Deti dhe ligji i luftës, basti i madh i Ramës jashtë e brenda Shqipërisë

Deti dhe ligji i luftës, basti i madh i Ramës jashtë e brenda Shqipërisë

Mjaftuan vetëm pesë minuta të konferencës së shtypit të Edi Ramës me Ministrin e Jashtëm grek Dendias, që të sfumonin zhurmën dhe protestën e disa dhjetëra shqiptarëve pasardhës të Çamërisë këtë të martë gjithë diell.

Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord të zgjidhin dy pikat më të nxehta të marrëdhënieve të tyre të kohëve të fundit dhe të së shkuarës së shekullit të kaluar.

Edi Rama mori në Tiranë atë që kishte deklaruar pak muaj më parë edhe në Athinë: Për marrëveshjen e detit të vendosë një gjykatë ndërkombëtare.

Dhe ajo që Dendias dhe Rama deklaruan ishte se marrëveshja e shumëdiskutuar e detit që ka prodhuar “tradhëtarë” dhe “atdhetarë”, çdo muaj dhe çdo vit këtë dekadën e fundit, në të dy anët e kufirit, por më shumë në Shqipëri, do të vendoset në Hagë.

Përse në gjykatë? Ka një histori mes dy vende që nis me diskutimin e ujërave ndërkombëtare që në incidentin e Korfuzit dhe që vazhdoi për dekada.

Në 2009, qeveria shqiptare dhe ajo greke vendosën të firmosnin një marrëveshje për ndarjen e ujërave, marrëveshje që prodhoi një debat në Shqipëri dhe çoi në rrëzimin e saj nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.

Në 2013 dy vendet vendosën të rinisnin negociatat për detin dhe gati-gati arritën një marrëveshje tjetër, mes skepticizmit të segmenteve të politikës dhe opinionit publik në të dy anët e kufirit. Ndryshimi i qeverisë në Greqi i stopoi negociatat, ku e djathta greke erdhi në pushtet edhe me premtimin se nuk do të njihte asnjë marrëveshje tjetër jashtë kornizës së marrëveshjes së 2009-s.

Në këto kushte, kur njëra palë kishte pretendime që në Shqipëri cënonin në diskursin publik dhe politik integritetin territorial të vendit, një gjykatë ndërkombëtare, mund të jetë një zgjidhje që t’i japë juridikisht fund debatit.

Juridikisht, sepse patjetër që vendimi do të cenojë deri diku si njërën apo tjetrën palë dhe do të vazhdojë të prodhojë polemika.

Çfarë mund të ketë ndodhur që palët ranë kaq shpejt dakord për këtë? Qeveria shqiptare ndoshta ndjehet e lodhur nga një debat që ka zgjatur mbi një dekadë dhe nuk gjen zgjidhje në bisedimet mes palëve, sidomos me trysninë që ndjeshmëria e kësaj çështjeje ka marrë pas 2009-s.

Bisedimet “mur kundër murit” mund të mos kenë lënë shumë hapësirë për optimizëm se mund të gjendet edhe një zgjidhje e pranueshme, më shumë në Shqipëri se në Greqi.

Ndërsa Athina tani ndodhet përballë zjarrit me Turqinë dhe një zgjidhje me Gjykatë e problemit të ujërave me Shqipërinë do të shërbente si një precedent ndërkombëtar për problemin greko-turk që po çon buzë luftës dy vendet anëtare të NATO-s.

Për këto arsye të hamendësuara dhe të tjera që ndoshta nuk do t’i mësojmë tani herët, kjo zgjidhje mesa duket u ka shkuar përshtat të dyja palëve. A mund të hapë probleme me “vëllain” turk ky vendim i Shqipërisë? Edhe kjo mbetet për t’u parë.

Ajo që dihet është se në mes të incidenteve greko-turke në Detin Egje, Edi Rama ishte në rezidencën verore të Presidentit turk Erdogan, e dy ditë më pas për darkë në Athinë me Micotaqisin, ku foli për herë të parë për idenë e gjykatës për zgjidhjen e problemit të detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Nëse diskutimi për një zgjidhje për detin në një farë mënyre ishte diçka që mund të pritej, ndoshta jo në këtë dakordësi 100 përqind, ajo që nuk pritej ishte deklarata për marrëzinë 80-vjeçare, ligjin e luftës me Shqipërinë, që Greqia kashpallur prej vitit të largët 1940 dhe që këtë vit të shekullit të ri mbush 80 vjet.

Për një luftë që Greqia nuk e kishte as me Shqipërinë, por me Italinë fashiste të Duçes.Vendimi për të punuar për heqjen e ligjit të luftës është një kthesë e fortë në marrëdhëniet mes të dy vendeve dhe hap skenarë të rinj, më shumë në Greqi se sa në Shqipëri.

Në Shqipëri në fakt heqja e ligjit të luftës mbyll shumë debate, polemika dhe akuza, ndërsa matanë kufirit hap një çështje që deri sot ka qenë tabu: pronat e popullsisë çame të shpërngulur me forcë dhe rikthimin e qytetarëve shqiptarë me prejardhje nga Çamëria në vendin e të parëve të tyre.

Si dhe sa do të realizohet kjo mbetet për t’u parë kur heqja e ligjit të luftës të jetë realitet. Nuk është hera e parë që flitet për ligjin e luftës me Greqinë në takimet dypalëshe të këtij niveli, por jo si këtë herë.

Një ndjesi se diçka mund të ndodhte sot, vëzhguesit dhe njohësit e gjuhës së simboleve të kryeministrit shqiptar, mund ta kishin parashikuar që nga momenti i parë i daljes së tij krah mikut grek nga Athina.

Rama është i njohur për ekstravagancën e shfaqjeve të tij publike, edhe kur nuk hap asnjë sekondë gojën. Sidomos në momente kyçe apo kritike, në takime publike me kundërshtarë brenda vendit apo ndërkombëtarë në Tiranë e jashtë kryeqytetit.

Shfaqja e tij me kollaren me shqiponjë, një tjetër gjetje e fasadës publike të kryeministrit, nëse nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi, do të ishte marrë si provokim nga Greqia dhe si akt trimërie nga patriotët e turbo-nacionalizmit shqiptar, ku edhe Rama ka kënduar herëpashere kur ka pasur nevojë.

Por në optikën e deklaratave për kapitullin e ri të marrëdhënieve me Greqinë, dritën jeshile për “detin” dhe heqjen e ligjit të luftës sidomos, kollarja e Ramës i ka grisur një copë të madhe retorikës me flamurin e patriotizmit Metës, dhe i ka dhënë një përgjigje nacionalizmit ekstrem të një pjese të opozitës.

Me lëvizjet e fundit, Rama i ka lënë sërish të gjithë pas, të habitur dhe me duar ne xhepa. Deri tani, sepse kujdesi me Greqinë si për ligjin e luftës dhe për marrëveshjen e detit, nuk është asnjëherë i tepërt.(SI)

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • BENI: 20/10/2020 19:26

    ASNJE BISEDE ME GREKET PER DETIN,,,ATA DUHET TE HEQIN GJENDJEN E LUFTES ME NE ..DHE TE PRANOJNE GJENOCIDIN NDAJ CAMEVE ,,,DHE TE KTHEJNE PRONAT DHE SHTEPITE QE U KANE MARRE CAMEVE,,,ASNJE BISEDIME ME GREKET...PASI TE KTHEJNE PRONAT E CAMEVE DHE VETE CAMET NE CAMERI DHE TE KENE KERKUAR FALJE BOTERISHT ATEHERE MUND TE HYHET NE BISEDIME PER KUFIRIN...POR JO SI E DUAN ATA 12 MILJE POR VETEM 1 MILJE....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës