“Atë ditë, kur hyra në PD, ose më saktë kur shkova në PD, e cila sapo ishte krijuar, u largova menjëherë, sepse pata një konflikt me ata që gjeta aty, pra në PD ne ishim shumë më përpara, sepse në bisedat tona kishim një tjetër pritshmëri dhe strategji për të ardhmen. Për ne Ramiz Alia ishte kundërshtari. Për ne Ramiz Alia nuk ishte njeriu që po sillte demokracinë në Shqipëri, por ishte thjesht regjimi komunist në Shqipëri”.
Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste prej 19 vitesh, ka qënë dikur pjesë e PD-së, të paktën për pak minuta. Në dhjetor të vitit 1990, ai njihej si një prej aktivistëve kryesorë në lëvizjen antiregjim në Institututin e Lartë të Arteve. Rama ishte një prej organizatorëve të lëvizjes së përbërë nga studentë, pedagogë e intelektualë të arteve. Dëshmitarë të kohës janë në një mendje, se kjo lëvizje ka pasur rol të rëndësishëm në frymën antikomuniste që po përgatitej në fund të vitit 1990 në Shqipëri. Por Edi Rama mungoi pikërisht në momentet më të rëndësishme të historisë së rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri.
Siç rrëfen vetë ai, gjendej në Korfuz pikërisht ditët e protestës studentore. Mungesa në zhvillimet e këtyre katër ditëve i kushtoi shumë në rrugën e tij politike. Ju desh një periudhë e gjatë përpjekjesh të mëdha për t’u rikthyer si protagonist i rëndësishëm në elitën politike shqiptare. Ishin pikërisht katër ditët e protestave studentore, që vrullshëm çuan në themelimin e PD-së më 12 dhjetor.
“Kanë qenë katër ditët, që në këndveshtrimin tim kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në Partinë Demokratike. E them këtë me bindje, sepse shumëçka do të kishte shkuar ndryshe. Ne ishim shumë të njohur nëpër Tiranë dhe Tirana dinte shumë për ne, flas për Institutin e Arteve. Arben Imami ishte një nga protagonistët e atij procesi të brendshëm në Institutin e Arteve dhe praktikisht personi, që ishte aty ato ditë. Nëse Imami u kthye në figurën e dytë apo të tretë, pasi Grami Pashko dhe Sali Berisha konsideroheshin vëllezërit e përkohshëm siamezë të moment, kjo është, sepse vinte nga Akademia e Arteve dhe ishte shumë i qartë në atë kohë. Dhe nuk është i rastit ai detaj, që sot duket komplet i parëndësishëm, kur në takim me Ramiz Alinë iu drejtua me fjalët : “Zoti President”.
Është hera e parë, që është artikulur fjala “Zoti filani” në jetën shoqërore shqiptare pas 50 vjetësh dhe më besoni, se ishte një moment mjaft i rëndësishëm për mua. Unë nuk u gjenda aty, sepse pas revolucionit rumun pati një farë lëshimi dhe në këtë kuadër filloi të aplikohej dhënia e pasaportave për njerëz që kishin të afërm jashtë vendit. Ne kishim të afërm në Korfuz nga familja e nënës time, shqiptarë të ikur gjatë luftës italo-greke. Morëm pasaportat dhe shkuam bashkë me tim vëlla në periudhën e verës së vitit ‘90. Gjatë qëndrimit atje u vumë në kontakt me Galerinë e Teatrit Bashkiak të qytetit.
Në këto kontakte ramë dakord të organizonim një ekspozitë në mesin e dhjetorit të atij viti dhe në tetë dhjetor unë jam nisur për në Korfuz. i thashë Ardianit (Klosit), që unë nuk mund të rri në Tiranë pasi më duhet të shkoj për ekspozitën. Nuk e pata instiktin, që do të ndodhte diçka pikërisht ato dy tre ditë. Kanë qënë dy tre ditë shumë të rënda për mua, shumë të vështira dhe shumë absurde, sepse bashkë me të tjerë kisha më shumë se një vit që e prisja takimin me Ramiz Alinë”, është shprehur Rama në një intervistë për librin “Pardesytë e Bardha”
Në Partinë Demokratike, Edi Rama mbahet mend për rreth gjysmë ore debat me anëtarët e komisionit nismëtar. Megjithatë, si një prej aktivistëve të rëndësishëm të lëvizjes antikomuniste, Rama ishte zgjedhur nga komisioni nismëtar i PD-së, si një prej personaliteteve të rëndësishme të kohës që do të angazhoheshin në organizimin e partisë në fusha të ndryshme. Ishte caktuar në grupin e punës për çështjet elektorale, por edhe në grupe të tjera pune. Kjo do të thotë, se kishte mjaftueshëm kontribute për t’u renditur në grupin e drejtuesve kryesorë të Partisë Demokratike, por nuk ndodhi kështu.
Në një prej mbledhjeve të këtij forumi të sapoformuar, Edi Rama u shfaq me kundërshti të forta për hapat e parë të PD-së. Kritikat e tij, lidheshin jo vetëm me disa individë të organizuar në krye të kësaj partie, por edhe për mënyrën se si po konceptoheshin lëvizjet politike. Pozicionimi që PD-ja duhej të mbante ndaj presidentit të atëhershëm Ramiz Alia, ishte një pikë e rëndësishme e debatit. Në mbledhjen që drejtohej nga Gramoz Pashko, Edi Rama ka kërkuar, që Ramiz Alia të mos konsiderohej aleat, siç vlerësohej asokohe nga PD-ja dhe studentët, por të shihej prerë dhe qartë, kundërshtar.
Ndër të tjera, Rama ka kërkuar edhe një pozicionim më të qartë lidhur me ish-të përndjekurit politikë. Ai vlerësonte të pakuptimtë situatën kur në Shqipëri kishte mbërritur pluralizmi, por të burgosurit politikë ende nuk ishin liruar. Ai vlerësonte gjithashtu se ish-drejtues të PPSH-së, të organizuar më parë në strukturat e saj drejtuse, duhet të përjashtoheshin nga funksionet drejtuese në PD-së. Kushte të barabarta të PD-së me PPSH-në në fushatë elektorale, ishte një tjetër kërkesë, që sipas Ramës, i duhej bërë pa pushim regjimit.
“Nuk e kisha menduar që të merresha me politikë. Dhe arsyeja, lidhet edhe me një moment tjetër. Atë ditë, kur hyra në PD, ose më saktë kur shkova në PD, e cila sapo ishte krijuar, u largova menjëherë, sepse pata një konflikt me ata që gjeta aty, pra në PD. Ne ishim shumë më përpara, sepse në bisedat tona kishim një tjetër pritshmëri dhe strategji për të ardhmen.
Për ne Ramiz Alia ishte kundërshtari. Për ne Ramiz Alia nuk ishte njeriu që po sillte demokracinë në Shqipëri, por ishte thjesht regjimi komunist në Shqipëri. Ky është edhe konflikti që unë pata me atam që gjendeshin në atë kohë në PD. Nuk pata ndonjë dëshirë për t’u përfshirë në politikë, pasi mua më interesonte liria dhe jo politika. Unë e kërkoja lirinë si nevojë të brendshme për të bërë gjërat që doja, dhe nuk e kërkoja për t’u marrë me politikë. Pasi jam larguar atë moment nga PD-ja, ishte aty Arben Imami, të cilin unë e kisha shumë mik dhe kemi bërë një bisedë shumë interesante.
Ai këmbëngulte që unë të kthehesha në PD, ndërsa unë këmbëngulja që të largonin më parë komunistin që kishin aty, në PD, sepse do t’i marrë në qafë të gjithë. Beni më thoshte “po jo, se kemi nevojë për disa intelektualë pak më në zë, që t’i japim peshë dhe seriozitet të gjithë kësaj që po bëjmë, sepse është një gjë që sapo ka filluar, ne s’kemi eksperiencë”. Ndërsa unë i thashë, se Sali Berisha është komunisti tipik dhe ka të gjithë eksperiencën si sekretar partie që t’ju eleminojë të gjithëve. I kam thënë, se ai do ta bëjë PD-në një vegël të Ramiz Alisë dhe ju nuk do të jeni dot në gjendje të flisni kundër Enver Hoxhës. E vërteta është, se ditën kur fola kundër Enver Hoxhës në Akademinë e Arteve, ata nuk flisnin dot kundër Enver Hoxhës”, ka deklaruar Rama.
I pyetur pikërisht për bisedën që ka zhvilluar me Edi Ramën, Arben Imami konfirmon se kishte bërë shumë përpjekje që Rama të mos largohej nga PD-ja. Imami konfirmon gjithashtu, se Rama ishte një ndër miqtë e tij të afërt, por thekson se në kohën kur kishte ndodhur reagimi i Ramës kundër Berishës, ky i fundit ishte konsoliduar si figurë e rëndësishme e Partisë Demokratike. Pra, ngjarjet kishin marrë rrrjedhën e tyre.
“Disa shokë a miq, kam bërë përpjekje të madhe për t’i afruar në PD. Sigurisht që Rama ka qenë një ndër kolegët e mi. Me Ramën kemi patur lidhje miqësore dhe bashkëpunimi para ‘90. Sigurisht kam bërë përpjekje që ai të afrohej në PD. Jemi duke folur për një moment kur Berisha si drejtues, ishte relativisht i përvijuar. Në datën 15 dhjetor, mbas konstituimit të komisionit nismëtar, bashkë me Preçin u nisëm për në TVSH, mbas ngjarjeve në Elbasan dhe Durrës. Hartuam një deklaratë që në thelb ishte për uljen e gjakrave. Ato provokime i bëntë Sigurimi dhe kjo ishte tërësisht e qartë. Në deklaruam në TVSH, se ne nuk duam ekstremizma dhe nëse ato ndodhin nuk janë vepër e jona. Në atë ndërkohë po zhvillohej mbledhja e parë e komisionit nismëtar të PD-së dhe futet edhe Edi. Më sa di, u mirëprit në mbledhje dhe fare mirë ai mund të bëhej pjesë e komisionit, por ka pasur debate pse nuk e hiqni Ramiz Alinë etj... Në fund ka shkëmbyer fjalë me Pashkon dhe është larguar”, deklaron Imami.
Takimi i PD-së me intelektualët, përplasja e dytë Berisha - Rama
Përplasja e dytë Berisha-Rama ka ndodhur në një takim, që PD-ja kishte organizuar me intelektualët e Tiranës në fund të janarit të vitit 1991, në një prej sallave të Bibliotekës Kombëtare. Si mik i Edi Ramës, Arben Imami gjendej ngushtë, pasi nuk i kishte rreshtur përpjekjet për ta përfshirë atë në PD. Por nga ana tjetër, Sali Berisha ishte konsoliduar si figurë qendrore e themeluesve, ndërsa qëndrimet mes tij dhe Edi Ramës, dukeshin të papajtueshme.
“Në atë takim Rama e sulmoi Berishën për një oportunizëm, le të themi të PD-së kundrejt regjimit. Në fakt çdo kriticizëm ishte me vlerë, nuk them të kundërtën. Por duhet sqaruar, se ide e propozime, që çonin në konfrontim tregonin mungesë përgjegjësie. Ndërhyra dhe patëm një debat. Rama e njihte qëndrimin tim për ato rrethana të janar-shkurtit, por nevoja për ndryshimin e tyre duhej peshuar me kushtet e atyre rrethanave. Edhe nëse ishim për një vijë presioni, kurrsesi për konflikt social, kurrsesi për konfliktin. Kemi bërë gjithçka për ta shmangur atë. Kjo është padyshim një ndër meritat e mëdha të themeluesve e të drejtuesve të PD-së, të cilët u përpoqën në çdo rast për të shmangur konfliktin, i cili i kanosej Shqipërisë në çdo çast. Duhet analizuar situata në kontekstin e kohës. Ne kishim presion të madh nga mbështetësit tanë, sikurse edhe pala tjetër kishte presionin e madh të enveristëve. Duhen parë gjërat siç ishin, jo siç do të donim të ishin. E vërteta e asaj mbledhje është se, po, Edi Rama kishte mendimin se Berisha nuk ishte personi i përshtatshëm për të qënë në krye të PD-së”, shprehej Imami./TemA