Dhuna e kaosi i deputetëve të Berishës në Kuvend, Spiropali: Godasin dhe përçmojnë Gardën për të mbrojtur kryeplakun dhe familjen e tij

Dhuna e kaosi i deputetëve të Berishës në Kuvend, Spiropali: Godasin dhe përçmojnë Gardën për të mbrojtur kryeplakun dhe familjen e tij

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar për dhunën dhe kaosin e deputetëve të Berishës dhe Bardhit në sallën e Kuvendit.

Duke nisur që nga hyrja e Kuvendit, Spiropali u shpreh e indinjuar nga fyerjet e deputetëve opozitarë ndaj punonjësve të Gardës së Republikës. Ajo tha se goditjet dhe fyerjet ndaj punonjësve të Gardës bëhen me qëllim të mbrojtjes së verbër ndaj Berishës dhe familjes së tij.

“Ajo që më indinjoi më shumë sot që në hyrje të sallës së seancave në Parlament ishin fyerjet e shfrenuara ndaj burrave dhe grave të Gardës së Republikës.

Çdo fjalë që kolegëve të opozitës copë e çikë ua rroku mendja, e lëshuan në drejtim të punonjësve te Gardës, që paguhen me pagë modeste e punojnë shpesh jashtë orarit duke vënë në rrezik edhe shëndetin e tyre, për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucionet e rëndësisë së veçantë.

Kjo opozitë që nuk lë rast pa derdhur lot krokodili për shqiptarët e ndershëm e njerëzit e punës, fyen, përçmon, godet, punonjësit e Gardës me të ardhura shumë më modeste se ata, për të mbrojtur me forcë të verbër kryeplakun, familjen e tij, e pasuritë e tyre”- shkruan Spiropali.

Ministrja shtoi më tej se sjellje të tilla në Kuvend dëmtojnë imazhin e parlamentarizmit dhe të institucioneve të vendit. Ajo bëri thirrje që drejtësia të hetojë veprat penale të kryera nga deputetët e grupit Bardhi dhe Berisha në seancë plenare.

“Ky nuk është moral politik! Kjo s'është drejtësi! Këto nuk janë të drejta kushtetuese! Këto janë akte dhune, vepra penale, dhe pafytyrësi njerëzore që përdhosin mjedisin e bashkëjetesës demokratike, cënojnë sigurinë, dëmtojnë imazhin dhe rreken të shkatërrojnë parlamentarizmin dhe institucionet e vendit.

Arrakatja e opozitës vetëm nëpërmjet dhunës është ogurzezë pikë së pari për vetë opozitën, por edhe për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi që është lodhur nga pasojat e dhunës, të cilat janë aq të freskëta në mbamendjen e tyre.

Filozofi francez Zhak Mariten thotë se çdo protestë duhet të jetë jo e dhunshme dhe pikërisht këtu qëndron edhe forca e saj.

Publiku do i dënojë, siç i ka dënuar, me votë. Për vepra penale të konsumuara në sy të të gjithëve, drejtësia duhet të thotë fjalën e saj”- përfundon Spiropali reagimin e saj.


Lajmi kryesor:

Rithemelimi hedh kapsolla dhe tymuese në Kuvend! Maxhoranca kalon për 8 minuta buxhetin e paketën fiskale 2024! I pranishëm Rama (FOTO+VIDEO)


B.V/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic