Posti i Presidentit 'molla e sherrit' në Kosovë/ Kurti: Negociatat me LDK-në dështuan! Mustafa: Nuk heqim dorë nga kushtet

Nuk ka marrëveshje për qeverinë e re në Kosovë. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti njoftoi se kanë dështuar negociatat me partinë e Isa Mustafës, LDK-në për koalicionin qeverisës duke bërë që nesër në Kuvendin e Kosovës dy partitë do të shkojnë pa arritur marrëveshje. Albin Kurti nëpërmjet një video mesazhi në ‘Facebook’-un tregoi ofertën që i bëri Isa Mustafës më datën 23 dhjetor dhe refuzimin që mori.

Kreu i Vetëvendosjes u shpreh se pranoi 50% të programit të LDK-së, i dha postin e kryetarit të Kuvendit dhe pesë ministri, që i zgjodhi kë të donte, por problemi ishte kreu i shtetit. LDK-ja ka vendosur kusht që emri të propozohej nga kjo parti për Presidentin e ardhshëm të Kosovës, por Kurti kërkoi që nominimi i LDK-së për kandidatin për Presidentit të bëhet pasi të mos kenë gjetur një personalitet jashtë partisë, konsensual dhe kur të përcaktohet, të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosjes.

Por LDK-ja nuk e ka pranuar ofertën duke dështuar negociatat për koalicionin. Tashmë gjithcka është në pikën zero. Por cfarë ndodh tani? "Ky është moment historik. LDK e ka në dorë përcaktimin për ndryshimin" deklaron Kurti. 

"LDK refuzoi mbrëmë ofertën për qeverisje. Është obligim i imi që t'u njoftoj se nesër do të shkojmë pa dakordësi. Oferta ime e datës 23 Dhjetor u refuzua dje, ajo e kishte afatin deri në mesnatën e mbrëmshme dhe kishte tre pika.

Pika e parë; Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe n/ kryetari i parë, LDK-së i takon n/ kryetari i dytë.  Por le ta bëjmë rokadën, krye-parlamentarin ta marrë LDK-ja, ndërsa Vetëvendosja dy n/kryetarë.

Pika e dytë e presidentit, e lëmë për më vonë, por nëse LDK-ja insiston që nominimi të bëhet nga ajo, ne të na shtohet ministria e Brendshme. Nominimi i LDK-së për kandidatin për Presidentit të bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet jashtë partisë, konsensual. Dhe kur të përcaktohet do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosjes.

Pika e tretë; sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ndahet. Kultura dhe Rinia i kalojnë Arsimit, Sporti Shëndetësisë. Pakicat jo serbe marrin pushtetin lokal, ndërsa pakica serbe ministrinë për komunitetet.

Kanë kaluar 80 ditë nga zgjedhjet dhe 30 ditë nga certifikimi që na nxorën fitues. Gjatë bisedimeve kemi bërë katër kompromise, ndërsa LDK-ja asnjë. Programi im është 50% nga i LDK-së, zv/ kryeministri i parë i LDK-së, 5 ministri të LDK-së, e cila zgjodhi si të përzgjidhen, meqë donte të zgjidhte e para.

Oferta që u refuzua dje ishte koncesioni ynë i pestë.  Më shumë se kaq nuk mundemi, nuk duam dhe nuk kemi ku shkojmë. I dhamë subjektit të dytë gjysmën e programit dhe qeverisë. 

Tani duhet të presim, pritja i kushton shtetit, por po detyrohemi meqë nuk duam zgjedhje të reja, por institucione të reja, aty mund të arrijmë nëse udhëhiqemi të dyja palët nga drejtësia, detyra qytetare dhe transparenca.

E di që jeni lodhur, si unë, por ndryshimin që keni prodhuar në 6 tetor nuk do të lejojmë të zvogëlohet. Ky është moment historik. LDK e ka në dorë përcaktimin për ndryshimin" deklaroi ai. Mediat në Kosova raportojnë se dje Albin Kurti ka pasur një takim sekret me Vjosa Osmanin dhe më pas me Isa Mustafën, por arritja e një pakti dështoi, ç'ka u konfirmua edhe sot zyrtarisht.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:32
Mustafa i përgjigjet Kurtit: Nëse do, ulemi me kushtet tona, duam postin e Presidentit

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas deklaratës së Albin Kurtit se negociatat për të arritur një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re dështuan për shkak të postit të Presidentit. Mustafa nuk tërhiqet nga kushtet, se LDK-së i takon kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë. Ai thotë se negociatat nuk kanë dështuar dhe se është gati që të ulet me Vetëvendosjen, por pa hequr dorë nga kushtet. Ofertë e Vetëvendosjes se nëse do postin e Presidentit, LDK-ja të heqë dorë nga posti i ministrit të Brendshëm, Mustafa e cilëson si jo parim, por tentim për të përfituar më shumë. "VV i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord. Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar. Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t'ia hedhur fajin LDK-së. Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shume, dhe pothuajse aq ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive. Vetëvendosje, përpara se t'ua drejtohet qytetarëve, është dashur të na i thonë neve të LDK-së, meqë na konsiderojnë partnerë. Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë" tha ai.

Deklarata e plote e Isa Mustafes
Qytetarët e Kosovës, më 6 tetor, përmes votës të tyre, na kanë dhënë besimin për të ndryshuar gjërat për të mirë.
LDK-ja dhe unë, pavarësisht arsyeve të shumta që lidhen me raportet tona me VV-në në të kaluarën, jemi ulur në tryezë dhe kemi negociuar.
Në këtë proces, jemi kujdesur dhe kemi arritur ta imponojmë njohjen e proceseve dhe të atributeve të Kosovës shtet i pavarur e sovran, përcaktimin e saj strategjik euro-atlantik, përfshirë edhe modelin e ekonomisë sociale të tregut, si përcaktim strategjik dhe zhvillimor të Kosovës.
Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord.
Të tillë e kam parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të Vetëvendosjes, z.Albin Kurti.
Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar.
Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t'ia hedhur fajin LDK-së.
Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shume, dhe pothuajse aq ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Mandatin në 6 tetor, për një deputet më shumë se LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje, e ka marrë për ta larguar PAN-in e jo për ta sfiduar LDK-në.
LDK-ja dhe unë do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë ndryshimin e kërkuar nga qytetarët e Kosovës më 6 tetor. Natyrisht, jo duke shpërfillur përpjekjet për ta lënë LDK-në fajtore për ambiciet përtej legjitimitetit qytetar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Video-mesazhin e sotëm, Albin Kurti dhe Vetëvendosje, përpara se t'ua drejtonin qytetarëve, është dashur të na i thonë neve të LDK-së, meqë na konsiderojnë partnerë.
Gjithsesi, mesazhin e kemi të qartë edhe ne në LDK, por besoj edhe qytetarët e Kosovës.
Ndryshe nga deklarimet e tyre publike, Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë.
Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t'ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë.
Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore.
Vetëvendosja ka filluar ta kuptoj këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t'i definojmë të gjitha aspektet.
E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë te parit, ashtu si dhe përgjegjësi për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja.
Ne jemi gati për negociata.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot