TIRANË- Nuk ka marrëveshje për Reformën Zgjedhore!  4 muaj e gjysmë, që nga krijimi i saj, Këshilli Politik nuk ka arritur që të gjejë gjuhën e përbashkët, duke bërë që Reforma Zgjedhohet të shtyhet përtej afatit të 31 majit. Pas më shumë se 4 orë mbledhjeje, PS-PD/LSI dhe opozita e re kanë dalë nga ky takim më larg se kurrë konsensusit, ku fajtorë për mos arritjen e një marrëveshje kanë bërë njëri- tjetrin. Prania e përfaqësuesit të ambasadës Amerikane, Ian Craeford, shef i seksionit politik dhe ekonomik, nuk ka ulur "gjakrat" mes përfaqësuesve politik duke bërë që afati i përcaktuar nga ndërkombëtarët të digjet, pavarësisht këmbënguljes së SHBA-BE që kjo reformë të mbyllet në 31 maj. 

Opozita me përfaqësues Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin kanë deklaruar se fajtore për mos arritjen ë një dakordësie është Partia Socialiste, sipas së cilëve "nuk ka hequr dorë nga privilegjet që ka", e ndërsa referuar deklaratës së tij, në takimin e sotëm, janë shtuar çështjet që palët nuk kanë rënë dakord. Nëse në mbledhjen e kaluar, problem ishte vetëm depolitizimi i administratës Zgjedhore dhe identifikimi biometrik, kësaj here përveç këtyre dy pikave, Bylykbashi renditi dhe rolin e KQZ-së dhe Kolegjin Zgjedhor.

Në përgjigje të tij, Damian Gjiknuri tha se ishte gati drafti përfundimtar, por propozimet në minutat e fundit të opozitës ndikuan që të mos arrihej një konsensus. Ai theksoi se qeveria ka rënë dakord me shumë pika të opozitës, edhe ato që i cilëson si "kushte", por pavarësisht kësaj, sipas tij "ato nuk hoqën dorë nga kërkesat absurde".

Ndërkohë, Rudina Hajdari ka hedhur akuza për të dyja palët politike, sipas së cilët sot, edhe një herë tjetër, treguan se kanë në fokus interesin personal dhe jo të shqiptarëve. "Sot iu mbyll dera SHBA-së", tha Hajdari.

Megjithatë, në një pikë bashkoheshin të gjitha palët, që dera e dialogut nuk është mbyllur, duke lënë të nënkuptuar se tryeza e Këshillit Politik do të mblidhet sërish. Deri më tani është rënë dakord për çështjen e rifinancimit të partive, kuotave gjinore, shkurtimit të periudhës se kur do të zhvillohen zgjedhjet, rolin e policisë dhe që SPAK të hetojë krimet zgjedhore. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:14
Gjiknuri: Kishim gati draftin përfundimtar, por opozita hoqi dorë në minutat e fundit! I kemi votat në Kuvend për ta votuar të vetëm

Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri është shprehur se qeveria ka pranuar shumë kërkesa të opozitës, por shkak për mosarritjen e një marrëveshje janë bërë kërkesat e minutave të fundit të opozitës. Sipas tij, para mbledhjes ka pasur një draft drejt mbylljes, por se opozita është tërhequr nga kërkesat e saj, duke hedhur në tryezë propozime të tjera. Ndërkohë ndryshe nga sa ka deklaruar, Bylykbashi, Gjiknuri la të nënkuptohet se është rënë dakordësi për identifikim biometrik në masën 100%. 

"Të gjithë çështjet që kanë pasur problematikë dhe jemi munduar të adresojmë dhe një pjesë të mirë të kërkesave të opozitës, kemi gati një produkt të përfunduar me rekomandimet e OSBE/ ODIRH dhe të opozitës, por nuk mundet që pasi biem dakord dhe reflektojmë një pjesë të mirë të kushteve të opozitës, të fillohet të cedohet dhe të dilet me kërkesa të reja, nuk e humb qetësinë. Nesër do të informoj Kuvendin. Dyert dhe dritaret e komunikimit janë të hapura për të mbyllur edhe ato pak gjëra. Ne kemi adresuar edhe kërkesat më serioze, që quheshin parakushte të opozitës. Nuk më pëlqen diplomacia e megafonit, edhe kushtet e domosdoshme të tyre do i marrim parasysh që të adresohen rekomandimet e ODIHR. Miqtë ndërkombëtarë kanë inkurajuar dialogun. Ne kemi adresuar kërkesat që asnjë opozitë shqiptare nuk i ka menduar ndonjëherë në Shqipëri. Do ta shikoni vetë dhe do të habiteni kur të dëgjoni që një pjesë e mirë të kërkesave janë adresuar, por e padrejtë që ne të adresojmë problemet e tua, dhe t'i të mos heqësh dorë nga kërkesat absurde. Komisionarët do zgjidhen me short. Ne jemi të hapur për të gjitha llojet e takimit dhe ne do të vazhdojmë punën, opozita është në të mirën e tyre që të na bashkëngjitet. Parlamenti është legjitim, i kemi votat. Opozita nuk do vetting te zgjedhjet, s'ka asnjë argument logjik. Nëse realizohet 100% identifikimi biometrik është dakord", tha Gjiknuri.

Ora 23:01
Hajdari: PS-PD/LSI i mbyllën derën SHBA, nuk heqim dorë nga ndryshimi i sistemit!

Deputetja e Opozitës së re, Rudina Hajdari ka bërë me dije se partitë politike nuk arritën në një marrëveshje, pasi kanë në fokus interesat personale dhe të kryetarëve të partive dhe jo interesin e shqiptarëve. Ajo tha se me përfaqësuesin Amerikan u takuan me Bylykbashin, Gjiknurin dhe të, por jo me Vasilin, duke thënë se "ai erdhi dhe bëri një xhiro".  

"Dhe këtë radhë partitë politike dështuan se interesat e tyre janë kaq të ngushta dhe vetjake, janë për t'iu shërbyer partive të tyre dhe nuk duan t'ia dinë për shqiptarëve. Pse vjen SHBA këtu, vetëm se duan interesin e shqiptarëve dhe këta sot edhe njëherë ia mbyllën derën. I thanë që nuk janë gati për të bërë marrëveshje, vunë një datë, por në momentin e fundit u tërhoqën. Koha do t'i tregojë të gjitha.  Kjo Reformë Zgjedhore duhet të ketë bekimin e shqiptarëve dhe nuk e ka, edhe pse ambasada amerikane u investua për këtë reformë, këta nuk duan t'ia dinë. U takua me Bylykbashin, Gjiknurin dhe me mua, Petriti bëri një xhiro. Ata ishin të investuar që sot të kishin një zgjidhje, i thanë gjithë ditën që sot do bien dakord, se ku e kanë hallin ju e dini. Loja është e hapur, nuk kemi ndryshim sistemi, por kemi një propozim që ne do të futemi në lojë. Nuk kanë marrëveshje as mes tyre. Nuk dorëzohemi nga ndryshimi i sistemit", tha Hajdari.

Ora 22:52
Përfundon mbledhje për Reformën pa marrëveshje! Opozita fajëson PS: Nuk hoqi dorë nga privilegjet! Pikat që na ndajnë

Nuk ka marrëveshje për reformës Zgjedhore. Palët duket se janë shumë larg një marrëveshje. Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi ka bërë me dije pikat ku nuk janë gjetur një konsensus.

"Opozita nuk heq dorë nga garancitë për votën e qytetarëve shqiptarëve dhe për një proces që krijon besim për të gjithë aktorët politik. Jemi të gatshëm të gjemë konsensus dhe presim nga PS që të jetë gati për konsensus. Të gjithë përpjekjet e qeverisë, e PS që të mbajë privilegjet të mos heqë dorë nga kontrolli i KQZ, vula në Gjykatën, tregojnë rëndësinë e propozimi ynë ka. Ne kemi diskutuar, falenderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtarë në përpjepje për të gjetur kompromis, PS nuk hoqën dorë nga privilegjet mbi procesin zgjedhor. Ne jemi të gatshëm që të gjejmë zgjidhje me kompromis. Le t'i japim kohë PS pse nuk mund të jetë Kolegji Zgjedhor për të përmbyllur tabelën e rezultateve, se pse KQZ nuk mund të jetë ai institucion i turpshëm, jemi para një model të ri, por nuk mund të jetë ai pronë e PS. Komisionet e PS nuk mund të jenë si të pavarur, dhe kjo lidhet bashkë edhe me garantimin 100% biometrik. Kur të kemi kompromis mbi këto çështje, ne mund të punojmë për Reformën. Biometrika është e lidhur me administratën, por këto janë të lidhur edhe që nuk mund të jenë nën kontrollin e KQZ apo të gjykatave. Këto shtylla të rëndësishme janë të lidhura", tha Bylykbashi.

"Kjo nuk është çështje pazaresh politike, këtu bëhet fjalë për votën. Kjo të thotë që rritet garancia, jo jo rënie të garancisë. PS mund të ketë vështirësi sepse duhet të dalë nga gjumi parizion kryeministri, që nuk është i shqetësuar për zgjedhjet se ka qëllim zgjedhjet që i vjedh vetë ose konsensusin që e shkatërroN. Propozimet i japin fund manipulimit me votën e shqiptarëve. Ky është një qëndrim parimor që s'ka arsye se përse të negociohet dhe kështu ne plotësojmë një kusht të BE-së, nga 5 kushte që 2016, ka 3 kushte që lidhen me zgjedhjet ku shkaktari kryesor është Edi Rama", tha Vasili.

Ora 22:43
Pas 2 orë e 40 minutas, përfundon takimi i përfaqësuesit e SHBA-së me anëtarët e Këshillit Politik

Pas rreth 2 ore e 45 minutash ka përfunduar takimi i përfaqësuesit amerikan Ian Crawford me tre anëtarët e Këshillit Politik, Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasilin.

Ora 22:35
Zbardhet propozimi i opozitës: Gjykata Kushtetuese rol kryesor për ankimimet! Të shkrihet Kolegji Zgjedhor

Opozita jashtëparlamentare në tryezën e Këshillit Politik ka paraqitur një tjetër propozim, ku kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të jetë organi gjyqësor kompetent për shqyrtimin e ankesave zgjedhore. Në propozimin që Report Tv ka zbardhur, opozita kërkon shkrirjen e Kolegjit Zgjedhor me argumentin se ky organ nuk ndihmon, por përkundrazi shton kohën e ankimimeve

"Në vijim të debatit për Kolegjin zgjedhor dhe diskutimit mbi propozimet e ndryshme, duke qene se asnjë zgjidhje nuk gëzon konsensusin e nevojshëm, Opozita propozon që organi gjyqësor kompetent për shqyrtimin e ankesave zgjedhore të jetë Gjykata Kushtetuese, e cila do te gjykonte ankimet me një panel prej tre gjyqtarësh. (...)Kjo nuk do të thotë, që si instance e parë, të mund të ndërfutet edhe ndonjë nivel paraprak gjyqësor (psh Kolegji Zgjedhor) porse kjo nuk sjell vlere te shtuar, përvecse shton kohen e ankimimeve. Në kushtet kur KQZ (ashtu sic do te formatohet) shndërrohet në një organ “quasi-gjyqesor” ndërfutja e kolegjit zgjedhor (apo gjykata e apelit administrativ) në të ardhmen nuk i shërben thjeshtimit dhe shpejtësisë edhe pse nuk është e ndaluar te behet", shkruhet në raport.

(Kliko këtu për të lexuar të gjitha propozimet e opozitës për rolin e Gjykatës Kushtetuese në zgjedhje)

Ora 21:42
Kush është përfaqësuesi i SHBA-së që po bën përpjekjet e fundit për 'Zgjedhoren'?

 

SHBA-ja, e cila prej fillimi është investuar shumë në Reformën Zgjedhore, ashtu si për 'Drejtësinë', po bën përpjekjet e fundit që palët politike të arrijnë në një konsensus.

Detyra i është caktuar Ian Crawford, shef i seksionit politik dhe ekonomik në Ambasadën e SHBA-së.

Ai është takuar fillimisht me Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin, dhe më pas, pas më shumë se 1 ore takimi i është bashkuar edhe Petrit Vasili.

Ora 21:12
Takimi me përfaqësuesin e SHBA-së/ Pas Gjiknurit, Bylykbashit i bashkohet Vasili!

Takimit që përfaqësuesi i SHBA-s, Ian Crawford, shef i seksionit politik dhe ekonomik, po bën me Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin, i është bashkuar së fundmi edhe Petrit Vasili. Ndërkohë, pritet që në përfundim të këtij takimi, palët të ulen në tryezën e Këshillit politik për të diskutuar mbi propozimet konkrete, për të cilat mësohet se ditën e sotme nuk ka asnjë kërkesë të re.

Ora 20:48
Zbardhen propozimet e opozitës për qeverinë tranzitore: Ky rregull deri sa të futemi në BE

Zbardhen propozimet e opozitës për qeverinë tranzitore. Opozita ka dorëzuar në mbledhjen e Këshillit Politik kushtin për qeverinë trazitore, ku qëkrojnë që ky rregull të jetë në fuqi deri sa vendi të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Ata kërkojnë që 100 ditë përpara zgjedhjeve Kuvendi të miratojë përbërjen e qeverisë tranzitore, e cila pas betimit të presidentit merr menjëherë detyrën. Nëpërmjet kësaj qeverie, opozita shprehet se do të arrijet asnjanësia e institucioneve në zgjedhje, barazi e trajtimit të kandidatëve në lidhje me burimet administrative dhe së fundmi atë që cilësojnë barazi nëpërmjet partive duke mbrojtur nga keqpërdorimi i mundshëm i burimeve administrative për qëllime politike.

"100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë, miraton përbërjen e Qeverisë Kujdestare të Zgjedhjeve, e cila pas betimit përpara Presidentit të Republikës, fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me funksion të posaçëm ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Ky rregull zbatohet deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.

5. Qeveria Kujdestare e Zgjedhjeve ka për detyrë:

të sigurojë asnjanësi dhe paanshmëri të institucioneve të administratës publike në procesin zgjedhor;

të sigurojë barazinë e trajtimit midis kandidatëve dhe partive të ndryshme në lidhje me burimet administrative;

të sigurojë barazi ndërmjet të gjithë subjekteve zgjedhore, duke mbrojtur nga keqpërdorimi i mundshëm i burimeve administrative për qëllime politike", shkruhet në dokument.

Kujtojmë që në zgjedhjet e qershorit të 2017, pas marrëveshjes së 17 majit, midis Ramës dhe Bashës, u krijua një qeveri tranzitore ku PD-ja mori 7 ministri. E megjithatë, opozita doli e "pakënaqur", duke akuzuar se votat u vodhën sërish me argumentin se ministrave të opozitës nuk iu la fuqi vendimmarrëse për të parandaluar manipulimin e votave.

Ora 20:26
Reforma Zgjedhore/ Përfaqësuesi i ambasadës së SHBA takim veçmas me Bylykbashin e Gjiknurin prej 30 minutash

Burime për Report Tv bëjnë me dije përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane, Ian Crawford, shef i seksionit politik dhe ekonomik  ka nisur një takim me përfaqësuesin e PD-së, Oerd Bylykbashin dhe të mazhorancës Damian Gjiknurit, pa praninë e Petrit Vasilit dhe Rudina Hajdarit. Gjiknuri dhe Bylykbashi janë ndarë nga grupi i ekspertëve, ndërsa të tjerët po presin të kthehen për të vijuar diskutimet. Takimi vijon prej 30 minutash. 

Ora 20:16
Opozita skeptike për finalizimin e 'Zgjedhores' me 31 maj: S'dihet nëse ka kohë sonte për një dakordësi!

Opozita shprehet skeptike për arritjen e një marrëveshjeje ditën e sotme, më 31 maj i cili është edhe afati i fundit për mbylljen e kësaj reforme. Burime për Report Tv kanë bërë me dije se opozita i ka forëzuar të gjitha propozimet, përfshirë edhe qeverinë tranzitore dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese.

"Këshilli Politik është mbledhur për të diskutuar çështjet e mbetura pezull të reformës zgjedhore. Ato janë disa dhe nuk është e qartë, nëse do të ketë kohë për të arritur sonte një dakordësi. Megjithë volumin dhe vështirësinë e negociatave, gjëja pozitive është se në tryezë sonte nuk ka çështje të reja. Opozita i ka dorëzuar që mbrëmë propozimet për garancitë e votës në zgjedhje, duke e çuar deri në fund pjesën e angazhimit të saj me reformën zgjedhore. Pjesë e këtyre propozimeve janë edhe qeveria kujdestare për zgjedhjet dhe roli i gjykatës kushtetuese. Diskutimi i tyre ende nuk ka nisur, por është e rëndësishme që të gjitha çështjet janë mbi tavolinën e bisedimeve", thotë burimet.

Ora 19:04
Mbledhja drejt nisjes/ Mbërrin Hajdari, Bylykbashi i shoqëruar nga Vasili

1590944785_VASILI.jpg

Mbledhja e Reformës Zgjedhore është drejt nisjes. Pas Damian Gjiknurit, ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Ora 18:52
Tryeza e Këshillit Politik për 'Zgjedhoren'/ Mbërrin i pari Damian Gjiknuri

1590943892_Screenshot2.jpg

Mbërrin në Pallatin e Kongreseve, aty ky pritet të zhvillohet mbledhja e Këshillit Politik, Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i mazhorancës në tryezë.

Ora 16:51
Shtyhet mbledhja e Këshillit Politik me 2 orë! Do të mbahet në 19:00

Ishte parashikuar në orën 17:00, por mbledhja e Këshillit Politik shtyhet në orën 19:00. Ka qenë përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri që ka kërkuar që kjo mbledhje të shtyhet për në orën 19:00. Nuk ka ende arsye se përse u mor ky vendim, në një kohë kur sot, 31 maji është afati i fundit për ta përfunduar këtë Reformë.