Muajt e protestës kanë nxjerrë në pah një luftë ‘e ftohtë’ midis protestuesve dhe opozitës, thotë analisti Mentor Kikia.

“Unë mendoj që ka një luftë të ftohtë në mesin e protestuesve, në mesin e të gjithë aktorëve opozitarë, se kush është opozita e vërtetë politike”, shprehet ai në Report Tv.

Kjo duket se e sfidon Partinë Demokratike që edhe një ditë më parë, u përpoq t’u bashkohej protestuesve që e refuzuan. Më pas, luajti ‘letrën’ e përçarjes së stisur nga kryeministri Edi Rama dhe Arlind Qori, duke mos reshtur së thëni se janë krah protestuesve.

Por, vijon pedagogu, me gjithë ndarjet brenda protestës, qëllimi i përbashkët është rrëzimi i qeverisë. Kjo nuk arrihet as me përleshje, as me dhunë e as me dalje në rrugë, vijon Kikia, por vetëm me votë.

“PD nuk duhet ta lëshojë vendin e parë dhe herë pas here përpiqet të kthehet në sheshin e protestës herë si mbështetëse, herë si faktor, si dje, për të treguar se e ka vendin e saj në sheshin e betejës dhe nuk mund të mungojë pa qenë pjesë e kësaj sofre. Nëse ka një kauzë madhore që i bashkon të gjithë, ajo është largimi i qeverisë. Këto lloj protagonizmash janë të pavend dhe, mbi të gjitha, janë të dëmshëm. Në protestë, në shesh, në bulevard, në rrugë nuk zgjidhet qeveria. Qeveria zgjidhet vetëm dhe vetëm me votë. Kryeministri i ardhshëm nuk përcaktohet në bulevard, në rrugë, në përleshje edhe në aktet e dhunës, po të duam, por kryeministri do të përcaktohet vetëm në votë. Të nxjerrin sa të duan protestues PD, Arlindi, Shehaj, askush nuk do të certifikohet si udhëheqësi i ardhshëm në protestë, do të certifikohet vetëm në kutitë e votimit. Popullit duhet t’i sigurohet një ligj që garanton zgjedhje të lira e të drejta”, thotë Kikia.

Frika e PD, thotë Kikia, është përsëritja e një skenari serb në Shqipëri pasi selia blu deri në këtë moment ndihet e mënjanuar, por i tremben shkrirjes së opozitës klasike.

“Opozitarizmi qytetar është më i madh sesa opozitarizmi politik. Partia Demokratike e pa veten disi jashtë këtij uragani kryengritës apo reagues. PD ishte në mesin e një serie protestash dhe kur u futën në skenë qytetarët me simbolin e flamingos, u bë mënjanë. PD që ishte edhe protagoniste e molotovëve, e pa veten edhe më jashtë. Këtu lindi një frikë, edhe prej zgjedhjeve në Serbi kur një listë e studentëve e shkriu totalisht opozitën klasike serbe që aktualisht nuk ka asnjë mandat në parlament, në opozitën politike partiake shqiptare, që përfaqësohet kryesisht nga Partia Demokratike, lindi frika e një përjashtimi tërësor nëse do të përsëritej apo do të replikohej në Shqipëri një skenar serb”, shprehet Kikia.

Analisti merr në konsideratë edhe hipotezën që PD mos të bëhej pjesë e protestës, por janë partitë e vogla të opozitës që tregojnë ndikimin politik në këto tubime.

“Edhe nëse Partia Demokratike nuk do të shkojë as në nivel drejtues, as në nivel mbështetësish, sërish ajo nuk është një protestë tërësisht jopolitike, pra jopartiake, sepse partitë e reja janë aty në mënyrë agresive të prezantuara. Arlind Qori është një pjesëmarrje demonstrative që përpiqet ta orientojë e drejtojë. Ajo nuk është një protestë politikisht e virgjër”, përfundon Kikia.