëm një turravrap nëpër kuzhinë. Në ditët e fundit të vitit, një pritje e madhe organizohej në “Pallatin e Brigadave” nga Enver Hoxha me pionierët e dalluar, ndërsa Dita e Krishtlindjes, nuk festohej më pas ’67-ës, kur feja u ndalua edhe me ligj. Familjet e besimeve katolike dhe ortodokse, e festonin në fshehtësi, pa zhurmë e bujë, vetëm në rrethe të ngushta midis tyre.

Ndërkohë, ishte punuar një të diel më parë, që kjo të zëvendësonte datën 2 janar, që ishte pushim dhe më datën 3, të gjithë i riktheheshin punës. Jepeshin shpërblime të vogla financiare për të dalluarit, ndërsa natën e Vitit të Ri, si dhe datat 1 e 2 janar në ndërmarrje, dikastere, etj., bëhej dezhurn çdo dy orë nga punonjës, që alternoheshin sipas një grafiku të bërë nga drejtoria. Nuk bënin dezhurn gratë e vajzat.

E veçanta e 31 dhjetorit, ishte ndeshja e futbollit që zhvillohej në fushën e Pallatit të Pionierëve, (fusha e zezë me qymyr), të tejmbushur nga njerëzit. U kthye në një traditë tërheqëse, në të cilën luanin edhe futbollistët më të njohur, të tre klubeve të kryeqytetit, apo dhe emra të njohur, persona publik, si aktorë të Teatrit Popullor, Radio-Televizionit Shqiptar, Kinematografisë, etj.

Madje, takimi ndiqej edhe nga jashtë rrethimit përtej Lanës, pasi nuk kishte hapësirë, për të qenë tw gjithë shikuesit brenda territorit të vogël. Gjatë ditës së 31 dhjetorit, qyteti gumëzhinte dhe dyqanet kishin aktivitet, deri në çastin e fundit dhe njerëzit që vraponin për të marrë gjërat që i mungonin, si gjelin e detit, mishin, sallmin, bulmetrat, etj.

E gjithë kjo deri në orët e para të mbrëmjes, pastaj të gjithë në shtëpi dhe qyteti pushtohej nga një heshtje totale, dhe vetëm ndriçimi, ishte ai që i jepte jetë, pasi gjithçka dukej si në gjumë. Për t’u gjallëruar sërish, pas orës 12 të natës, kur mbushej me të rinj, që mblidheshin në qendër të tij.

RTSh-ja dhe “Koncerti i madh”, për të gjithë shqiptarët

Televizorët e markave “Adriatik”, “Butrinti”, “Iliria”, “Lura” apo “Dajti”, kanë qenë të vetmet mjete komunikuese që i ka shoqëruar shqiptarët natën e Vitit të Ri, si dhe ato në vazhdim. Të ulur në tavolina, dhe në pritje të orës 12 të natës, të gjithë ndiqnin “Koncertin e madh të Vitit të Ri”.

Ai ishte një program me këngë, valle e humor nga e gjithë Shqipëria, që kishte përgatitur Radio-Televizioni Shqiptar, i cili fillonte pas Revistës Televizive të orës 20:00 dhe emisionit “Koha sot e nesër”, nga i paharruari Petrit Leka e, vazhdonte deri në orën 02 pas mesnate, për të vijuar me natën finale të Festivalit të Këngës në RTSH – ritransmetim (ata që kishin kanoçet e famshme ndiqnin programet e kanaleve të huaja).

Nuk kishte fjalim përshëndetës nga udhëheqësi i shtetit në mesnatë. Të nesërmen, hapej kanali italian “Rai 1”, vetëm për të ndjekur në orën 12 paradite, Koncertin e Vjenës (me dirigjentin e famshëm, Herbert Fon Karajan), dhe në mbrëmje, sërish me RTSH-në në programin thuajse identik, si ai i një nate më parë, gjithçka brenda kornizës së lejuar.

Jo në pak raste, rrezikonte edhe ikja e dritave nga ngarkesa e madhe elektrike. Nata e fundvitit, festohej edhe në reparte ushtarake, konvikte, etj., ku ndryshe nga menyja e gjithë ditëve të vitit, atë natë ushtarëve, u jepej ekstra, një racion hallvë, të përgatitur në kazanin e supës nga kuzhinieri i repartit. Natyrisht me televizor, radio, apo ndonjë magnetofon. Edhe në spitale, shtëpitë e fëmijëve jetimë, natyrisht me thjeshtësinë dhe modestinë e kohës që kishin këto institucione.

Menyja e njëjtë për të gjithë

Nata e Vitit të Ri, ka qenë thuajse e njëjtë për të gjithë. Një pulë, ose gjel deti, të marrë me tollon një muaj më parë e, të ushqyer me ullinj në banjën e pallatit, apo oborrin e shtëpisë, majonezë dhe bakllava ose kadaif. Raki, nëse gjeje të Skraparit apo Përmetit, ishte kënaqësi, dhe verë të markës “Riesling”, “Tokai”, apo “Shesh i zi”, ose “i bardhë”, “Merlot”, “Kallmet” të cilësisë së dytë, që kushtonte 42 lekë, apo nga ajo e Fabrikës së Verës së Milotit, pasi ajo ishte më e lehtë për t’u gjetur. Cilësia e parë, si ajo “Pino Nero”, kishte tjetër destinacion.

Birra ishte me shishe e Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” Tiranë apo e Fabrikës së Birrës së Korçës, apo “Panda”, siç e quanin korçarët. Shumë të ngarkuar me punë, ishin furrat. Çoje tavën dhe merrje një letër me numrin, që korrespondonte me një llamarinë metalike që furrtari e ngulte mbi pulë. Por shpesh herë, për arsye se pothuaj të gjitha tavat ishin me gatim të njëjtë, ndodhte që ato ngatërroheshin nga furrtarët, apo siç njihehsin ndryshe, “tavapjekësi”, të cilat u jenin tjetër për tjetër, dhe binin në hall me amvisat apo familjarët që shkonin për të marrë tavat dhe nuk gjenin tavën e tyre.

Lidhur me këtë, kujtoj nga qyteti i Shkodrës, (kur shkonim jo rrallë për të festuar vitin e ri, tek tezja jonë libohovite e martuar në atë qytet), bejten proverbiale, që shkodranët i’a ngjitën tavapjeksit të famshëm me emrin Panto, me origjinë nga pakica serbo-malazeze e atij qyteti:

“Ishte nata e mot-motit të ri /

kush s’e priti nuk u bur/

po na çojka zoti me na kastigiu/

hup tepsija me laknuer /

Edhe Tefta del t’u dera /

e dy pece i mban n’dor /

na i thot Pantos; bonosera /

a ma poqe njat laknuer? /

Panto s’din çka ash uzdaja /

ishte dehun bamun rryp /

hajt shko merre t’u Noc Kraja /

se ja xen laknorin n’fyt”.

Njerëzit merrnin bukë rezervë, pasi dyqani mbyllej për dy ditë. Përgatitja për natën e Vitit të Ri, ishte tejet lodhëse për gratë, që gatuanin pa pushim gjatë gjithë ditës, në kushtet e hapësirat e ngushta dhe aspak komode të apartamenteve të ngritura gjatë socializmit, kryesisht në WC.

Të privilegjuara, ishin familjet që kishin siguruar ndonjë kokërr limoni apo portokalle nga bregdeti, si diçka të rrallë për kohën. Në shumë raste, kishte grupe të rinj, miq e shokë, që mblidheshin atë natë në shtëpinë e dikujt, për të dalë në shesh pas orës 12-të pas mesnate.

Një festë ndryshe në Tiranë…!

Tirana, si kryeqytet i vendit, u ka dhënë gjithmonë tjetër ritëm prag festave, sidomos momenteve para ndryshimit të viteve. Nata mes dy vitesh, për ata që e kujtojnë, sidomos mes vitet ’60 – ’70-të, ka qenë e veçantë. Pak çaste para se dy akrepat e sahatit të madh të bashkoheshin, qindra të rinj e të reja, i gjeje në sheshin para Pallatit të Madh të Kulturës (ndërtuar në vitin 1964), duke festuar, imituar dhe kënduar këngë të njohura, kryesisht të huaja.

Gjithçka spontane jo e organizuar, por e sajuar nga disa pasionantë, që banonin kryesisht në qendër të Tiranës, pasi zonat e tjera ishin pak larg dhe vështirë të vije, kur mjetet e transportit në ato orë, nuk kishte. Dikush vinte me pajton i veshur me kostum të zi, borsalina apo cilindra në kokë, duke imituar aktorët Zhan Mare apo Alen Delon, duke hipur te kolonat, e duke uruar në frëngjisht Vitin e Ri, dikush tjetër këndonte këngë të famshme të kohës, ato të Xhoni Hollideit, etj.

Moda e lokaleve

Në shtëpi apo në lokal, kjo ka qenë dilema e shqiptarëve për natën e ndërrimit të moteve. Preferenca për ta kaluar natën e Vitit të Ri, në një vend publik, me shoqëri, orkestër, muzikë e vallëzim, ka filluar para viteve ’50-të, për të vijuar në ato ’60-të, e më tej, sidomos në vitet ’80-të. Në shumë qytete të Shqipërisë, por veçanërisht në Tiranë, ka qenë ndryshe.

Kryesisht festohej në “Kursalin”, e famshëm në qendër, sallat gjigante të “Hotel Dajtit” apo, në “Vollga” (“Drini”), të cilat, natën e Vitit të Ri, mbusheshin me pushtetarë, zyrtarë të lartë, artistë e sportistë të njohur, me familjet e tyre, por edhe me shumë të huaj, marinarë, studentë dhe kryesisht punonjësit e ambasadave, të cilët kanë kënduar e vallëzuar çdo lloj muzike, deri në agim.

Po kështu, festohej edhe në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në selinë ngjitur me Teatrin Popullor, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, në “Rrugën e Kavajës”, ku argëtoheshin oficerët madhorë me familjet e tyre e, vite më vonë në atë që është sot selia e Partisë Demokratike.

Por edhe tek hotelet “Internacional”, apo “Donika”. Shumë i veçantë ka qenë “Vollga”, apo “Adriatiku” në Durrës, ku vërshonin jo vetëm durrsakët, por edhe të huajt, kapitenë e marinarët e anijeve, që i kishte zënë Viti i Ri në portin e Durrësit. Edhe aty muzikë, argëtim pa limite.

Në Shkodër janë shfrytëzuar lokalet e njohura, si; “Kafja e Madhe”, “Turizmi i vjetër”, “Kafe Moska” apo “Adriatik”. Po kështu, edhe në qytete të tjera, janë përdorur lokalet që kishin orkestër, që mund të gatuhej e me salla të mëdha.

Gjithçka deri para fjalimit “programatik” të Matit dhe marshimit të madh popullor të tiranasve drejt Durrësit, në dhjetorin e vitit 1966, për të nderuar aktin heroik të Adem Rekës. (“Hero i Punës Socialiste” që dha jetën për të shpëtuar një vinç të madh ngarkim shkarkimi, apo siç njihej ndryshe: Biga Lundruese).

Pastaj një tjetër fazë liberalizmi për pak vite, deri në shkurtin e 1973, pas të cilit nata e Vitit të Ri është vetëm familjare.

Pritja e gjatë për të marrë vaj-gur, me bidonët 5, 10 apo 15 litërsh, të cilat i vinim në radhë, shitësen që mbante çorape leshi të gjata, fuçia-kazan me vajgur, sapllallkja dhe hinka madhe që vendoste në grykën e çdo bidoni, për të hedhur vajgurin. 12 lekë (të vjetra) kushtonte një litër. Po kështu një siklet i madh dhe peripeci pafund, ishte ajo për të gjetur kalendarët që i varnim në muret e dhomave të pritjes, të cilët shiteshin dy tre ditët e fundit para vitit të ri.

Hotel – “15 Katëshi” dhe rikthimi në lokal me muzikë e vallëzim të zgjedhur

Ndonëse pati një frenim ky lloj argëtimi publik, sidomos në mes vitet ’70-’80-të, si pasojë e situatave të tensionuara politiko-ekonomike dhe jetës sociale të kufizuar, rikthimi te nata dëfryese e fundvitit në restorante, erdhi natyrshëm nga dëshira për diçka më ndryshe nga ai i qëndrimit, gatimit në shtëpi, ditën dhe natën e 31 dhjetorit. Ky ishte motivi që i shtyu shqiptarët, të fillojnë të organizohen sërish në lokale në natën e fundit të vitit. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete te tjera…!

Por që të kaloje këtë natë në një lokal, konsiderohej një privilegj i madh, pasi jo të gjithë i kishin mundësitë. Për të siguruar një tavolinë për natën e Vitit të Ri, duhej të bëjë një prenotim familjar, që në ditët e para të muajit dhjetor, pranë administratës së hotelit. Frekuentohej kryesisht 15-katëshi, i sapondërtuar dhe i përuruar në vitin 1979. Të gjithë vraponin fillimisht aty. Nëse nuk arrije të prenotoje, duhej nxituar te lokalet e tjera, si; “Vollga” (“Drini”), “Arbana”, “Arbëria”, apo “Rinia”, ku nata e Vitit të Ri, shoqërohej me muzikë të lehtë, vallëzim dhe argëtim, brenda limiteve të kohës.

Orkestra (kryesisht ishte ajo e tavernës së 15- katëshit, apo të tjera, të përbëra me instrumente të njohura të kryeqytetit), e dinte mirë repertorin dhe nuk kalonte asnjë cak, gjithmonë në sintoni, me çfarë lejohej në programin e kontrolluar më parë, por asnjëherë, muzikë e këngë kushtuar Partisë. Tre kërcime, një pauzë, sërish tre kërcime… e kështu vijohej.

Çmimet

Mbrëmja festive, fillonte në orën 21:00. Çmimi varionte nga 600 lekë (të vjetra) personi dhe 1.200 lekë çifti te 15-katëshi, për të zbritur në 450 lekë, te të tjerat me një meny me të zakonshmet, si antipasta, pastaj pulë ose pilaf me gjel, bërxollë me patate, një shishe verë, birrë ose raki dhe ëmbëlsira në fund. Cigarja pihej në pafundësi, nuk kishte këngëtarë, por mund të këndonin këngëtarë që ishin në lokal, me familjet e tyre, apo amatorë e qeflinj të këngës.

Në orën 00:00 fikeshin dritat, përplaseshin gotat dhe një puthje në faqe, pastaj dalja jashtë, për të parë fishekzjarrët. Më pas, organizoheshin edhe lojëra-llotari, me prezantues aktorë të njohur, si p.sh., Vilson Gjonçaj, me të cilat fituesit, merrnin një dhuratë nga organizatorët. Qëndrimi në restorant, vazhdonte thuajse deri në orët e para të mëngjesit, pasi nuk kishte kufi apo limit kohe. Edhe në Shkodër, te Hotel “Rozafa”, apo në plazh të Durrësit, si tek “Adriatiku”, ashtu edhe te “Kruja”, “Butrinti”, “Apollonia”, etj., ndodhte e njëjta gjë.

Prenotimi i pushimeve në postë në orën 12:00, një vit para!

Viti i Ri, fillonte me vrapin në mesnatë për në Postën Qendrore, jo për të bërë një urim, por për të nisur telegramin urgjent, për në hotelet e preferuara të plazhit, siç ishin “Kruja”, “Butrinti”, apo ato në Sarandë dhe Pogradec. Ky veprim ndër vite, ishte kthyer në ankth për tiranasit dhe sapo akrepat kalonin 12 e një minutë, një pjesëtar i familjes, përfshirë edhe ata që ishin në lokal, duhet të sakrifikonte dhe me shpejtësi nisej për në postë, ku ndërkohë ishte drejtuar një fluks i madh njerëzish. Të gjithë, për të bërë telegramin e famshëm dhe marrjen e mandatit, që i siguronte një prenotim prej dhjetë ditësh, në një nga dhoma e këtyre hotel-turizmeve.

Vizitat te të afërmit dhe “fati” që sillte vizitori i parë

Kush i ka jetuar ato kohë, pa dyshim që i kujton vizitat sfilitëse familjare, që fillonin në mesditën e datës 1, për të vazhduar për disa ditë. Shumë rëndësi, kishte njeriu u parë që futej në shtëpi. Ishte ai që do të “përcaktonte” fatin e atij viti. Shkohej te të afërm, komshi, miq… më këmbë ose me autobusët e rrallë, të linjës së tejmbushur, pasi taksitë që kanë funksionuar deri në vitet ’70-të, nuk ishin më. Ka qenë një traditë që praktikohej në vite, në gjithë Shqipërinë dhe që u shuan ngadalë me ndërrimin e sistemeve, dhe si për inerci, vazhdoi deri aty nga viti 1996.

Hotel “Dajti”, ballo e muzikë perëndimore…!

Për shumë dekada Hotel “Dajti” ka shërbyer si i vetmi hotel qeveritar e diplomatik, në Shqipëri. Por, edhe për të sistemuar personalitet e shquar botërorë, të ardhur në Tiranë, skuadra të njohura perëndimore, si ekipi i futbollit i Republikës Federale Gjermane, “Ajax”, artistë të njohur etj., etj. Menjëherë pas lufte, ai është shfrytëzuar si rezidencë pune, banimi, madje aty janë martuar edhe Enver Hoxha e, disa qeveritarë të lartë, të kohës. “Dajti”, bashkë me Pallatin e “Brigadave” janë përdorur për të festuar gjithçka, por veçanërisht mbrëmjen e madhe të fundvitit.

Duke qenë në qendër, “Dajti”, ishte tejet i preferuar, pasi struktura e brendshme e tij, me sallat gjigante luksoze, me hapësirë e lartësi e, funksion të shkëlqyer (taverna poshtë, shumë e preferuar, nuk shërbente vetëm për natën e Vitit të Ri, për shkak të përmasave të vogla), krijonte një mundësi të madhe dëfrimi, për specialistët e huaj, fillimisht ata jugosllavë, ato të vendeve lindore të pranishëm në Shqipëri, e më pas sovjetikë e kinezë, (që kishin ardhur këtu për ndërtimin veprave të 5-vjeçarëve), diplomatë, por edhe për shqiptarë.

Deri para prishjes me vendet komuniste të Europës Lindore, apo siç njiheshin ndryshe si; “Demokracitë Popullore”, deri rreth viteve ’60 – 61′, aty shkonin njerëz me para, që e njihnin jetën nga prindërit e tyre, të cilët ishin shkolluar në perëndim, familje mjekësh, intelektualësh, sportistë të njohur, fëmijët e udhëheqësve të lartë të PPSh-së, artistë, etj. Mblidheshin në sallën e madhe e në hollin-sallon modern, (që garantonte mbi 250 persona), gjatë natës së Vitit të Ri. Aty gatuhej shumë mirë dhe ushqimi ishte tepër cilësor, e me shumëllojshmëri.

Zonja Carmon, gruaja moderne e ballove

Zonja Carmon, ka qenë shumë elegante, e njohur jo vetëm si gruaja e Paskal Carmon, sekretarit të Parë të Ambasadës Franceze, por më shumë, për veshjen moderne prej lëkure që përdorte. Po kështu, edhe vajzat e ambasadorit polak, që mbrëmjen e Vitit të Ri, shfaqeshin me minifunde klasike, duke qenë në qendër të vëmendjes. Protagoniste ishin gjithashtu edhe gratë, vajzat e zyrtarëve të ambasadave perëndimore, që u jepnin jetë ballove argëtuese, që vazhdonte pas mesnate.

Ky frekuentim i “Dajti”-t, vazhdoi për inerci pas viteve ’60-të, edhe për disa vite të tjera, thuajse deri në fillim të viteve ’70-të. Hyrja, frekuentimi në përgjithësi dhe në veçanti i natës së Vitit të Ri, ishte vetëm për të huaj dhe një elitë të kufizuar personash e, familje të zgjedhuara. Ndryshimi ishte i dukshëm, jo muzikë moderne, por shqiptare dhe të huaj, kryesisht me këngët të kohës. Tashmë ka filluar survejimi i të huajve dhe shqiptarëve që preferonin Hotel “Dajtin”.

Viti i Ri në “Bllok”, me familjet e udhëheqjes së lartë

Viti i Ri në “Bllok”-un e udhëheqjes së lartë të PPSh-së, ka qenë i veçantë, kjo e lidhur edhe me kohën. Fillimisht, në periudhën pas lufte, e në vijim të viteve ’50 e ’60-të, festa e Vitit të Ri, organizohej familjarisht nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, që mblidheshin në Odën e “Pallatit të Brigadave”, kështu quhej mjedisi, në të cilin kalonin natën e ndryshimit.

Me kalimin e viteve, familjet filluan të preferojnë Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore (SHQUP), ndërsa fëmijët të veçuar, e festonin te “Vila nr. 2” (sot pranë RTSH-së), por edhe në shtëpinë e Enver Hoxhës, kur ai nuk ishte aty. Pas viteve ’70-të, saktësisht pas 1973-it, kur filluan goditjet e “grupeve armiqësore”, në art-kulturë, ushtri, ekonomi, naftë, etj., u prishën miqësitë, lidhjet dhe preferencat, secila familje mblidhej në shtëpi, brenda “Bllokut”, të kufizuar e ruajtur me ushtarë, oficerë të Sigurimit e policë, pa shumë zhurmë, kalonte Vitin e Ri.

Edhe për faktin se fëmijët e tyre të rritur ishin martuar e kishin fëmijë të vegjël, çka e kushtëzonte daljen, apo lëvizjen në mjedise publike. Të nesërmen vijonin vizitat tradicionale. Një ndryshim në mentalitet u pa në fund të ’70, kur fëmijët e pak zyrtarëve të lartë filluan të shkojnë te “Hotel Dajti”, të ndaluar për shqiptarët, apo të dalin edhe jashtë shtetit për festat e fundvitit, diçka që nuk ishte bërë asnjëherë më parë./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 02/01/2024 01:38

    Artikull nostalgjik dhe i bukur.Doja te shtoja ndarjen e dhuratave/lodrave nga ndermarrjet per femijet e punonjesve te tyre qe behej ne Dhjetor.Me kujtohen dhuratat qe kam marre nga vendet e punes te prinderve.Keni harruar dhe programin per Vitin e Ri per femijet qe fillonte ne TV mbasdite vone,gjithashtu desha t'i kujtoj autorit qe vertet ishte feste jo dhe aq e lidhur me partine,sic thote vete,por prej saj nuk shpetoje se fill pas ores 12.00 ja kepusnin nje kenge per partine dhe Enverin pikerisht ne kulmin e Koncertit te Madh,besoj qe dhe ne lokale nuk shpetoje pa nje /Enver Hoxha tungjatjeta!/,a te ngjashme.Me kujtohet dhe atmosfera festive qe jepte TV duke filuar 2-3 dite perpara,pergatitjet qe beheshin dhe ndonje gatim.Per festa kur dyqanet filluan te zbazeshin,po te kishe fat mund te gjeje dhe ndonje cokollate.Agrume gjeje,por shumica shkonin per eksport dhe ato qe ishin ne treg mezi e mbulonin kerkesen e brendeshme.Me kujtohet qe fillonim t'i blinim qe ne fillim te muajit pak e nga pak,kurse per domate,speca,etj per te fresketa as qe behej fjale,vetem te frigoriferit gjeje.

    Përgjigju
  • Kasem Gahinji: 31/12/2023 12:58

    Tolloni i mishit nuk Ka qene per mishin e pules dhe te gjelut .Keto Jane blere lirisht ne tregun Fshatar.Ne dyqanin e shtetit tolloni i mishit eshte futur pas vitit 1982. Per vit te ri tavolinat Kane qene plot

    Përgjigju
  • Tani: 31/12/2023 12:01

    Dmth dhe ne komunizem Tirana ka patur gjera qe qytetet e tjera i enderronin dhe nje preference.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë