Deutsche Welle: Merkeli më e preferuar se Macroni për të drejtuar Evropën

Deutsche Welle: Merkeli më e preferuar se Macroni për të drejtuar Evropën

Angela Merkel dhe Macron

Kandidatët për kancelarë në zgjedhjet parlamentare këtë vit në Gjermani mund të ëndërrojnë për kuotat e mbështetjes të kancelares Merkel. Në fund të 16 vjetëve qeverisje Angela Merkel merr vlerësime maksimale jo vetëm në Gjermani, por në shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian.

Në 12 shtete të BE kancelarja Merkel vlerësohet si personalitet drejtues, që ruajti unitetin e BE dhe përballoi me sukses kriza të ndryshme. Është konkludim i një studimi të gjerë, të bazuar në sondazhe, të Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR), qendër kërkimore e Brukselit. Në të konstatohet se”Angela Merkeli mishëron një Gjermani të fortë dhe stabile. Dhe është pozicionuar si spirancë e Evropës, në më shumë se një dekadë krizash.”

Dihet se në katër mandatet e Merkelit si kancelare ka pasur disa kriza të mëdha. Kujtojmë krizën e eurozonës në 2008/2009; krizën e refugjatëve në 2015-ën; referendumin e Brexitit në 2016 dhe pandeminë e Covid-it, dy vitet e fundit. Merkeli çmohet veçanërisht për aftësinë e saj për kompromis dhe për të krijuar konsensus.

Pa Merkelin, në botë do të kishte pasur më shumë konflikt, konkludojnë p.sh. 33 përqind e spanjollëve, 30% e holandezëve dhe 28% e portugezëve.

Më mirë Merkeli apo Macroni për të drejtuar Evropën?

Midis Merkelit dhe Macronit, qytetarët evropianë preferojnë qartë Merkelin. Merkelin e përfytyrojnë p.sh. për postin e një presidenteje të Evropës (post hipotetik), 41% e të anketuarve në Evropë, përballë 14 përqind, që preferojnë presidentin e Francës, Emanuel Macron. Autorët e studimit shpjegojnë se “me stilin e saj teknokratik të drejtimit ajo zgjon më shumë besim, se Macroni me fjalimet e tij vizionare”.

Si lidere të Evropës Merkelin e preferojnë madje edhe 32% e francezëve, në një kohë që presidentin e tyre e shohin në këtë rol vetëm 20% e francezëve. Për Merkelin si lidere të Evropës janë edhe 42 përqind e gjermanëve, që i japin 15% Macronit. Në sondazh morën pjesë 16.247 evropianë.

Gjermania ka përfituar nga imazhi pozitiv i Merkelit

Qeverisja e Merkelit rezulton se i ka qetësuar frikërat në Evropë nga një Gjermani shumë e fortë. Merkeli e ka pozicionuar Gjermaninë si një fuqi bashkuese. Kjo mbështetet nga fakti që Gjermaninë e vlerësojnë jo vetëm qytetarët e shteteve që e duan politikën financiare të kursimeve, por edhe shtetet në jug, kritike ndaj kësaj politike. Simpati në vendet kritike ndaj Gjermanisë, Merkeli siguroi sidomos me dakordimin historik për të hyrë në borxhe të përbashkëta i gjithë BE, që të financohet programi i rindërtimit prej 750 miliardë eurosh të ekonomive nga Covid-19.

Shumica e qytetarëve, si në veri, ashtu edhe në jug të Evropës, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim thanë më tej se kanë besim që interesat e tyre t’i përfaqësojë në shumë fusha Gjermania. Lidershipin ekonomik gjerman e mbështesin edhe 45% e spanjollëve në jug të Evropës dhe 50% e hungarezëve në lindje. Gjermaninë e shohin si lidere, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, 35% e evropianëve.

Por në pikëpamje gjeopolitike, si përfaqësuese të evropianëve p.sh. përballë SHBA apo Kinës, Gjermaninë e përfytyrojnë më pak evropianë: nga 22 deri 20 përqind. Për të avancuar në këtë drejtim, sipas studimit, Gjermania duhet të ecë në rrugë krejt të reja. Por një fillim radikal të ri nuk e premton asnjëri nga kandidatët aktualë për kancelarë të Gjermanisë. Një fillim radikal të ri nuk e kërkojnë aktualisht as shumica e gjermanëve./DW

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë