Pas dëshmisë së dhënë një ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës "dëshmitari X" i Partisë Demokratike, i njohur si Albert Veliu, ka qëndruar për afro 5 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda këtë të premte.

Edhe përballë prokurorit Përparim Kulluri ai ka konfirmuar versionin e tij dhënë në Prokurorinë e Tiranës se zëri në përgjim është i tij dhe ai ka telefonuar shtetasin Agron Xhafaj. Edhe nga Krimet e Rënda, Veliu është marrë në pyetje në cilësinë e deklaruesit ndërsa avokati i tij, Artan Murrizi, e priste në ambientet e hollit të prokurorisë.

Pas përfundimit të seancës së pyetjeve pranë Krimeve të Rënda, Murrizi i njohur si avokat pranë selisë blu ka marrë me automjetin e tij Veliun dhe janë larguar nga prokuroria. Ndërkohë, Report Tv ka mësuar se si Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda kanë kërkuar ekspertimin e përgjimit për të konfirmuar nëse zëri i Albert Veliut është apo jo autentik.

51-vjeçari Albert Veliu një ditë më parë u shfaq publikisht në dëshminë e tij nga selia blu me një regjistrim audio-video duke deklaruar se ai komunikoi me Agron Xhafajn për ta vënë në provë nëse do e ndihmonte për të trafikuar apo jo drogë drejt Italisë.

Pyetjes së hetuesve se kush e realizoi përgjimin Albert Veliu nuk i ka dhënë një përgjigje duke deklaruar se e vetmja gjë që ai di është se ka qenë ai që ka telefonuar Agron Xhafën.