Prej saj do të dilnin çdo ditë intelektualët e kohës me botimet më të fundit nëpër duar, ardhur nga Italia, Franca, Rumania e gjetkë. Kështu “Argus” do të shndërrohej vit pas viti në një dritare që përhapte dritën e botimeve perëndimore, e ca vite më vonë edhe idetë e para komuniste.
Dhimitër Canco, një intelektual, aktivist shqiptar në Konstanca të Rumanisë për plot 10 vjet, një gazetar i spikatur i fundviteve’20- dhe i viteve ’30, e hapi librarinë “Argus”, duke e njohur mirë fuqinë e librit dhe kulturës që po depërtonte fuqishëm në Shqipërinë e asaj kohe. Në librarinë e tij do të vinin rregullisht botimet më të mira të shtëpive botuese italiane e franceze, mes tyre edhe e famshmja franceze “Hachette”.
Ende sot në familjen Canco ruhet korrespodenca me këto botues të njohur perëndimor me të cilët Dhimitër Canco shkëmbente mendime, e shtronte kërkesat e tij për nevojat e librarisë.
“Argus” njohu kulmin e veprimtarisë së saj ne fund të viteve ’30-të, por edhe gjatë viteve të luftës. Ndërsa me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri në vitin 1945, e alternuar edhe më seksionin e botimeve me logon e saj, “Argus” do të njihte pak nga pak fundin e aktivitetit të saj, derisa regjimi komunist do ta mbyllte përfundimisht librarinë e famshme e do ti konfiskonte te gjithë titujt e saj.
Sot në familjen Canco ruhen shumë gjurmë të aktivitetit të gjerë të kësaj librarie, por edhe shumë relike me vlera të veçnata e letërkëmbime të Dhimitër Cancos. Në këtë intervistë me nipin e Dhimitër Cancos, arkitektin Zhani Canco do të zbulojmë për lexuesit dimensionin e plotë të aktivitetit të librarisë “Argus”, e cila i pajiste blerësit e saj me kupon për uljet, që në fillim të viteve’30-të.
Z.Canco, si nis historia e librarisë “Argus”?
Këtë vit mbushen 77 vjet nga dita kur u hap për herë të parë libraria “Argus”. U hap më 1930 nga Dhimitër Canco, vëllai i Mësuesit të Popullit Gjergj Canco (babai im).
Kush është Dhimitër Canco? A mund të na bëni një përmbledhje të jetës dhe aktivitetit të tij?
Xhaxhai im Dhimitër Canco ka lindur më 25 maj 1904 dhe është larguar nga jeta më 14 qershor 1990. Jeta e tij përmblidhet në shek. XX. Ka lindur në shek. XX dhe është larguar nga jeta në shek. XX. Në kohën kur u hap libraria “Argus”, Tirana nuk kishte shumë kohë që ishte bërë kryeqytet. Por, kjo nuk e pengoi Dhimitër Cancon që të vinte nga Rumania, ku kishte qëndruar rreth 10 vjet, dhe të hapte të parën librari në Shqipëri, të emërtuar “Argus”. Ai kishte qëndruar në Konstancë ndërkohë që komuniteti shqiptar i këtij qyteti shënonte hapa përpara në udhën e veprimtarive të ruajtjes së nacionalitetit të shqiptarizmit dhe të çështjes shqiptare, që lidheshin me shkollimin shqip dhe të kulturës kombëtare shqiptare. Prandaj, nuk është e rastit që, në këtë qytet, botohej, që më 10 dhjetor 1919, gazeta “Shqipëria e Re”, me kryeredaktor publicistin e shquar Guri Malësori (Gjergj Bubani).
Cili ishte aktiviteti artistik e patriotik i Dhimitër Cancos dhe miqve të tij shqiptarëve në Kostancë?
Në Bashkinë e Konstancës u zhvilluan një sërë veprimtarish kulturore, artistike e sportive, të gjitha të brumosura me ndjenjën e dashurisë për vlerat e përsosura arbërore. Përveç këtyre, në vitet 1922-1923 në Konstancë botohej edhe një fletore për nxënësit e shkollave, ku në ballinën e saj ishte shtypur në mënyrë kuptimplote portreti i Naim Frashërit.
Duke u nisur nga gjysma e viteve 20-të dhe më tej, gjallëria e shqiptarëve u duk më shumë në veprimtaritë kulturore e, posaçërisht, në ato artistike dhe sidomos në Konstancë, edhe si kontribut i shoqatës kulturore-sportive “Flaka” me kryetar Mihal Xoxën dhe sekretar të seksionit artistik Dhimitër Cancon. Kurse në Bukuresht aktivistët shqiptarë u grumbulluan rreth shoqatës “Shkaba e Zezë”, me kryetar Harallamb Prosin dhe nënkryetar Toma Gjeorgjeskun. “Flaka” organizonte çdo vit festivale artistike me pjesëmarrje vullnetare të një grupi të rinjsh të talentuar me valltarë.
“Flaka” zhvilloi më 21 prill 1929 një program të pasur dhe me një pjesëmarrje kryesisht shqiptare. Në fillim aty kontribuoi si muzikant profesionist Sotir Kozma dhe më pas erdhi dhe nga Konservatori i Milanos në Konstancë dhe Bukuresht, këngëtari i njohur Mihal Ciko.
Në vitet 30-të të shek. XX, do të bënte emër tenori i shquar Kristaq Antoniu. Ai u njoh në Rumani jo vetëm si këngëtar, por edhe si artist i kinematografisë rumune të kohës. Shoqata “Flaka” duke filluar nga viti 1925 e deri në vitin 1931 bëri disa festivale artistike, ku përfshiheshin pjesë teatrore, muzikore dhe artistike të artistëve shqiptarë dhe rumunë.
Festivalet ndiqeshin me kënaqësi nga qindra spektatorë shqiptarë. Ishte ky një kontribut në kulturën shqiptare dhe në vetë ruajtjen e zhvillimin e gjuhës shqipe në gjirin e shqiptarëve të mërguar. Këto festivale, duke u zhvilluar në gjuhën amtare të botës shpirtërore të mërgimtarëve, gjithnjë të malluar për gjithçka që i mbante gjallë si kombësi më vete, në njëfarë mënyre ishin edhe shkolla të shqipes dhe të shqiptarizmit.
Në gazetën “Shqipëria e Re” ka punuar si redaktor deri në vitet 30-të, duke botuar artikuj politikë dhe ekonomikë, Dhimitër Canco me pseudonimin Morava dhe Toska.
Ku ndodhej libraria “Argus”?
Libraria “Argus” ndodhej jo shumë larg shkollës amerikane që drejtohej nga Harri Fullci në Tiranë, aty ku sot është shkolla ekonomike, që më vonë iu dha emri Shkolla Teknike-Elektrike “Gjergj Canco”.
Më vonë u largua nga ai oborr, ku Gjergj Canco për herë të parë dha mësim në vitet 1932-1933, së bashku me Harri Fullcin. Oborri përbëhej nga godina mësimore, ofiçina dhe konvikti. Pra, këto ishin të përmbledhura në këtë oborr, që u hap për herë të parë më 1921 me Kellin, Herodin, më vonë më 1922 ka ardhur Harri Fullci si drejtor dhe ka qëndruar deri më 1933. Në kuadrin e ristrukturimit të shkollave, u largua më 1933 nga Shqipëria.
Dhe hapja e librarisë “Argus” më 1930 u mirëprit nga drejtori i shkollës sepse ajo ishte një ndihmesë për nxënësit e shkollës sepse ata do të njiheshin me shumë shkrimtarë të njohur amerikanë dhe anglezë. Po ashtu, në atë librari do të gjenin lapsa, stilografë e mjete të tjera mësimore, të markave më të mira, siç ishin ata të markave “Pelikan” dhe “Monblanc” të cilët u ekspozuan për herë të parë në librarinë “Argus”.
Libraria Argus i pajiste blerësit e saj me kupon që në fillim të viteve ‘30t-ë. Si funksiononte?
Po, ju e patë revistën “Laboremus”. Aty për herë të parë përmendet fjala “kupon” në Shqipëri. Ishte viti 1932.
Në njërën prej reklamave të revistës shënohet: “Shkoni blini në librarinë “Argus” sendet e nevojshme shkollore, që janë të lira, letra shkrimi dhe sende të tjera të nevojshme që u duhen nxënësve për në shkollë, me çmime të arsyeshme, edhe me një zbritje prej 10% të cilën e përfitoni përmes këtij kuponi”...
Pra në librarinë Argus nuk shiteshin vetëm libra por edhe mjete mësimore?
Po në librarinë “Argus” shiteshin gazeta, revista, libra, fjalorë, gramatika dhe libra të tjerë të çdo lloji në gjuhët frëngjisht, anglisht dhe italisht.
Reklamat që ju përmendët pak më lart publikohej në revistën “Laboremus” që përgatitej nga nxënësit e shkollës teknike apo jo?
Ajo u pagëzua me këtë emër nga nxënësit e kësaj shkolle, me emrin kuptimplotë për shkollën latinishte, që në shqip do të thotë “Le të punojmë” - “Laboremus”.
Numri i parë i revistës, jo rastësisht doli më 28 nëntor 1924.
Dhe, siç dëshmohet, çdo vit më vonë, datëlindja e “Laboremus”-it festohej në ditën e madhe të shqiptarizmit, që është 28 nëntori. Revista, me format të madh, që shpesh shkonte deri në 20 faqe dhe nganjëherë edhe më shumë, dilte dy herë në muaj, në shqip dhe në anglisht. Përveç numrave të rregullt dilnin edhe numra speciale. përveç të tjerave, botohej lëndë e ndryshme nga jeta në tërë vitet e shkollës.
“Laboremus”-i përgatitej nga një bord prej 8-9 nxënësish dhe një mësues kujdestar. Këshilli botues kujdesej për botimin e revistës. Merrej me redaktimin e materialeve që do të botoheshin.
Të gjithë nxënësit e shkollës, edhe ata që e kishin marrë diplomën, ishin miq të “Laboremus”-it. Ishte pikërisht kjo revistë prestigjioze që gjente hapësirë për t’i bërë reklamë librarisë “Argus”, në një nga numrat e saj.
Na e përshkruani pak aktivitetin e kësaj librarie?
Libraria e filloi aktivitetin e saj, siç e thamë, në vitin 1930 dhe e vazhdoi deri në vitin 1952. Është një periudhë 20-vjeçare. Ka pasur një aktivitet të suksesshëm gjatë kësaj kohe.
Libraria “Argus” ishte në qendër të Tiranës, karshi ishte pazari i vjetër që vazhdonte edhe majtas edhe djathtas dhe atje ishte një dyqan i marrë nga një tiranas me qira, ishte e gjatë rreth 10 metra dhe e gjerë rreth 4 metra. Në të dyja anët kishte libra, në fund fare ishte banaku ku bëhej pagesa.
Sendet e vendosura ishin libra, stilografë, fotografi. Librarinë e vizitonte çdo turist i huaj që vinte në Tiranë, ambasadat e akredituara në vendin tonë, nxënësit e shkollës teknike amerikane që vinin për të blerë, intelektualë që kishin përfunduar studimet në Francë, Austri, Itali, Rumani, Gjermani. Ishin intelektualë të profesioneve të ndryshme si, ekonomistë, doktorë, inxhinierë, profesorë të gjimnazeve të Tiranës, të Shkodrës, të Liceut të Korçës, të Gjimnazit të Gjirokastrës, të Shkollës Tregtare të Vlorës, të Shkollës Bujqësore të Golemit, të Normales së Elbasanit. Po kështu vinte edhe një shtresë e pasur e shoqërisë shqiptare, relativisht e vogël, për të blerë aparate fotografike dhe stilografë të firmës amerikane.
Të gjithë kur vinin kishin për qëllim për të blerë dhe kur nuk e gjenin atë që donin, pronari e porosiste qoftë librin, revistën apo fjalorin. Kryesisht interesi ishte për “Larouss”-ët dhe fjalorët dygjuhësh.
Cilët ishin klientët më të rregullt të “Argus-it”?
Miq të librarisë ishin Dhimitër Pasko, Lasgush Poradeci, Petro Marko, dhe mik i përhershëm ishte Gjergj Bubani, i biri i tij Dionis Bubani, dhe shumë e shumë të tjerë.
Por në librarinë “Argus” hynin të gjitha figurat politike, hynin edhe pushtues qofshin italiane apo gjermanë që blinin libra, të cilat vetëm ky i sillte, nuk gjendeshin në vende të tjera. Italia u tregua shumë e kujdesshme për të bërë propagandë sa më të madhe në Shqipëri gjatë pushtimit.
Përveç aktivitetit si librari nën logon Argus dolën edhe nj varg botimesh në gjuhën shqipe apo jo?
Po kjo ishte e vetmja librari që kishte shtëpi botuese dhe kjo është pak befasuese për kohën. Të mendosh që në atë kohë Tirana ishte ende në mes të fshatit dhe qytetit, ky vjen nga Rumania, hap librarinë dhe për më tepër, pas disa vitesh pasi forcohet, krijon shtëpi botuese. Duhet të shtoj që kishte serinë e librave të përkthyer nga Fan Noli, duke filluar nga njëshi deri te nënta.
Ka një libër shumë interesant “Miku i familjes”, shkruar nga Vasil Xhaçka, që tregon sjelljen që duhet të ketë një i ri dhe një e re, dhe mënyrën e gatimit në Shqipëri, përralla për fëmijë. Po kështu ka “Novela të zgjedhura” nga Anton Çehovi, “Përralla të zgjedhura” të shkrimtarëve anglezë, “Rubairat” e Omar Khajanit e shumë të tjera.
Ju ruani ende sot shumë relike e botime të vjetra nga botimet “Argus”. Na tregoni pakëz histori për seicilën prej tyre?
Në 1932 a më 1933, menjëherë pas hapjes së librarisë “Argus”, Harri Fullci i dhuron Dhimitër Cancos një fjalor të botuar nga Shtëpia Botuese Hasheti, që daton më 1895. këtë botim të rrallë e kemi ende në shtëpi.
Libraria “Argus” ka pasur një korrespondencë të suksesshme jo vetëm me Hashetin, por edhe me firmat italiane “Dita Peroni” etj., po kështu edhe me firmën italiane të qeramikës artistike “Marostica”.
Në librarinë “Argus”, krahas librave artistikë kishte edhe revista të arkitekturës, revista të modës italiane dhe franceze, libra me poezi të poetëve francezë e italianë. Dua të kujtoj pak që gazeta “Shqipëria e Re”, organ popullor kombëtar që botohej në Konstancë, me pronar Mihal Xoxën dhe kryeredaktor Gjergj Bubanin, vinte në Shqipëri dhe shitej. Duhet shënuar që, në librarinë “Argus” krahas këtyre që përmendëm më lart, shiteshin edhe fjalorët “Petit Roberts” në frëngjisht, “Xingareli” në italisht, “Petit Larousse illustré” në frëngjisht, dhe ajo që kam dëshirë ta përmend edhe një herë, që ka mbërritur si dhuratë, në dy gjuhët frëngjisht dhe anglisht, dhuruar nga Harri Fullci, botuar nga Hasheti më 1895.
Por ju ruani edhe një tjetër relike të veçantë trashëguar nga xhaxhai juaj, një flamur amerikan të 1945. Cila është historia e tij?
Mund të jetë një rast unikal në Ballkan. Para se të vdiste Dhimitër Canco bëri një testament dhe secilit prej nesh, na ndau nga një pjesë. Mua më ra për pjesë sënduku i Dhimitrit. Pasi e hapa sëndukun, i cili kishte kohë që nuk ishte hapur, shikoj që aty ishte flamuri amerikan. Ishte një format i vogël, prej letre.
Nga ç’mësova, në vitin 1945 Jugosllavia, Anglia dhe Rusia ishin në një grup dhe në këtë kohë në Shqipëri u bënë flamuj të këtyre shteteve. Dhe Dhimitri e ruajti flamurin amerikan nga viti 1945 deri më 1990.
Mu duk shumë e çuditshme si e kishte ruajtur për kaq e kaq vite. Ishte me të vërtetë një trimëri shumë e madhe për kohën. Në atë kohë flamuri amerikan kishte 48 yje siç mund ta shihni edhe ju në foto, ndërsa tani ka 52 yje. Kjo besoj e tregon qartë se miqësia me Harri Fullcin i kishte lënë shumë mbresa Dhimitrit.(Vijon neser)
Në pjesën e dytë të intervistës do të lexoni:
Si depërtuan idetë komuniste në Tiranën e viteve 30 përmes librarisë Argus, pse e trazoi Musa Jukën libri me idetë marksiste, botuar në Francë për 50 vjetorin e Marksit, që nisi të shitej në librarinë Argus, aktiviteti i Dhimitër cancos në ndihmë të komunistëve gjatë luftës dhe si u përndoq pas vendosjes së regjimit komunist për shkak të miqësisë së tij me Harry Fultz-in