Shqipëria shënon sot 30 vjet nga nisja e një cikli politik historik, ku rrëzoi komunizmin dhe solli një sistem që e gjithë bota Perëndimore; demokraci parlamentare e ekonomi e lirë tregu. Shqipëria e përqafoi e fundit këtë sistem, ndërkohë që nga Bashkimi Sovjetik, Europa Lindore dhe Ballkani gjithashtu hapën sistemin shumëpartiak para nesh.
Gjithë këto 30 vite është shkruar shumë e janë thënë pafund fjalë e impreisone. Por në ndryshim nga të gjithë vendet, të paktën në Ballkan Shqipëria ka mbetur sërish një etalon, ku ka ende në fuqi elitën politike të 30 viteve.
E gjithë Europa Lindore dhe Ballkani kanë rinovuar totalisht klasën politike, pasi thelbi i ndryshimit që solli 8 dhjetori ishte pikërisht rinovimi dhe freskimi i klasës politike.
Për ta bërë më konkrete këtë zhvillim, le të marrim në shqyrtim vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kroacia: nga viti 1990 ka pasur 12 kryeministra, 5 Presidentë, Bullgaria: 10 kryeministra dhe 5 presidentë, Rumania: 27 kryeministra dhe 8 presidentë.
Serbia: 14 kryeministra dhe 10 presidentë. Maqedonia e Veriut: 10 kryeministra dhe 8 presidentë.
Kosova, që ka një histori vetëm 21 vjeçare nga çlirimi i saj por ka pasur: 8 kryeministra dhe 3 presidentë. E Shqipëria?
Viti 1992: Sali Berisha- President i Republikës deri në vitin 1997. Nga 1997 deri në 2005 lider i opozitës me synim për të ardhur sërish në pushtet. Rivjen në pushtet në vitin 2005 dhe qëndron në post për 8 vjet deri në 2013 kur humb zgjedhjet. Në këtë vit shpall dorëheqjen por edhe sot e kësaj dite qëndron si gozhtë në politikën shqiptare si drejtues real i Partisë Demokratike.
Ilir Meta, i hyrë në politikë si deputet në vitin 1991 sapo diplomohet, bëhet nënkryetar i PS-së në 1995-sën, në 1997 zgjidhet Sekretar Shteti i ministrisë së Jashtme i qeverisë së Fatos Nanos. Në vitin 1998 bëhet zv/kryeministër i qeverisë së Pandeli Majkos. Në vitin 1999 bëhet kryeministër i Shqipërisë. Në vitin 2002 bëhet Zv. kryeministër i qeverisë së Fatos Nanos dhe ministër i Jashtëm.
Në vitin 2004 ikën nga PS dhe themelon Lëvizjen Socialiste për Integrim, në 2009 bëhet Zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm i qeverisë së Sali Berishës, në 2010 bëhet Zv.kryeministër dhe ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës. Në vitin 2013 bëhet kryetar i Parlamentit si pjesë e koalicionit me Edi Ramën dhe në vitin 2017 zgjidhet President i Republikës me votat e Partisë Socialiste.
Aleksandër Meksi u zgjodh Kryeministër në marsin e vitit 1992 dhe qëndron deri në shkurtin e vitit 1997. Më pas tërhiqet nga politika aktive.
Fatos Nano, kreu i parë i Partisë Socialiste që u zgjodh në 1991, zgjidhet kryeministër në vitin 1997, pas një viti largohet e më pas kthehet në vitin 2002 sërish kryeministër, post që e mban deri në 2005-n.
Pas disa tentativave për tu zgjedhur president i Republikës, Nano u tërhoq nga politika aktive.
Pandeli Majko zgjidhet kryeministër në vitin 1998 e që qëndron për një vit. Në vitin 2002 bëhet prapë kryeministër ku qëndron për 6 muaj. Ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe aktualisht është ministër Shteti për Diasporën.
Edi Rama, i aktivizuar në lëvizjen për ndryshim të vitit 1990 bëhet më pas oponent i qeverisjes së Sali Berishës, ku është aktiv në media dhe shoqëri. Në vitin 1998 emërohet ministër i Kulturës në qeverinë e Fatos Nanos, post që e mban deri në vitin 2000.
Në këtë vit zgjidhet kryetar i Bashkisë së Tiranës, post që e fiton edhe për 2 mandate të tjera: në 2003dhe 2007. Nga viti 2005 zgjidhet kryetar i PS-së dhe në 2013 zgjidhet Kryeministër pas aleancës me LSI-në, post që e mori edhe në 2017, kur fiton zgjedhjet parlamentare.
Presidentë të Republikës, përveç Sali Berishës e Ilir Metës, kanë qenë: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani, të gjithë nga një mandat. Aktualisht ose janë të tërhequr ose pa rëndësi relevante./ TemA
Berisha-Meta simbioze e krimit vjedhjes dhe vrasjes plehra dhe jashtqitje te Kombit
Përgjigju