Borxhi publik i Shqipërisë arriti në 1.088 miliardë lekë (1.08 trilion) në fund të vitit 2017, sa 69.92% e Produktit të Brendshëm Bruto. Borxhi publik thuajse është dyfishuar në vlerë gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2007 borxhi publik shënonte 517 miliardë lekë. Për të njëjtën periudhë, borxhi publik i Shqipërisë është rritur edhe si raport ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 53.5 për qind e PBB, që ishte në vitin 2007, në 69.92 për qind në fund të 2017-ës. Open Data Albania ka përditësuar të dhënat për stokun e borxhit publik të Shqipërisë. Stoku i borxhit të një vendi është totali i borxhit publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit dhe që ende nuk është shlyer. Borxhi publik mund të emetohet brenda vendit dhe mbahet nga rezidentë (borxhi i brendshëm), ose jashtë vendit dhe mbahet nga jorezidentë (borxh i jashtëm). Të dhënat janë marrë nga Ministria e Financave.
Interesant është dhe ndryshimi i strukturës së borxhit të shtetit shqiptar gjatë viteve. Të dhënat janë kumulative, pra stoku i borxhit të një viti përfshin totalin e borxhit të emetuar deri në atë vit. Stoku i Borxhit Publik të Brendshëm për vitin 2017 është 577 miliardë lekë ose rreth 2.8% më shumë se në vitin 2016, ndërkohë Stoku i Borxhit Publik të Jashtëm është 510.2 miliardë lekë. Borxhi i jashtëm publik është rritur me 1.1 % krahasuar me një vit më parë. Por nëse raportohet për të gjithë periudhën, borxhi i brendshëm dhe i jashtëm kanë një ecuri të ndryshme. Në raport me Prodhimin Kombëtar, borxhi i brendshëm në fund të vitit 2017 ishte më 1.17 pikë përqindje më i ulët se në vitin 2007. Kjo do të thotë se e gjithë rritja e borxhit publik në 10 vitet e fundit ka ardhur nga huamarrja e jashtme.
Niveli i borxhit të jashtëm publik është rritur me ritme të shpejta. Krahasuar me vitin 2007, stoku i borxhit të jashtëm është rritur me 3.45 herë në vlerë, ndërsa në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ai është dyfishuar, nga 15.28 për qind që ishte në 32.81 për qind. Megjithatë rekordi i borxhit të jashtëm në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është shënuar në vitin 2015, kur ky tregues arriti në 34.38 për qind si pasojë e emetimit të eurobondit, por edhe marrjes së 700 milionë eurove kredi nga FMN dhe Banka Botërore në formën e mbështetjes buxhetore. Por pas vitit 2015, ashtu si stoku total i borxhit publik, edhe borxhi i jashtëm ka filluar të ulet si pasojë e politikës konsoliduese dhe angazhimeve të qeverisë për stabilizuar financat publike.
Rajoni
Deri dy vite më parë, Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi kryesonin në rajon për nivelin e lartë të borxhit publik, që e kalonte nivelin e 70% të asaj që prodhon ekonomia në një vit. Ky nivel konsiderohet i paqëndrueshëm për vendet në zhvillim dhe me konkurrueshmëri të ulët, pasi aftësia paguese e borxhit mbetet e ulët. Për këtë arsye institucionet ndërkombëtare ndërkombëtare rekomandojnë që për vendet në zhvillim borxhi të mbahet në nivelet e 40-50% të PBB-së. Ndryshe nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë arritur ta ulin ndjeshëm këtë tregues në të njëjtën periudhë, duke e zbritur atë në 59% të PBB-së në tremujorin e parë, pra 10 pikë përqindje më pak sesa tek ne. Nga fqinjët, Serbia, brenda vitit 2017 e uli borxhin publik në 61.5% nga 71.3% të PBB që ishte më 2016. Serbia ishte vendi me nivelin më të lartë të borxhit publik në Rajon, por tani këtë renditje e kryeson Shqipëria.
Ministria e Financave e Serbisë ka argumentuar se raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB ra me afërsisht 10 pikë përqindje të PBB-së në vitin 2017. Më shumë se gjysma e kësaj rënieje ishte për shkak të vlerësimit të dinarit kundrejt euros dhe dollarit amerikan. Ndërsa performanca e fortë fiskale, e cila e çoi suficitin primar në gati 4% e PBB-së, ishte faktori i dytë i rëndësishëm për reduktimin e fortë të borxhit vitin e kaluar. Gjithashtu qeveria e Serbisë ka argumentuar se efektet e reduktimit të borxhit erdhën nga rritja ekonomike (3.5% më 2017) e ndihmuar nga inflacioni i ulët. Interesat e ulëta të borxhit dhe gjithashtu balanca primare pritet ta ulë borxhin e Serbisë edhe në dy vitet në vijim duke e çuar atë në fund të vitit 2019 në 55% të PBB-së.