Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka njoftuar se ka nisur hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës, pas dhunës së ushtruar ditën e djeshme nga roje privatë të maskuar ndaj qytetarëve që kishin dalë për të protestuar kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit në Vlorë, i cili po ndërtohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.
Përmes një njoftimi, Policia gjithashtu ka njoftuar edhe arrestimin e një truproje private të kompanisë 'Major Security', shtetasit Gerald Biba, që goditi me grusht dhe tërhoqi zvarrë gjatë protestës një qytetar. Nën hetim janë vendosur gjithashtu edhe 2 roje të tjerë të shoqërisë private 'Major Security', që morën pjesë në dhunimin e qytetarëve.

Agjencia ‘Major Security’ ka reklamuar disa punonjës të sigurisë, mes të cilëve edhe roja private Gerald Biba, i cili dhunoi protestuesit në Zvërnec
Ngjarjet në protestën e djeshme kanë nxitur reagim të gjerë publik sepse rojet privatë të sigurisë që u shfaqën të maskuar, hodhën spraj me piper ndaj protestuesve, por edhe ndaj forcave të rendit, duke mos kursyer as uniformat blu.
Ata gjithashtu tërhoqën zvarrë për disa dhjetëra metra dhe dhunuan një prej protestuesve, i cili pretendonte se ishte pronari i ligjshëm i pronës.
Disa orë pas protestës, Policia e Vlorës reagoi për përplasjen në Zvërnec, duke thënë se mori masat e nevojshme si për garantimin e tubimit ashtu edhe për mbrojtjen e pronës private.
Në njoftimin zyrtar, Policia tha se një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme. Në këto rrethana sipas tyre, njëri prej protestuesve, është futur brenda rrethimit të kantierit dhe është tërhequr me forcë nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë dhe ka mbetur i dëmtuar.
Por ky fakt i raportuar nga policia e Vlorës është mohuar nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila tha se qytetari nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.
Pas raportimit të gabuar, kreu i policisë së shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra drejtorin e policisë së Vlorës, Elidon Çela.
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë së Shtetit:
Identifikohet, kapet dhe arrestohet punonjësi i shoqërisë private të sigurisë së kantierit që goditi me grusht shtetasin E. S.
Ndërkohë, nis hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë.
Menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike ku shfaqet një punonjës i shoqërisë private të sigurisë duke goditur me grusht shtetasin E. S., Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të analizuar dhe hetuar të gjitha veprimet e ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026 nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë identifikimi dhe shoqërimi i punonjësit të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit G. B., 32 vjeç, banues në Durrës, i cili, në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë" dhe "Plagosja e lehtë me dashje".
Ky shtetas ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V. (të dy të proceduar penalisht), e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Ndërkohë, paralelisht me veprimet hetimore, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.
Policia e Shtetit është e vendosur të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, të garantojë sigurinë e jetës dhe të pronës, si dhe të ndëshkojë çdo punonjës policie që neglizhon detyrën apo abuzon me të.
Lajm në përditësim...

Gerald Biba, roja i sigurisë i arrestuar për dhunimin e protestuesve në Zvërnec, është punonjës i ‘Major Security’, e kontraktuar nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila po ndërton resortin në zonën e mbrojtur në Vlorë.
Report Tv ka siguruar një fotografi të Gerald Bibës, i cili reklamohej nga ‘Major Secyrity’, sëbashku me roje të tjerë private, në faqen zyrtare në rrjetet sociale.
Nga fotografia në fjalë, rojet e sigurisë të Major Security janë të pajisur me maska, praktikë të cilën e ndoqën edhe gjatë dhunimit të qytetarëve në Zvërnec, me qëllim që të mos identifikoheshin.

Personi që shihni në foto është Gerald Biba, punonjësi i kompanisë private të sigurisë "Major Security", i cili ditën e djeshme dhunoi një qytetar në Zvërnec, që po protestonte kundër ndërtimit të resortit.
Komente








