Dështon grushti i shtetit në Bolivi, arrestohet komandanti i ushtrisë Juan José Zúñiga

Në Bolivi pati një tentativë grusht shteti të kryer nga forcat ushtarake, e cila dështoi brenda pak orësh. Dhe që përfundoi me arrestimin e gjeneralit Zúñiga, komandant i ushtrisë.

Gjithçka nisi në orët e para të pasdites së 26 qershorit, kur presidenti aktual socialist i vendit, Luis Arce, deklaroi se operacione të dyshimta nga "disa njësi ushtarake" ishin duke u zhvilluar. Menjëherë më pas, ish-presidenti Bolivian Evo Morales shkroi në rrjetet e tij sociale se një grusht shteti i udhëhequr nga komandanti i ushtrisë Juan José Zúñiga po ndodhte në vend.

Për disa orë ishte e pamundur të kuptohej se çfarë po ndodhte në Bolivi, derisa mijëra ushtarë të armatosur rëndë hynë në sheshin kryesor të La Paz, kryeqyteti qeveritar i vendit. Ata rrethuan Plaza Murillo me dhjetëra tanke dhe mjete të blinduara, filluan të qëllojnë dhe u drejtuan drejt pallatit presidencial.

Pamjet që u transmetuan drejtpërdrejt nga stacionet kryesore televizive boliviane shiheshin ushtarët që gjuanin nga tanket në shesh, ndërsa qytetarë të paarmatosur përpiqeshin të iknin.

Në atë moment, presidentit Arce nuk i mbetej gjë tjetër për të bërë veçse të pranonte zyrtarisht faktin se po ndodhte një grusht shteti, duke u kërkuar qytetarëve - gjatë një konference për shtyp të mbajtur brenda ndërtesës së qeverisë - të dilnin në rrugë për të mbrojtur demokracinë.

Por ushtria vazhdoi të avanconte, duke thyer derën e pallatit presidencial me një automjet të blinduar.

Në krye të trupave, siç kishte deklaruar edhe vetë Evo Morales, ishte komandanti i ushtrisë Juan José Zúñiga, i cili gjatë bastisjes në pallatin presidencial deklaroi para kamerave se "ushtria po shpreh pakënaqësinë e saj", duke shtuar se Luis Arce ishte presidenti i Bolivisë “për momentin”, por se së shpejti do të kishte një ndryshim të ministrave, sepse “shteti ynë nuk mund të vazhdojë kështu, duke lejuar të gjithë të bëjnë atë që duan”.

Megjithatë, sapo hyri në ndërtesë, Zúñiga u gjend menjëherë përballë me Presidentin Arce, i cili e urdhëroi që të pastronte sheshin nga ushtria. Kur komandanti i ushtrisë refuzoi t'i jepte fund përpjekjes për grusht shteti, Presidenti Bolivian Luis Arce u kthye në zyrën e tij dhe, në një lëvizje të befasishme, emëroi tre udhëheqës të rinj në krye të forcave të armatosura Boliviane.

Ndërkohë, pamjet e tankeve dhe ushtarëve që pushtonin sheshin kishin bërë xhiron e botës dhe disa krerë shtetesh kishin shprehur tashmë mbështetjen e tyre për Presidentin Arce. Menjëherë pas emërimit të 3 krerëve të rinj të forcave ushtarake, ish-kapiteni i ushtrisë Zúñiga - i cili drejtonte përpjekjen për grusht shteti - u strehua në një automjet të blinduar përpara pallatit presidencial. Brenda pak minutash trupat filluan të tërhiqen. Tërheqja e ushtrisë ishte e shpejtë dhe, aq më tepër, ishte ikja e Zúñiga-s, i cili u largua nga sheshi me automjetin e blinduar.

Rreth 15 minuta pas tërheqjes së ushtarëve të ushtrisë, Plaza Murillo u rrethua nga policia për të parandaluar një tentativë të re grusht shteti dhe mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes për ndihmë të Presidentit Luis Arce duke pushtuar sheshin në mbështetje të demokracisë.

Por, ndërsa televizioni bolivian shfaqte imazhe të ushtarëve që largoheshin nga sheshi, kundërshtarët e parë politikë të Arce filluan të akuzonin presidentin se kishte organizuar një grusht shteti të rremë për të fituar mbështetje. Presidenti dhe qeveria e tij, e cila do të jetë në detyrë deri në vitin 2025, i kanë mohuar akuzat. Dhe, ndërsa autoritetet lëshuan një urdhër-arresti duke penguar ish-shefin e ushtrisë Zúñiga të largohej nga vendi, policia boliviane e arriti atë gjatë një konference shtypi të improvizuar dhe e arrestoi  në transmetim të drejtpërdrejt. Po ashtu ua arrestua edhe komandant i ushtrisë, Juan Arnez Salvador.

Ministri i Brendshëm Bolivian Eduardo del Castillo tha se qëllimi i Zúñiga ishte të "marrë komandën" e vendit dhe e quajti udhëheqësin ushtarak të  shkarkuar një "kriminel" që kërkon "të rrëzojë një autoritet të zgjedhur në mënyrë demokratike".

Ministrja Maria Nela Prada deklaroi se Zúñiga rrëfeu se kishte organizuar grushtin e shtetit.

Del Castillo më pas shpjegoi se "ka njerëz të tjerë që do të hetohen për kontribut në tentativën e grushtit të shtetit. Pasi të dënohen - përfundoi ai - ne do të garantojmë që kjo të mos ndodhë më".

Të paktën 12 persona u plagosën, nga të shtënat e qëlluara nga ushtarët rebelë në Plaza Murillo në La Paz. Numri i të plagosurve u dha mbrëmë nga ministrja e Presidencës dhe ajo e Shëndetësisë, María Renée Castro. Ajo deklaroi se “ekipet mjekësore kanë vepruar shpejt dhe kanë transferuar të lënduarit në objektet shëndetësore përkatëse të qytetit”. La Repubblica

Xh.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Danimarka 'mbytet' në rebeshin e Dortmundit, Gjermania e mund 2-0 dhe merr biletën për në çerekfinale! Rrufeja ndërpreu ndeshjen për 24 minuta

Euro 2024/ Danimarka 'mbytet' në rebeshin e Dortmundit, Gjermania e mund 2-0 dhe merr biletën për në çerekfinale! Rrufeja ndërpreu ndeshjen për 24 minuta