Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projektligjin për martesat mes të njëjtit seks. U dha miratimi përfundimtar për legjislacionin dhe sipas mediave të huaja, ky është një hap i rëndësishëm pas përpjekjeve prej vitesh për këtë njohje mbarëkombëtare që pasqyron një kthesë të fortë në qëndrimet shoqërore.
Presidenti Joe Biden ka thënë se do ta nënshkruajë menjëherë projektligjin, i cili kërkon që të gjitha shtetet të njohin martesat mes të njëjtit seks. Sipas tij, ky nnshkrim është një lehtësim për shumë çifte që janë martuar që nga vendimi i Gjykatës së Lartë të vitit 2015 që legalizoi këto martesa dhe janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhte nëse vendimi do të anulohej.
"Një hap kritik për të siguruar që amerikanët të kenë të drejtën të martohen me personin që duan. Legjislacioni ofron shpresë dhe dinjitet për miliona të rinj që mund të rriten në të gjithë këtë vend duke e ditur se qeveria e tyre do të njohë dhe respektojë familjet që ata ndërtojnë”,tha presidenti Biden në një deklaratë pas votimit
Legjislacioni dypartiak është gjithashtu edhe kundër diskriminimit të racave, pasi do të mbrojë gjithashtu martesat ndërracore duke u kërkuar shteteve të njohin martesat e ligjshme pavarësisht nga “gjinia, raca, përkatësia etnike ose origjina kombëtare”. Legjislacioni u miratua me 39 vota republikane. Senati e miratoi projektligjin javën e kaluar me 12 vota të republikanëve, ky i arrirë pas disa muajsh përpjekjesh.
Demokratët e çuan projektligjin me shpejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatit pas vendimit të Gjykatës së Lartë në qershor që përmbysi të drejtën federale për abortin – duke përfshirë një opinion të përbashkët nga gjyqtari Clarence Thomas që sugjeroi se vendimi i vitit 2015 që legalizon martesat e të njëjtit seks duhet të rishqyrtohet.
Ndërsa shumë republikanë parashikuan se kjo nuk kishte gjasa të ndodhte dhe thanë se projektligji ishte i panevojshëm, demokratët dhe mbështetësit e projektligjit thanë se ai nuk duhet t’i lihej rastësisë.
Komente









