Dhe 3 ditë fushatë, intensifikohen takimet! Sako në Spitallë: Brenda vitit futen familjet e para në 1 mijë apartamentet e rindërtuara! Boçi: 14 maji, shansi i fundit për Elbasanin

Dhe 3 ditë kanë mbetur nga fushata zgjedhore dhe kandidatët kanë intensifikuar takimet me qytetarët me qëllim prezantimin e programeve të tyre elektorale, për t’i bindur qytetarët që t’u japin votën në 14 maj. Kandidatja socialiste Emirjana Sako kërkoi votën e durrsakëve me qëllim përmbylljen e projekteve madhore në qytetin bregdetar.

Pashk Gjoni i cili kërkon të fitojë bashkinë e Lezhës akuzoi kreun aktual Pjerin Ndreu se po përpiqet të tjetërsojë votat. Admir Sinamati gjatë takimit elektoral me qytetarë të Kukësit, akuzoi Safet Gjicin se po blen vota. Bardh Spahia kërkoi votën e shkodranëve më 14 maj duke shpalosur planin 4-vjeçar, sipas tij të hartuar nga ekspertë të fushave të ndryshme.

Kandidati socialist Sotiraq Filo prezantoi projektin “Poli i Jugut” në një takim ku merrte pjesë Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca. I shoqëruar nga deputeti Saimir Korreshi, kandidati për bashkinë e Lushnjës Eduart Sharka u premtoi banorëve zgjidhje për problemet në sektorin e bujqësisë. Kandidati socialist Josif Gorrea shpalosi planin e tij për bujqësinë gjatë takimit me banorët e Terbufit.

Zotimi i radhës i kandidatit të koalicionit Meta-Berisha, Evdar kodheli, për Fierin u fokusua në fushën e sportit dhe mirëqënies sociale. Nga Malësia e Madhe, Isa Ramaj, i koalicionit Meta-Berisha, akuzoi maxhorancën për keqpërdorim të pushtetit ndërsa premtoi zhvillim të ekonomisë së vendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:31
Gjiknuri dhe Llatja takim në Rajonin 2: PS është garancia për zhvillimin e Elbasanit! Opozita po përgatit alibinë për humbjen e rradhës

 

“Kush do zhvillimin dhe progresin e Elbasanit, voto Gledian Llatja dhe PS”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri në një takim me banorët e Rajonit Nr.2 në Elbasan.  Numri dy i socialistëve nënvizoi se Gledian Llatja ka gjithë mbështetjen e qeverisë për të çuar përpara investimet.

“Gledi është kandidat i mbështetur nga qeveria e Edi Ramës dhe nga vetë personalisht Edi Rama. Në 14 maj duhet ta ‘çimentojmë’ këtë marrëdhënie që Partia Socialiste duhet të drejtojë bashkinë e Elbasanit dhe mbrapa do të kemi mbështetjen e Edi Ramës. Kjo është garancia e zhvillimit, çdo gjë tjetër janë llafe. Pse? Sepse me mundësitë dhe ekonominë e Bashkisë së Elbasanit ai do të dijë t’i drejtojë aty ku është dhe më e nevojshme, ndriçim publik, fusha sporti për fëmijët, riparime nëpër fshatra, nëpër zonat më periferike. Kurse qeveria do të marrë përsipër ujësjellës – kanalizime, rrugët kryesore, do të marrë përsipër rehabilitimin e lagjes së Kalasë, do të marrë përsipër shëtitoren e Elbasanit. Janë të gjitha këto që kanë një garanci dhe kanë garancinë e Partisë Socialiste dhe të qeverisë së Edi Ramës”, tha Gjiknuri. 

Drejtuesi politik I qarkut u shpreh se vota më 14 maj është dhe një mbështetje për politikat e qeverisë për rritjen e pagave dhe të pensioneve.

“Kush do zhvillimin e qytetit një Elbasan më të mirë me progres më të mirë ekonomik ka vetëm një destinacion, faqja e parë Gledian Llatja, faqja e dytë Partia Socialiste, Edi Rama. Kush do politikën e rritjes së rrogave që të vazhdojë, tek ekrani, se e keni votim elektronik, gishtin tek fotografia e Gledian Llatjas, pastaj në faqen e dytë tek Partia Socialiste. Kush do rritjen e pensioneve, në 14 maj Gledian Llatja dhe Partia Socialiste. Kush do që qeverinë e Edi Ramës ta keni gjithmonë me vete për ndryshimin e Elbasanit, votën Gledian Llatja dhe Partia Socialiste”, tha ai. 

Duke u ndalur tek alternativa përballë, Gjiknuri deklaroi se opozita kërkon marrjen e bashkive për t’I bunkerizuar.

“Në Tiranë ne kemi atë ‘martesën’ e re Berisha – Meta. Në fakt nuk është dyshe e re është dyshe e ricikluar njësoj si ky kandidati që ka qenë njëherë kandidat dhe prapë do të mbetet kandidat. Në vetëvete ai është zv.kryetar i Saliut, atë titull ka ai. Të parit i ka vënë vizën bota, i kanë vënë vizën shqiptarët dhe ne do ti japim vlerë në Elbasan se ai thotë unë jam kandidat juaj dhe nuk jam i asaj partie? Sikur larg qoftë, sikur Bashkia e Elbasanit të përfundonte në duar të gabuara çfarë do të ndodhte?! Bunkerizim, shkëputje e marrëdhëniesh me qeverinë”, u shpreh Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve deklaroi se opozita është e vetëdijshme për rezultatin humbës në zgjedhjet e së dielës dhe sipas tij po pwrgatisin alibinw pwr humbjen qw e pret nw 14 maj.

“Po mundohen të krijojnë alibinë e humbjes. Sondazhet i nxjerrin humbës, vota e njerëzve dhe shpirti i qytetarëve lexohet shumë pastër që vota është për Gledin dhe Partinë Socialiste. Prandaj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por njëkohësisht ne do ti japim përgjigjen e merituar që Elbasani është i pastër dhe i bukur siç e ka emrin dhe shpirtin dhe ne do të bëjmë fitoren më qytetare që ka parë ndonjëherë ky qytet. Për të shmangur njëherë e përgjithmonë stigmën e së keqes që kanë dashur ta mveshin çdo herë këtij qyteti”, nënvizoi Gjiknuri.

Kreu i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja bëri një panoramë të investimeve të shumta që janë bërë në këtë mandat, duke filluar nga rrugët tek infrastruktura arsimore. 

“Para 4 vitesh nisëm një rrugëtim bashkë, kemi bërë punë të mira këtë 4 - vjecar bashkë, kemi bërë punë të mira për Elbasanin, e kemi zhvilluar infrastrukturën e qytetit, kemi rehabilituar dhe ndërtuar rrugë, shkolla, kopështe, cerdhe. Kemi ndërhyrë në cdo rrugë, në çdo lagje, në çdo rrugicë, po përmirësojmë zonat informale, po e zhvillojmë Elbasanin. Ne dijmë të bëjmë punë, kjo është Partia Socialiste, këto jemi ne. Kemi investuar në ujësjellës, në kanalizimet e ujrave të zeza, kemi investuar në rrugë, kemi rehabilituar rrugët kryesore, por edhe kemi shtruar rrugët e lagjeve. Po investojmë për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë. 6 -shkolla të reja kemi bërë në këtë mandat me kaq shumë sfida, do të vazhdojmë edhe mandatin tjetër. Do të vazhdojmë edhe mandatin tjetër me 27 -shkolla të restauruara”, tha ai.

Gledian Llatja kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Elbasanit për të vijuar me projektet dhe investimet e nisura të cilat do t'i japin zhvillim të madh ekonomik qytetit. 

“ Ne po përgatitemi për një sërë investimesh në këtë 4- vjecar.Ne po përgatitemi për një zhvillim të madh ekonomik të qytetit tonë. Ju këtu jeni të gjithë dëshmitarë të një zhvillimi buzë lumit Shkumbin, Auto Moto Parku i Elbasanit, shëtitorja buzë lumit Shkumbin, një investim i madh fantastik i qeverisë shqiptare. Ne dimë të bëjmë vetëm të mira në Elbasan, ata të tjerët dinë llafet. Le të vazhdojmë në 14 Maj të jemi të gjithë bashkë, për të vazhduar punët e mira për Elbasanin, për të vazhduar mbështetjen për sportin, mbështetjen për rininë, për infrastrukturën, për zhvillimin ekonomik, për turizmin. Të jemi të gjithë bashkë për Elbasanin që duam, të ecim vetëm përpara”, nënvizoi kryebashkiaku Llatja

Ora 17:08
Roland Bejko takim me banorët e Laprakës: Do ndërtojmë fusha sportive në çdo lagje, do jenë falas

1683731440_bejko.jpg

Kandidati i Partisë Demokratike, Roland Bejko, në ditët e fundit të fushatës, zhvilloi një takim me qytetarët në zonën e Laprakës. Teksa dëgjoi shqetësimet e tyre, Bejko u premtoi atyre ndërtimin e më shumë hapësirave sportive, një problem jo vetëm në Laprakë, por në të gjithë kryeqytetin. Ai shtoi se këto hapësira do të jenë falas.

Kandidati demokrat tha se fushat publike do të jenë falas për të gjithë qytetarët dhe jo me pagesë siç janë deri më tani. Po ashtu, Bejko tha se do të angazhohet edhe për ndërtimin e qendrave rekrative, të cilat do të jenë falas për personat që s’kanë mundësi t’i aksesojnë.

“Shoh këtu që janë disa fusha për fëmijët që luajnë. Nëpër Tiranë fusha të tilla minikalceto, volejbolli e basketbolli janë zhdukur. Ashtu si janë zhdukur komplekset sportive, ose anekset sportive të stadiumeve të cilat i kanë kthyer pallate, siç ka qenë aneksi i stadiumit te Qemal Stafa, ose aneksi i stadiumit tek ish-stadiumi Dinamo. Ose siç kemi një fusha futbolli këtu në Laprakë, u diskutua të jepej për shesh ndërtimi, po tani është një fushë futbolli por me pagesë kundrejt rezidentëve që anë në lagje Nëse unë do jem kryetar i bashkisë tiranë, rezidentët e lagjes Laprakë nuk do të hyjnë të luajnë në këtë fushë me pagesë, do ta kenë falas. Është fusha e tyre, kanë paguar për vite me radhë infrastrukturën shkollore dhe sportive. Gjithnjë e më pak mungojnë terrene sportive, për të mos fol pastaj për qendra rekreative, që do të thotë të ketë pishina publike, të ketë salla sporti. Këto mungojnë, ndërsa ne do ti ndërtojmë këto salla, ku të ketë pishina verore e dimërore te mbuluara, aty të ketë palestra publike dhe njëkohësisht qytetarët që nuk i kanë kushtet të ushtrojnë sporte t ë ndryshme do subvencionohen nga bashkia dhe do të marrin një biletë falas për tu futur në këto mjedise”, u shpreh Bejko.

Bejko tha se do të heqin taksën e infrastrukturës shkollore, si edhe do ulin me 50% taksat vendore. Po ashtu, taksa e ndërtimit do ulet nga 12% në 5%.

“Ne do të heqim taksën e infrastrukturës shkollore dhe sportive. Me 190 mln euro që e ka bashkia buxhetin tani, taksa për infrastrukturën shkollore dhe sportive zë vetëm 7 mln euro, ndërkohë që bashkia 10 mln euro në vit për inceneratorët që nuk punojnë. Nga ana tjetër ne kemi propozuar uljen e taksave me 50%. Qeveria thotë jo do i ulni deri në 30% se ashtu e vendos qeveria, në fakt në bazë të autonomisë vendore e drejta i takon këshillit të bashkisë që të përcaktojë hapësirën sa do ta ulë taksën dhe sa do ta ngrejë. Kështu që ne do të negociojmë me qeverinë që ta n japë punësinë që ti ulim me 50%. Ne do ta ulim taksën e ndërtimit nga 12% në 5%, ndërsa 3% do ta marrim, që bashkia e ka detyrim ta marrë për banesa sociale. Do ta marrim një pjesë në para, një pjesë në objekt, me qëllim që nënave kryefamiljare t’iu japim mundësi të strehohen në banesat sociale. Tua bëjmë jetën për rritjen e fëmijëve më të lehtë”, tha Bejko.

Bejko tha se nëse do të zgjidhet kryebashkiak ka në plan të ndajë Tiranën në 5 zona policentrike, gjë që sipas tij do të sjellë lehtësimin e trafikut.

“Ne mendojmë që Tiranën ta bëjmë policentrike dhe ta ndajmë në 5 zona. Do jetë zona universitare, zona spitalore, zona e banesave të larta, kullave që mendojmë të shtrihet në fund të bulevardit të ri dhe do të jetë edhe zona industriale dhe zonat sportive. Me qëllim që ta orientojmë Tiranën drejt poleve të caktuara. Kjo do na përmirësojë edhe trafikun në tiranë dhe do bëjë të mundur që secili nga ne ta dijë se ku duhet të kërkojë çfarë”, vijoi Bejko.

Ora 14:07
Kandidati i PS në Korçë prezanton projektin e Polit të Jugut: Do kontribuojë në zhvillimin bujqësor dhe blegtoral

 

Në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, u prezantua projekti i Polit të jugut në Korçë, në një takim ku merrte pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, si edhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca.

Për kryebashkiakun Sotiraq Filo, ky mega projekt përmban në vetvete disa projekte që do të jenë në shërbim të gjithë komunitetit dhe mbi të gjitha të fermerëve të zonës.

“Poli i Jugut është një projekt që synon të  japë kontribut në zhvillimin e sektorëve prioritarë të rajonit, duke filluar me zhvillimin bujqësor dhe blegtoral.

Është bërë një punë e jashtëzakonshme me projekte madhore në ndihmë të bujqësisë. Sfida jonë e radhës është sesi t’i bëjmë fermerët të marrin maksimumin nga puna e tyre.

Ky mega projekt ka disa projekte që fillojnë me ndërtimin e qendrës së inovacionit për bujqësinë dhe blegtorinë, si edhe ndërtimin e një ferme të madhe për mollët. Pjesë e këtij investimi do të jetë edhe investimi në akademi të teknologjisë. Ndërtimi i qendrës më të madhe të eventeve dhe jetës së natës në shqipëri është edhe projekti i radhës, pjesë e mega projektit Poli i Jugut”, tha Sotiraq Filo.

Në fjalën e tij, drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, theksoi se ky investim strategjik pritet që ta çojë fermën por edhe ekonominë familjare të zonës në një tjetër nivel.

Niko Peleshi: “Për herë të parë në gjithë shqipërinë, 4 bashki bëhen bashkë, dhe investojnë në një projekt i cili do të sjellë në tjetër nivel fermerin e kësaj zone, ekonominë, qytetet dhe fshatrat tona. Me teknologjinë pranë duke shfrytëzuar projektet dhe të rejat e fundit, duke ndërtuar laboratore, qendra ekselence, që transferojnë teknologjinë tek fermeri ne mund t’i çojmë shpejt fermat tona në një nivel tjetër.

Ministrja Krifca, pasi mbështeti projektin e ideuar nga kryebashkiaku Filo për këtë zonë, tregoi se si ka ndikuar rritja e vëmendjes ndaj fermerit dhe pritshmëritë përmes këtyre investimeve sipas saj janë tejet të mëdha.

Frida Krifca: “Vij në Korçë pasi Korça është një qark i rëndësishëm bujqësor edhe për prodhimin edhe për dinamikën e përçimit të energjive. Ky projekt, që ju e keni quajtur Pol Rajonal, e ka mundësinë të trajtojë projekte të ushqimit të kafshëve për rritje rendimentesh dhe për krijimin e një ferme model, në një nivel tjetër në ndihmë të fermerit.”

Ora 14:00
Emirjana Sako takim me banorët në Spitallë: Brenda viti strehojmë familjet e para në 1 mijë apartamente të rindërtuara

 

Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako në takimin me banorët e Spitallës, fillimisht ka falënderuar socialistët e thjeshtë dhe të gjithë qytetarët e Durrësit, të cilët sipas saj kanë qenë mbështetje e madhe në rrugëtimin e saj 3-vjecar në krye të bashkisë.

Kryebashkiakja Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit, tha në takimin me banorët e Spitallës se puna në këtë zonë është përqendruar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ku nga 40  km rrugë gjithsej, 12 km janë bërë vetëm në Spitallë. Në këtë zonë është në përfundim edhe lagjja e re e Spitallës, ku 1 mijë apartamente do të shpërndahen brenda këtij viti për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti dhe familjet e pastreha.

Në zonën e Spitallës është mbyllur edhe kanali i ujërave të larta, ndërkohë që e gjithë sipërfaqja e tij përgjatë 2 kilometrave do të kthehet në një park urban me gjelbërim, pistë bicikletash dhe mjedise rekreative.

Ora 13:22
Kandidati Edvar Kodheli në të takim me qytetarët: Do ndërtojmë terrene sportive, do jenë falas

Ndërtimi i ambienteve shplodhëse dhe terreneve sportive falas në të gjitha njësitë administrative. Ky ka qenë zotimi i radhës së kandidatit të koalicionit Berisha-Meta, Evdar Kodheli në Fier, në takimin elektoral me banorët e fshatit Kreshpan.

Qytetarët i kanë kërkuar njëzëri kandidatit Kodheli të ketë në vëmendje të veçantë këtë zonë demokrate, duke thënë se kanë qenë jashtë vëmendjes së bashkisë aktuale.

Ndërkohë drejtuesi politik i qarkut, Luan Baci teksa u bëri thirrje edhe socialistëve të ndershëm që të mbështesin kandidaturën e Kodhelit, theksoi se në këto ditë të fundit të fushatës nuk duhet humbur asnjë minutë për të folur me qytetarët.

Ora 12:32
Ndreu: Stadiumi i ‘Besëlidhje’ do shembet, do ndërtohet diku tjetër

 

Lagjia "Besëlidhja" ishte ndalesa e radhës e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Lezhë Pjerin Ndreu. Gjatë takimi elektoral me banoret Ndreu tha se kjo zonë është shembulli më i gjallë i transferimit të Lezhës në këto 4-vite të drejtuar prej tij.

Kandidati Ndreu iu përgjigj dhe akuzave të opozitës për stadiumin, duke deklaruar se ai do shembet për t’i hapur rrugë një mjedisi kretiv, ndërsa komplekset sportive përfshirë dhe stadiumin e ri do të ndërtohen në periferi të qytetit.

Ora 12:21
Boçi në Shilbater: 14 maji, mundësia e fundit për Elbasanin të nisë një rrugëtim të ri

1683714093_boci1.jpg

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka takuar banorët e fshatit Shilbater. Ai tha se në 14 maj është mundësia e fundit për Elbasanin që të nisë një rrugëtim të ri.

“Shilbater, Një tjetër fshat i Elbasanit që do t’i prijë ndryshimit këtë të dielë. A kanë sot banorët kanale vaditëse? A kanë ata një treg të sigurt për produktet e tyre? A merr dikush subvencione? Në 14 maj është mundësia e fundit për Elbasanin që të nisë një rrugëtim të ri, i cili ka në thelb interesin dhe nevojat e qytetarëve në fshat dhe qytet, dhe jo të një grupi njerëzish që kanë përfituar në këto 16 vite. Në 14 maj, ju firmosni ndryshimin”, shkruan Boçi.

Ora 11:45
Korreshi fushatë për kandidatin e “Bashkë Fitojmë”: 14 maj dita e reflektimit

 

Kandidati i Koalicionit “Bashke Fitojmë”, Eduart Sharka ka vijuar takimet me qytetarët. 

Me banorët Fiersheganit Eduart Sharka i shoqëruar edhe nga deputeti i PD-së Saimir Korreshi, foli e diskutoi problematikat që ka bujqësia sot.

“Ne jemi këtu përpara jush, jo për të bërë propagandë, por për të premtuar ndryshimin ne Fiershegan 14 maji është dita e reflektimit qytetar dhe e ndryshimit të jetës për çdo banor, ndaj duhet te kemi njeriun e punës Eduart Sharken për Bashkinë Lushnje”, tha Korreshi.

Ora 11:40
Kandidati i dyshes Berisha-Meta në Lezhë: Nuk ka forcë që do ta ndalë përmbysjen e këtij pushteti me 14 maj

1682802237_pashkgjoni.jpg

“Nuk ka forcë që do ta ndalë përmbysjen e këtij pushteti me 14 maj.” Kështu u shpreh kandidati i kualicionit Berisha-Meta për Bashkinë Lezhë, Pashk Gjoni gjatë një takimi elektoral me banoret e Zejmenit sipas të cilit pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve, vota e lirë do të triumfojë.

Teksa mori mbështetje masive nga banoret e Zejmenit, kandidati i opozitës për Bashkinë Lezhë Pashk Gjoni u shpreh i bindur tek vendosmeria e qytetareve për ndryshim në zgjedhjet vendore të 14-majit.

Ora 09:40
Sako me banorët e Durrësit të Ri: Vazhdojmë transformimin e zonës duke investuar te rrugët dytësore dhe rehabiltimin e kanaleve të hapura

“Pas investimeve që kemi bërë në rikonstruksionin e rrugëve kryesore, do të nisim punën për të gjitha rrugët dytësore së bashku me ndriçimin dhe gjelbërimin e tyre”. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit, në takimin e zhvilluar me banorë të Durrësit të Ri.

Kryebashkiakja Sako tha se: “janë 52 rrugë dytësore që janë evidentuar për t’u rikonstruktuar, ndërsa 8 rrugë të tjera që janë duke përfunduar, do të jenë me ndriçim dhe gjelbërim. Në këtë mënyrë ne po investojmë në të gjitha blloqet e banimit në këtë zonë, të shoqëruar me të gjithë elementët e duhur, siç janë sinjalistika, ndriçimi dhe gjelbërimi”. Sako shtoi se në zonën e Durrësit të Ri janë bërë shumë rrugë, si Shkumbini, Tepelena, Danubi, Shën Pjetri, Papa Klementi, Drenica etj. Ne së shpejti nisim punë edhe për rikonstruksionin e shkollës “Dom Nikoll Kaçorri” së bashku me palestrën e re dhe në 15 maj do të nisim pikërisht këtu punën për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar me të tjera investime të rëndësishme.”

Kryebashkiakja Sako shtoi se do të rehabilitohet shumë shpejt kanali i madh tek  rruga “Azem Hajdari” dhe “Vala e Detit”, zonë në të cilën bashkia po punon që edhe kanalizimet të jenë të ndara, veç ato të ujërave të shiut, dhe veç ato të ujërave të ndotura. Këto investime do të shoqërohen edhe me gjelbërimin e rrugëve dhe korsi të dedikuara për biçikleta. Edhe në zonën e Durrësit të ri janë evidentuar hapësirat publike që do të rehabilitohen në funksion të fëmijëve dhe moshës së tretë, ndërkohë që do të ketë investime edhe për terrenet sportive.

Në takimin me banorët e zonës, kryebashkiakja Emiriana Sako ka treguar edhe bisedën me një banor, i cili ka qenë i shqetësuar pas njoftimeve të opozitës se bashkia do të shembë shtëpitë e tyre. Sako tha se: “këto janë përpjekje sa dashakeqe, aq edhe injorante e një personi që nuk ka një vizion për Durrësin e Ri, e një personi që nuk ka asnjë plan apo projekt për t’iu thënë banorëve. Ai ka 6 muaj që di që është kandidat për bashkinë, por ska asnjë program, edhe juve ju quan banorë të Kënetës. Kjo është një gënjeshtër e radhës e tyre, se kemi 2-3 muaj që jemi mësuar me këto gënjështra. Unë po ju them se bashkia nuk ka asnjë plan për të prishur shtëpi, bashkia nuk shemb shtëpi, por punon për të ndërtuar rrugë, për të ndërtuar shkolla, kopshte, për të vendosur ndriçimin e rrugëve, pastrimin e qytetit etj. Ne jemi në anën e banorëve dhe do të jemi ndihmë për ju që këtu të përfundohet procesi i legalizimit të banesave dhe do të ndërhyjmë pranë qeverisë që ky proces të mbarojë sa më parë. Kjo nuk është një zonë e margjinalizuar, por një zonë që po zhvillohet. Plani rregullues i bashkisë nuk shemb ndërtime, por plani rregullues nuk lejon ndërtime mbi kanale apo kolektorë. E gjithë përpjekja e tyre është një gënjeshtër, prandaj në 15 maj ne do e fillojmë punën së pari në këtë zone me investime të shumta në rrugë, shkolla, ndriçim, hapësira të gjelbëra”.

B.K./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Trafik armësh nga Shkodra drejt Tiranës, lihet në burg ish-efektivja dhe 4 të rinjtë

Trafik armësh nga Shkodra drejt Tiranës, lihet në burg ish-efektivja dhe 4 të rinjtë