VLORË- Dhuna e përdorur dje ndaj protestuesve kundër resortit në Zvërnec nga roje të maskuar të një kompanie private sigurie ka çuar në pranga një prej punonjësve të sigurisë dhe dy të tjerë janë vënë nën hetim. Në pranga ka rënë security Genard Biba, 32 vjeç, banues në Durrës, i cili shërben në kompaninë 'Major Security' dhe më parë ka qenë roje sigurie edhe për shumë personazhe të shoëbizz-it shqiptar, si Noizy apo Loredana.

Biba dhe 2 punonjësit e tjerë kanë dhunuar protestuesin, i cili shfaqet në pamje duke u tërhequr zvarrë nga rrethimi i kantierit. Policia e Shtetit thotë se Biba e ka qëlluar me grushte protestuesin, ndërsa më pas në bashkëpunim me dy punonjësit e tjerë, të vënë nën hetim, e kanë marrë me forcë dhe e kanë tërhequr drejt vendit të rezervuar për rojet. Ata e kanë mbajtur protestuesin brenda kabinës së rojës dhe është liruar vetëm pasi kanë ndërhyrë forcat e policisë dhe e kanë nxjerrur. Ndaj Bibës rëndojnë dy akuza, "Heqja e paligjshme e lirisë" dhe "Plagosja e lehtë me dashje", ndërsa Artur Grami dhe Gazmend Vathi janë nën hetim për plagosje e lehtë me dashje. 

Vetëm një ditë më parë Policia e Vlorës pretendoi se protestuesi ishte futur me forcë në kantierin e ndërtimit dhe për këtë arsye dy rojet private e kanë tërhequr zvarrë. Por, pak orë më pas ky qëndrim solli reagimin e Policisë së Shtetit, e cila deklaroi se protestuesi nuk ishte futur me forcë në kantier, por rojet e sigurisë private e kanë tërhequr që prej rrethimit të vendosur në zonën ku pritet të ngrihet resorti nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, ndërsa drejtori i policisë së Vlorës, Elidon Cela u pezullua nga detyra.

Protesta nxiti reagim publik sepse policët privatë shfaqen të maskuar dhe hedhin spray me piper ndaj protestuesve, por edhe ndaj vetë efektivëve të policisë. Kompania private e sigurisë, 'Major Security', në disa postime në rrjetet sociale reklamon punonjësit me maska në fytyrë, njëjtë sic u shfaqën dje në protestë.

1780214007_majorsecurity.jpg

Agjencia ‘Major Security’ ka reklamuar disa punonjës të sigurisë me maska

Por pikëpyetja që mbetet, dhe që ende nuk ka marrë përgjigje nga autoritetet, është se me çfarë autorizimi rojet private të sigurisë përdorin spray kundër protestuesve dhe policëve? Në rast se protestuesit janë në shkelje të ligjit, pse efektivët nuk ndërhynë drejtpërdrejtë gjatë protestës, por qëndruan në distancë dhe reaguan vetëm pasi protestuesi u tërhoq zvarrë dhe u mbajt në vendin e rojës. Pas gjithë kësaj përplasje, kryepolici Skënder Hita ka urdhëruar hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.

"Menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike ku shfaqet një punonjës i shoqërisë private të sigurisë duke goditur me grusht shtetasin E. S., Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të analizuar dhe hetuar të gjitha veprimet e ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026 nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”.

Në vijim të veprimeve hetimore, u bë identifikimi dhe shoqërimi i punonjësit të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit G. B., 32 vjeç, banues në Durrës, i cili, në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë" dhe "Plagosja e lehtë me dashje".

Ky shtetas ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V. (të dy të proceduar penalisht), e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Ndërkohë, paralelisht me veprimet hetimore, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.

Policia e Shtetit është e vendosur të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, të garantojë sigurinë e jetës dhe të pronës, si dhe të ndëshkojë çdo punonjës policie që neglizhon detyrën apo abuzon me të", njoftoi Policia e Shtetit. 

Banorë të zonës, por edhe aktivistë në protestën kundër resortit, kërkojnë ndërprerjen e punimeve me argumentin se po shkatërrohet natyra. Ndërsa, kompania që po ndërton resortin dje reagoi për herë të parë pas protestave, duke thënë se toka është tërësisht private dhe se biodiversiteti do të ruhet.

--------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:21
Një ditë pas protestës së dhunshme në Zvërnec, hiqen telat me gjemba

Një ditë pas protestës dhe episodeve të dhunës në Zvërnec janë hequr telat me gjemba të vendosur mbi gardhin metalik që rrethon sipërfaqes ku parashikohet projekti pranë Lagunës së Nartës.

Në fotot e siguruara nga Report Tv, shihet se pas përplasjes së dhunshme mes protestuesve, policisë dhe një grupi policësh privatë të maskuar, telat me gjemba kanë nisur të hiqen dhe ngarkohen në mjete që po i largojnë nga aty.

Ora 16:10
Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec nga rojet private, ministria e Jashtme e Greqisë: Mbeti i plagosur një shtetas grek, të mbrohen të drejtat e minoritet

1780237636_GreekFlag5.jpg

Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar lidhur me protestën e djeshme në Zvërnec, e cila u përfshi nga dhuna e ushtruar nga disa roje private, ndaj qytetarëve që janë kundër resortit që është planifikuar të ndërtohet në zonë.

Athina zyrtare thotë se gjatë protestës mbeti i plagosur dhe një shtetas grek, duke nënkuptuar një anëtar të minoritetit grek në vendin tonë. Ministria greke thekson se Ambasada e Greqisë në Tiranë ndërmori menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i ofruar shtetasit grek të gjithë asistencën e nevojshme konsullore dhe mjekësore.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj të fortë për incidentet e ndodhura dje, më 30 maj 2026, në Zvërnec të Shqipërisë, gjatë protestës së banorëve për të drejtat e tyre pronësore, mes të cilëve ndodhej edhe një shtetas grek që mbeti i plagosur”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

“Ambasada e Greqisë në Tiranë po kryen paralelisht edhe ndërhyrjet e nevojshme pranë palës shqiptare, duke kërkuar zbardhjen e plotë të incidentit dhe vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës”, thuhet më tej në deklaratë, ku shtohet se: “Në këtë kuadër, ne marrim në konsideratë reagimin e parë të autoriteteve shqiptare”.

“Ritheksojmë nevojën për respektimin e plotë të shtetit të së drejtës, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe pronave të anëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek, si edhe rëndësinë e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura mjedisore, në kuadër të përafrimit me acquis communautaire të Bashkimit Europian, respektimi i të cilit përbën kusht për përparimin e procesit të integrimit”, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë.

Ora 15:20
Besart Xhaferri reagon për dhunën në Zvërnec: Akti i vetëm i denjë është dorëheqja e Skënder Hitajt

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve kundër resortit në Zvërnec, duke akuzuar policinë për mosveprim në vendngjarje. Në një reagim në Facebook, ai tha se pamjet e publikuara treguan “banditë të veshur me të zeza” që dhunuan dhe rrëmbyen një qytetar në mes të ditës, ndërsa policia, sipas tij, qëndroi spektatore. Xhaferri e cilësoi ngjarjen si një kambanë alarmi për vendin dhe kërkoi dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke deklaruar se shkarkimet e drejtuesve lokalë nuk mjaftojnë përballë asaj që ai e konsideron një dështim të rëndë institucional.

" Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhunën çnjerëzore të ushtruar dje në Zvërnec dhe mos reagimin në flagrancë të policisë në vendngjarje. Ajo që pamë ishte fytyra e vërtetë e një shteti që ka humbur kontrollin mbi rendin dhe ligjin. Një polici që gjen forcë të përballet me protestuesit e opozitës, por që zgjedh të bëhet spektatore kur banditë të veshur me të zeza dhunojnë dhe rrëmbejnë qytetarë në mes të ditës. Rrëmbimi demonstrativ i një qytetari në sy të qytetarëve të tjerë është kambanë alarmi për çdo shqiptar. Ky nuk është më shtet i së drejtës. Ky është normalizim i banditizmit dhe i frikës. Skënder Hitaj nuk mund të fshihet pas shkarkimeve të drejtorëve lokalë. Nëse do të kishte minimumin e përgjegjësisë morale dhe institucionale, akti i vetëm i denjë do të ishte dorëheqja. Sot nuk është më çështja nëse investimi është në tokë private apo publike, nëse është ekologjikisht katastrofë apo ekonomikisht i dobishëm. Të gjitha këto humbasin çdo rëndësi përballë dhunës brutale që dëshmuam dje. Sepse në momentin kur bandat veprojnë të paprekshme dhe policia hesht, Shqipëria pushon së funksionuari si shtet" shkroi ai. 

Ora 13:51
Pamjet e rënda nga protesta në Zvërnec, rojet private shajnë dhe qëllojnë me gurë qytetarët (VIDEO)

Disa pamje të rënda po qarkullojnë në rrjetet sociale nga protesta e djeshme në Zvërnec të Vlorës, ku rojet privatë shajnë dhe qëllojnë me gurë qytetarët.

Në pamjet e ndara nga Lëvizja Bashkë, dëgjohen rojet e sigurisë teksa u drejtohen protestuesve me një gjuhë të ashpër dhe sharje nga më të rëndat.

‘Do të q* robt, mbaje mend’, dëgjohet t’u thotë protestuesve njëri prej rojeve privatë dhe më pas merr një gur të madh dhe e hedh në drejtim të tyre.

Protesta në Zvërnec ditën e djeshme u zhvillua kundër ndërtimit të një resorti në zonë nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.

Ora 10:26
Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec, Avokati i Popullit: Kemi kërkuar informacion të detajuar nga Policia, do vijojmë ta ndjekim rastin

1780216304_avokatiipopullit.jpg

Institucioni i Avokatit të Popullit ka vijuar hetimin e nisur kryesisht për ngjarjet e ndodhura në Zvërnec, ku pati ndalime dhe dhunim të qytetarëve gjatë protestës kundër projektit turistik në zonë.

Sipas një deklarate për shtyp, drejtuesja e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit qëndroi deri në orët e vona të së shtunës në Komisariatin e Policisë Vlorë, ku verifikoi nga afër gjendjen e protestuesve të ndaluar gjatë aksionit policor.

Deklarata e plotë:

Drejtuesja e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit qëndroi deri në orët e vona të së shtunës në komisariatin e policisë Vlorë, ku verifikoi në vend gjendjen e protestuesve të ndaluar gjatë ngjarjeve në Zvërnec. 

Kjo vizitë është pjesë e hetimit që kemi nisur kryesisht (ex officio) për dhunën ndaj qytetarëve që ushtronin të drejtën kushtetuese të protestës.

Gjatë inspektimit u zhvillua edhe një takim me drejtuesit e drejtorisë vendore të policisë për të diskutuar respektimin e bazës ligjore të ndalimeve dhe trajtimin e të ndaluarve. 

Avokati i Popullit ka kërkuar zyrtarisht nga policia informacion të detajuar për mënyrën si u mbikëqyr veprimtaria e policisë private në zonën ku po protestohej.

Avokati i Popullit do të vijojë ta ndjekë këtë çështje dhe do të informojë publikun për hapat e mëtejshëm.

Ora 10:12
Dhunoi dhe tërhoqi zvarrë protestuesin në Zvërnec, si shoqëria ‘Major Security’ reklamonte me maska Gerald Bibën dhe rojet e tjerë privatë

1780214007_majorsecurity.jpg

Gerald Biba, roja i sigurisë i arrestuar për dhunimin e protestuesve në Zvërnec, është punonjës i ‘Major Security’, e kontraktuar nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila po ndërton resortin në zonën e mbrojtur në Vlorë.

Report Tv ka siguruar një fotografi të Gerald Bibës, i cili reklamohej nga ‘Major Secyrity’, sëbashku me roje të tjerë private, në faqen zyrtare në rrjetet sociale.

Nga fotografia në fjalë, rojet e sigurisë të Major Security janë të pajisur me maska, praktikë të cilën e ndoqën edhe gjatë dhunimit të qytetarëve në Zvërnec, me qëllim që të mos identifikoheshin.

Ora 10:07
FOTO/ Ky është Gerald Biba, roja private që dhunoi protestuesin në Zvërnec

1780215076_geraldbiba.jpg

Personi që shihni në foto është Gerald Biba, punonjësi i kompanisë private të sigurisë "Major Security", i cili ditën e djeshme dhunoi një qytetar në Zvërnec, që po protestonte kundër ndërtimit të resortit.

R.Xh/K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ish of. I U.P.: 31/05/2026 16:53

    Besart kur gjaku bëhet ujë ashtu je dhe ti.Besart pyetë në shtëpi se çfarë është detyra?Por pyet AMA!Besart ku u vu dorë në bulevardin e Vlorës apo në n pronë private?Besarrë do shkohë ti nën uniformë,duke dorëzuar mandatin e deputetit?

    Përgjigju
  • rrema: 31/05/2026 14:28

    Kjo "MERI"duhet qirë....o idjote u bënë 36 vjet pa investim,përse nuk ndërtohet.... O idjote në Antale të Turqisë janë mbi 2000 rezorte nga të huajt që kanë sjellë punësim,mirqënie... Këtu të gjitha fushat janë të djera se katundarë kanë marë arratinë dhe punojnë tokat e grekut...

    Përgjigju
  • jani: 31/05/2026 12:05

    Ajo qe pashe dje ishte e tmerrshme, e papranueshme per cdo qytetar te republikes. i takon edi rames te parit te dali urgjent aty dhe te japi llogari, te thote ca po ndodh. nga ana tjeter kompania private e sigurise u soll si bande kriminale, shyqyr zotit ishin kamerat qe fiksuan gjithcka se mediat e qeverise i ruajten deri ne fund edhe mosveprimin e policise te shtetit. per ata neni 110 i kodit penal parashikon "rrembim personi" deri ne 20 vjet burg. spak bkh te veproje ne kohe e te na ktheje besimin tek shteti

    Përgjigju
  • ylli: 31/05/2026 10:34

    VLORA..VLORA..VLORA..VLORA BJERI ME JU LUMTE DORA...///

    Përgjigju
  • viron: 31/05/2026 09:59

    Këta derr katundarësh nuk e kuptojnë që investimi është zhvillim,punësim e mirëqenies...janë të shtyrë nga non grata..

    Përgjigju
    • Meri: 31/05/2026 14:04

      Ti qytetai intiligjet, që kupton shumë,e shikon që nuk ka ngelur mē,territor nē shqipëri për ne,shqiptarët?.Qevirritarët tan,të gjitha pasurit tona i'a kan shitur të huajve,duke filluar nga minierat ,nafta,tani edhe bregdetin.Ne, pas pak vitesh, detin do ta shikojmë me dylbi,sepse këta investitorër strategjik nuk të lejojnë të afrohesh,sepse është bër, pron e tyre:

    • Nob: 31/05/2026 12:54

      Shum e saktë Vrion!

    • Turi: 31/05/2026 12:53

      Ti o qytekar qe kupton shume dua te te shikoj nese dikush vjen dhe te mer pronen tende per te ber resort se cfare do te besh ? Ju jeni komplet servilat e regjimit per nje page 40 mije lekeshe dhe skeni kellqe te dilni kundra grabitesve se ngeleni pa buke

    • Biku: 31/05/2026 12:41

      O llapanjoz do vish ti te punosh aty te investimi? Apo ti je ne emigrim e po na jep mend ne te tjerve.

    • Laert: 31/05/2026 10:30

      Po punesim i pakistanezeve, indianeve dhe bangladeshasve se shqiptaret po ikin me vrap.

  • Sondazhi i ditës: 27 Maj, 09:19

    Shqipëria nis mbylljen e kapitujve për anëtarësim, a do realizohet objektivi BE 2030?