TIRANE - Dhoma e Tregtisë Italiane dhe Shoqata e Industrialistëve Italian në Shqipëri kanë ngritur shqetësimin e tyre për ngadalësimin e ritmit të rritjes ekonomike për 6 muaj radhazi. Duke iu referuar shifrave të publikuara nga INSTAT ku ekonomia e vendit nga mbi 4% në vitin 2018 ka zbritur në rreth 2% këtë vit, ata kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë në përmirësimin e klimës së biznesit. Sipas deklaratës së tyre bizneset italiane dhe jo vetëm po japin sinjale negative pasi shumë gjëra nuk po funksionojnë siç duhet.
“E vërteta shqetësuese është se shifrat në fjalë varen edhe nga një përkeqësim progresiv i klimës së biznesit që është rënduar edhe më shumë këtë vitin e fundit. Shumica e bizneseve italiane dhe ato të huaja në përgjithësi, ashtu si dhe firmat shqiptare, japin sinjalin se shumë gjëra nuk po funksionojnë ashtu siç është premtuar. Funksionimi i administratës publike gjithashtu ka krijuar shqetësim ndër investitorët, të cilët janë tashmë të lodhur nga nëpunësit publikë që kanë tendencën t’u shmangen vendimeve për të cilat ata do të duhej të ishin kompetentë, si dhe çdo lloj forme dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me bizneset; biznesi has vështirësi të dukshme në gjetjen e bashkëbiseduesve kompetentë dhe vetëm rrallë herë merr përgjigjet e duhura” , citohet në letër.
Reagimi i tyre vazhdon edhe më tej duke thënë se vëmendja e institucioneve duket se përqendrohet vetëm në debatet politike, pa u thelluar në analizën e shkaqeve të vërteta të ngadalësimit ekonomik. Sipas këtyre dy institucioneve italiane qeveria duhet të angazhohet menjëherë në vazhdimin e reformave dhe në përmirësimin e mjedisit të biznesit në respekt të rregullave të drejta.