TIRANË- Pamjet brenda një lokali në Thumanë, të filmuara nga vetë anëtarë të fisit Rraja, treguan dhunën e tyre barbare ndaj 2 kushërinjve të fisit Maja, që ankoheshin për dëmet në shtëpi nga gurorja e Përparim Rrajës, kushëririt të ish-deputetit Rrahman Rraja në Krujë. Por, për mjekësinë ligjore, në 2 ekspertiza njëra pas tjetrës nga 2 mjekë të ndryshëm, dhuna konsiderohet e lehtë. Pas akt-ekspertimit të parë të mjekut Elton Serani, Prokuroria kërkoi një tjetër akt-ekspertim, i cili në datën 18 shtator ka rikonfirmuar të njëjtin rezultat, dëmtime të lehta të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën 9 ditë.

Ky vlerësim i ekspertëve, tashmë në dorën e prokurorisë së Krujës, i favorizon pozitat ligjore të anëtarëve të fisit Rraja, të cilët me mbylljen e hetimeve, do ta dërgojë në gjykim dosjen ndaj tyre me akuzën e plagosjes së lehtë me dashje dhe të kanosjes.  

Në akuzë nuk reflektohet armëmbajtja pa leje, pasi siç pamjet që Rrajat filmuan si dëshmi force ndaj banorëve të tjerë të zonës që të mos ankoheshin për guroren, vëllai ish-deputetit, Xhelal Rraja, shfaqet edhe me armë në dorë. Nën akuzë prokuroria ka vënë 6 persona, 2 vëllezërit e ish-deputetit Xhelal dhe Flamur Rraja, në kërkim, djalin e tij, Rexhep Rraja, gjithashtu në arrati, kushëririn e gurores Përparim Rraja, nipin e tij Klajdi dhe Edion Metën.

Dhuna barbare ndodhi më 6 korrik të këtij viti, pasi kushërinjtë Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Rrajave po u prishte shtëpitë në Borizanë. Vëllezërit dhe djali i deputetit u shfaqën si në një skenë filmash duke goditur me shkopë bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda 2 persona. Bilbil e Jashar Maja përfunduan në spital vetëm se deshën të mbrojnë shtëpitë e tyre. Ngjarja e rëndë pati një reagim zinxhirë, deri në instancat më të larta. Kryeministri Rama urdhëroi shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, Rrahman Rraja la mandatin e deputetit, ndërsa u shkri i gjithë Komisariati i Krujës. Aktualisht, për këtë ngjarje janë 6 persona në kërkim. FNSH ka kryer kontrolle të shumta, por asnjëri prej tyre nuk është gjetur.

Në kërkim

  1. Edison Meta
  2. Përparim Rraja
  3. Xhelal Rraja
  4. Flamur Rraja
  5. Rexhep Rraja 
  6. Klajdi Rraja