TIRANE - Pas një muaji në “arrest shtëpie” Gjykata e Lartë mori për të ndryshuar masën e sigurisë në detyrim paraqitje për Tom Doshin pas animimit të avokatëve të deputetit të përjashtuar nga Partia Socialiste.
 
I pakënaqur! Ky ishte qëndrimi që Doshi shprehu përballë gazetarëve që prisnin me interes daljen e tij nga ambientet e Gjykatës së Lartë pas një seance që zgjati përreth 1 orë e gjysmë. Ai foli për presion të kryeprokurorit Llalla, kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta ndaj Gjykatës, presion i cili sipas tij bëri që mos të fitonte lirinë.
 
“Unë jam i pakënaqur me vendimin, atë të parin edhe këtë që u mor sot. Asnjë prej akuzave ndaj meje nuk ekziston. Pavarësisht se kryeprokurori, kryeministri, kryetari i parlamentit po bëjnë presion që unë të mos dilja i lirë. Nuk kishin cfarë të bënin, ishin në hall...edhe prokurori”, u shpreh Doshi.
 
Doshi i qëndroi versionin të deklaruar më herët në media, se akuzat ndaj tij se ka inskenuar atentatin nuk qëndrojnë, pasi sipas tij plani për ta vrarë së bashku me kolegun demokrat Mhill Fufi, ka ekzistuar. “I qëndroj deklaratave të mia dhe do të vazhdoj deri në fund sa të zbardhet kjo çështje”, tha Doshi.
 
Me vendimin e Gjykatës së Lartë për tu paraqitur çdo të hënë në orën 10:00 në prokurori, Doshi mund t’i rikthehet jetës parlamentare, por duket se diçka e tillë nuk do të jetë e afërt. Kjo pasi deputeti i Shkodrës u shpreh se nuk do të bëhet pjesë e seancës parlamentare të së enjtes. Ai tha se do t’i bashkohet Kuvendit vetëm pasi prokuroria të ketë zyrtarizuar akuzat. “Atëherë, - tha Doshi, - do të bëj një diskutim të gjatë në Kuvend që të gjithë të mësojnë të vërtetën".
 
Tom Doshi hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama, kur tha se “po shijon pushtetin nuk i interesojnë zërat lokalë. Rama ka braktisur gjithë socialistët dhe po i shërben vetëm Ilir Metës dhe LSI-së".

 
Deputeti socialist Tom Doshi ndodhej në “arrest shtëpie” që prej datës 29 mars nen akuzat për “kallzim te rreme”, “deklarata te rreme para prokurorit”, “kanosje per deklarime a deshmi, ekspertim ose perkthim te rreme”. Deputeti Doshi akuzohet nga prokuroria se në bashkëpunim me Mark Frrokun dhe Durim Bamin inskenoi atentatit e pretenduar nga vetë Doshi për eliminimin e tij, ndërsa hetimet nga Prokuroria e Përgjithshme për këto akuza pritet të mbyllen këtë javë dhe të komunikohen akuzat ndaj dy deputetëve.
 
Gjykata e Lartë në 1 muaj dy vendime të ndryshme
5 gjyqtarët e Kolegjit Penal në Gjykatën e Lartë ndryshojnë mëndje dhe një muaj pas arrestit në shtëpi si masë sigurie për deputetin Tom Doshi vendosin “detyrim paraqitje”, duke revokuar vendimin e dhënë prej vetë atyre.

Më 28 mars 5 gjyqtarët Guxim Zenelaj Aleksandër Muskaj, Majlinda Andrea, Artan Zeneli dhe Admir Thanza vendosën “arrest shtëpie” ndërsa këtë të martë më 28 prill e ndryshuan në detyrim paraqitje kjo e pasqyruar dhe në këtë kopje të vendimit të siguruar nga A1Report.

Avokati i Doshit: Vendimi pas presionit politik, do vazhdojmë luftën në Kushtetuese
I pari që doli nga ambientet e Gjykatës për të dhënë edhe deklaratën e parë për mediat pas vendimit të Kolegjit Penal, ishte avokati Valdimit Meçi, i cili tha se Gjykata e Lartë vendosi nën presionin e politikës. “Kjo do të thotë se jemi të detyruar të vazhdojmë luftën tonë deri në fitore”, tha Meçi, duke paralajmëruar kështu se nuk do të tërhiqen nga kërkesa që kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë (edhe pse kërkesa ishte bërë kur Doshi ishte në “arrest shtëpie”) dhe po ashtu as nga kërkesa për të shfuqizuar vendimin e Kuvendit që i hoqi imunitetin.