Dhori Qiriazi: Rrëfej takimin
e poetëve me Hoxhën në ‘61

Dhori Qiriazi: Rrëfej takimin <br />e poetëve me Hoxhën në ‘61
Afati i fletës kampit më mbaronte më 13 korrik, por unë, që kisha parë Sarandën, Himarën dhe viset e bregdetit, desha të qëndroj edhe pak ditë në Vlorë. Për këtë shkak u largova nga kampi i Dhërmiut tri ditë para afatit.
Zura vend në hotel, i qetë, dhe mendoja që të nesërmen të ngjitesha në Kusbaba. Më kishte zënë gjumi duke ëndërruar detin e pafund.
Pas mesnate, nën vegimet e turbullta të ëndrrës, më zgjuan. Tek koka e krevatit qëndronte një person i gjatë dhe pranë tij sportelisti.
Personi pyeti nëse isha ai që kërkohej dhe si u sigurua më tha:
-Nesër duhesh të jesh në Lidhjen e Shkrimtarëve. Biletën e autobusit e ke të rezervuar.
Mbërrita në Tiranë.
Zura vend në hotelin pranë Sahatit. Hapa valixhen dhe nxora që aty një limua të madh, të cilin e pata blerë pranë udhës në Lukovë. E preva dhe thitha pak lëng.
Në Lidhje më njoftuan se bëhej një mbledhje dhe asgjë më shumë. Natyrisht aty isha i ftuar.
Në këto vite ne kishim bërë shumë mbledhje për poezinë. Menjëherë më shkoi mendja tek libri im “Të fala botës”, që më ishte kthyer para ca muajsh si i pabotueshëm.

Ky libër ishte cilësuar si pa shumë temë aktuale. Më tepër përmbante vargje meditative, vjersha dashurie dhe në fund kishte dy satira me temë sociale. Njëra kishte titullin “Mbreti Midhë” dhe tjera “Ime shoqe Çoko”. Në këtë të fundit satirizohej jeta e varfër familjare e dy bashkëshortëve që s’kishin fëmijë dhe duhej të paguanin taksën e beqarisë. Taksë kjo e çuditshme, jo vetëm për atë kohë, por edhe për çdo kohë.
Në të parën kisha shkruar: “Ky mbreti i vjetër Midhë/ na ishte një gomar./ Çdo gjë të prekë deshi/ t’i kthehej krejt në ar./ Dëshirën ia plotësuan/ të lashtat perëndi/ çdo gjë që ai prekte i kthehej në flori./ Kështu ky mbreti Midhë/ të rronte s’ ish kollaj./ I mjerë i uritur/na ra e vdiq pastaj/...”
Më vjen keq që një pjesë të poezive erotike të këtij libri tani nuk i kam, mbasi të vetmet kopje që kisha, ia dërgova një shokut tim të shkollës, Qani Çollakut, i cili nuk m’i ktheu më.
Disa nga ato poezi i kujtoj pjesërisht, disa u kujtoj vetëm titullin ose vargun e parë. P.sh. njëra kishte titullin latinisht: “Procul oculis, procul cordis”
Ç’u bënë? Kush mund t’i ketë?
Në njërën nga këto poezi thosha:
“I vetëm ikja në një të largët udhë,
pluhur i verdhë në çdo vend.
Të thirra ty, po rruga ishte shurdhë,
dhe hapësirat gëlltitnin emrin tënd...”

Doemos më ngacmonte shumë çështja e këtij libri me vargje që konsideroheshin të pabotueshëm.
Mbledhja ishte caktuar të bëhej në korpusin Qendror të Universitetit të Tiranës. Pak nga pak po mbushej njëra nga sallat e katit të dytë. Askush nuk më njoftoi se ç’ishte kjo mbledhje, megjithëse një pjesë e atyre që ishin aty duhet ta dinin që më parë.
Tek rrinim të ulur ndër banka, u hap papritur dera dhe hyri aty Enver Hoxha, duke iu drejtuar menjëherë Milto Sotir Gurrës që ishte në radhët e e para:
-Gëzohem Milto që të shikoj në këtë radhë!
Në çast fraza më bëri përshtypje dhe truri po më thoshte: Gëzohem që po të shoh në këto radhë, ku dhe mund të mos ishe… gëzohem që të shoh për jetëgjatësinë, gëzohem që….” Truri filloi të punonte.
Salla po mbushje pas tij me një numër njerëzish dhe të gjithë me pozita më të larta në Parti dhe në shtet.
Përkrah kisha Ismail Kadarenë me të cilin isha ulur në të njëjtën bankë dhe nga e majta, afër dritareve, ishte ulur Fatos Arapi. Gjithë-gjithë ishim tre nga më të rinjtë që shkruanim dhe që ishim thirrur aty të merrnim pjesë, mbase me doemos.
Aty për aty më erdhën ndërmend disa shënime që pata bërë mbi anën e bardhë të një diskutimi tim për poezinë, ku kisha shënuar inicialet e emrave të atyre diskutantëve, që kishin shprehur për mua mendime paradoksale dhe që tani, ja ku ishin, aty. Ata thoshin:
“me poemat jemi mirë, por me vjershat s’jemi mirë” (Vjersha shkruanin të rinjtë). Ose: “Ç’ janë këto poezi me tema intime?”. Pse shkruhen poezi me varg të lirë?”. “Figuracioni që përdorin të rinjtë, është shenjë e një romantizmi të vonuar?”.
Bëhej pyetja: “Ku është fryma e kohës?” d.m.th. pse mungon politizimi, pse ajo quhej frymë e kohës, etj.
Doemos, të gjitha këto duhet të kishin shkuar në vesh të udhëheqjes politike të vendit, e cila shtroi aty hapur kërkesat e saj duke bërë thirrjen: “Le të afirmohet secili në vargun e tij!” (pra, nuk ishte problemi te forma, por te brendia) por, ama, të afirmohet d.m.th. të jetë i pranueshëm, në radhë të parë prej udhëheqjes. Unë kështu e kuptova këtë thirrje.
Kjo ishte një kërkesë direkt politike dhe nga kjo nënkuptohej, nëse këta të rinjtë, me të cilët lidhen këto probleme të rrezikshme, nuk binden, nuk dëgjojnë, atëherë duhet konsideruar se kanë mbushur kupën dhe mund të bëhej edhe ndonjë kurban.
Ja pse kjo mbledhje ka qenë më e elektrizuara. Më seriozja, më tronditësja ndër ato që kam provuar në jetën time artistike.
Ndër diskutantët e moshuar, në s’gaboj, i pari e mori fjalën A. Varfi, i cili sulmoi formën e poezisë së re, vargjet e lira jo ritmike me të cilën shkruhej shpesh ajo dhe solli si shembull vargjet e Naim Frashërit nga “Bagëti e Bujqësi”, të cilat poezia e re duhet t’i kishte si model. E. Hoxha aprovoi Andrean dhe atij i ndriti fytyra sikur desh t’i thoshte vërtet sallës: “Flisni tani po të doni!”
Po kështu E. Hoxha aprovoi me kokë Fatmir Gjatën, i cili jo më kot theksoi përgjegjësinë partiake që duhet të ketë shkrimtari, e ka apo nuk e ka teserën e Partisë në xhep. Ai tha se po të vinte tani dikush e të përgjonte te dera, do të thoshte se kjo ishte një mbledhje Partie, pavarësisht se aty nuk ishin të gjithë komunistë.
Njëri pas tjetrit këto diskutime e qortime binin direkt, ose tërthorazi mbi kokën tonë, të rinjve.
Në intervalet e pushimit E. Hoxha u tërhoq në korridor, nuk buzëqeshte dhe pinte duhan. Ndërkaq nuk di sesi qarkulloi mendimi që duhet të diskutojnë edhe të rinjtë. Mbaj mend se, me ngutje i dhashë I. Kadaresë fletën e bardhë të kutisë së cigarave “Diamant” që kisha me vete. Ai shënoi atje disa pika.
Fjalën i pari e mori Fatos Arapi, i cili solli argumente për formën, mirëpo askush nuk shprehte, as aprovim, as disaprovim për ato që ai thoshte. Dukej sikur s’po i besonte njeri.
Pas tij foli Kadareja, të cilin E. Hoxha e priti me fjalët: “E kam lexuar atë që shkruan për Gjirokastrën dhe më ka pëlqyer”. Ai e kishte fjalën për një poemë për fëmijë që I. Kadareja kishte botuar atëherë, e cila kishte titullin “Princesha Argjiro”.
Në fillim Ismaili u duk se bëri një farë autokritike, por pastaj u hodh në sulm ndaj atyre që sulmonin formën, duke thënë: “Pse të mos i quajmë vargjet e matur vargje monarkikë, kur e dimë se ato kanë lindur në kohën e monarkisë?”
E. Hoxha qeshi.
Me sa duket kjo alternativë i dha fund problemit. Aty për aty E. Hoxha e mori fjalën vetë sikur të kish marrë një vendim:
“Në Seancën e parë unë i shkela syrin Andrea Varfit kur foli për Naimin dhe ai u kthye nga salla sikur desh t’ju thoshte: “Flisni tani po të doni!”. Por ja që ngrihen këta të rinjtë dhe gjejnë ca gjilpëra të holla… dhe s’ke se ç’ bën..”
Pastaj vijoi:
“E vetmja gjë që s’ më pëlqeu këtu është ndarja në “të rinj” dhe në “të vjetër”. Ai kërkoi unitet për t’i bërë ballë revizionizmit Hrushovian që po na kërcënonte.
Në këto rrethana ai tha se i kishte dhënë dorën një bashkëqytetari të tij, Eqerem Çabejt, se një i burgosur politik që ishte liruar atëherë (emrin nuk po ia përmend, që të mos e përbuzin shokët e tij) kish dalë nga burgu dhe i kishte hipur autobusit dhe kishte parë gjithë Shqipërinë. Ai i kishte thënë se: “po ta merrnim ne pushtetin, këto vepra nuk do t’i kishim bërë as për 100 vjet”.
Për të na justifikuar ne të rinjve ai tha se nuk ishte kuptuar mirë raporti midis “traditës” dhe “novatorizmit”, ku nënkuptohej ajo që ishte raportuar tek ai kushedi se nga ç’ burime. Ai s’kishte përgatitur gjë me shkrim, fliste pa letër përpara dhe ishte në dorën e tij që t’ia jepte asaj mbledhjeje drejtimin si të donte.
Vërtetë ka qenë një nga fjalimet më interesante dhe më të stërholluar të tij.
Ky fjalim i 11 Korrikut 1961 është botuar edhe në veprat e tij me redaktime të shumta, por thelbi ka mbetur: letërsinë do ta udhëheq Partia”.
Ndaj konservatorëve servilë dhe të frikësuar ai vuri të rinjtë për balancim, duke synuar t’i afrojë.
Në këto rrethana ai e zgjidhi problemin në favor të të rinjve duke hedhur poshtë të vjetrit, në mënyrë që të dy palët të ishin të kënaqur, sepse duhej që të dy palët të luftonin për të njëjtin qëllim, për partishmërinë.
Rrija në vend dhe ndiqja me kujdes gjithçka, shumë i vëmendshëm dhe më dukej kotësi të flisja. Pse? Për mua çështja letrare s’kishte qenë kurrë një çështje vendi, s’kishte të bënte me probleme si këto. Për mua s’ kish rëndësi asnjë hierarki, asnjë pozitë.
Unë isha në antipod me zilinë letrare. Për një çast aty në sallë m’u duk vetja i huaj dhe kuptova që, edhe po të doja të flisja, s’ kisha pse të flisja.
Në vitin 1971 u botua një vëllim i imi në Kosovë. Për atë nuk u bë fjalë në shtypin tonë letrar dhe ai mbeti thuajse i fshehur. Pata fatin të kem një kopje të këtij libri dhe lexova pasthënien që kishte bërë kritiku Ali Aliu. Thuajse më kish lexuar mendimet që më kishin lindur dhjetë vjet më parë kur thoshte:
“Ky nuk çan kokën se përse e mbajnë të tjerët-për të parin apo për të fundit”. Ai dashur padashur, kishte thënë diçka thellësisht të vërtetë.
Kur dolëm nga korpusi i Universitetit të Tiranës, ecnim të tre (unë, Ismaili dhe Fatosi) pranë njëri-tjetrit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe besova që edhe Fatosi e kishte ndjerë thellë rrezikun imediat, kur dëgjova që i thoshte Ismailit:
-Bëmë mirë që folëm! Bëmë mirë!....

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza