Gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës së Shqipërisë ka dështuar në minutën e fundit.

Kandidatëve që morën pjesë u ka ardhur një email nga komisioni, i cili i njofton se gara është finalizuar pa një fitues.

Në mesazhin që u ka shkuar kandidatëve thuhet: “Në vijim të procedurës së konkurrimit për përzgjedhjen e kandidatit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, të zhvilluar në zbatim të Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm nr. 102, datë 05.06.2024, ju informojmë se, pas përfundimit të të gjitha fazave të parashikuara të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave, procedura nuk është finalizuar me shpalljen e një kandidature fituese.

Procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta. Ju falënderojmë për pjesëmarrjen dhe interesin e treguar".

Hapja e garës për drejtorin e ri të Gardës së Republikës erdhi pas dorëheqjes së Ermal Onuzit vetëm 9 muaj pasi u emërua në këtë detyrë ndërsa arsyet nuk u bënë të ditura.