Dhuna ndaj gruas, çështje private?

Dhuna ndaj gruas, çështje private?
Gjatë këtyre ditëve të ngarkuara me jehonën e skandalit të vjedhjes në Thesarin e Shtetit, realisht ka patur edhe lajme të tjera tronditëse, për akte barbare që ngjasojnë pikërisht me reminishenca të një të kaluare të largët. E keqja shtohet kur mëson që ato nuk janë raste të veçuara, por të vazhdueshme dhe me pasoja të rënda. Sidoqoftë, ajo që është edhe më shqetësuese ka të bëjë me faktin se, jo gjithmonë kryerja e këtyre akteve  shoqërohet me ndonjë reagim të fortë të opinionit tonë të gjerë publik, si në rastin e dhunës nëpër stadiumet e futbollit. Heshtja e shpeshhershme, njëkohësisht ngre përpara shtetit dhe shoqërisë shqiptare një problem, që meriton të analizohet seriozisht dhe të fillojë gradualisht të zgjidhet një herë e mirë.

     Për çfarë problemi është fjala? Konkretisht, para rreth një muaji u dha në emisionet e lajmeve edhe kronika për një ngjarje të dhimbshme në Tiranë, sipas të cilës, një burrë i shtytur nga xhelozia ia pret me dhëmbë hundën bashkëshortes së tij, siç ka ndodhur qëmoti kryesisht në zona të thella të vendit. Dhe, ende pa fërgëlluar ky fakt veshëve të qytetarëve tanë, kur burri dhunues u detyrua t’i nënshtrohej ndjekjes penale, e ngrata grua deklaroi se, ndonëse nuk do të donte t’ia shihte ndonjëherë as sytë të shoqit, këtij ia falte atë që kishte bërë për hatër të të afërmve dhe të komshinjve të tyre. Duhej vetëm një psherëtimë lehtësimi për ta larguar këtë ngjarje menjëherë nga vëmendja e gjithë shoqërisë. Ashtu sikurse ndodh me gjithçka që pëshpëritet ditë pas dite, për dhunën e larmishme fizike dhe psikologjike të ushtruar brenda familjes apo nga ish bashkëshortët. Le të shpallen madje edhe vendime gjyqësore në mbrojtje të grave, për të ndaluar (ish)bashkëshortët t’u afrohen atyre në distanca të shkurtra! Avazi vazhdon, pa i ulur notat dhe pa përfshirë akordert.

     Duket pra, që nuk mjafton as volumi i madh i ligjeve për të arritur së paku reduktimin e kësaj lloj dhune. Nuk mjafton, sepse shoqëria shqiptare dhe gruaja si pjesë pjesë e saj, në më të shumtën e rasteve është e prirur për ta trajtuar si një çështje thjesht private gjithçka ndodh pas dyerve të mbyllura. Me këtë lloj konceptimi ngatërrohet keqazi edhe thelbi i të drejtave themelore të njeriut, duke i kuptuar dhe trajtuar këto të drejta herë në mënyrë të përgjithshme dhe herë në mënyrë të sipërfaqshme, pa qenë objektivë për perspektivat e adaptuara. Kjo ndodh ndoshta edhe se, veçanërisht të drejtat e grave, të njëjta me të drejtat themelore të njeriut, ndërkombëtarisht janë pranuar dhe specifikuar si të tilla realtivisht vonë. Fillimisht më 1993, Konventa e Vjenës dhe Programi për Veprim shprehen në nenin 18, se: ”Të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave janë pjesë e patjetërsueshme, integrale dhe e pandashme e të drejtave njerëzore universale”. Realtivisht vonë vërtet, por sidoqoftë përpara se sa të niste mijëvjeçari i ri iu dha Kombeve të Bashkuara mandati për të promovuar progresin ekonomik dhe social të gruas. Një Komisioni i posaçëm i OKB e përcaktoi dhunën ndaj tyre në vetvete si një shkelje të shumëfishtë të të drejtave të njeriut, duke shërbyer kështu si një pengesë serioze për barazinë. Më tej, këto përcaktime u pasuan me hartimin dhe miratimin e një sërë instrumentesh juridike me detyrime në rrafsh global dhe rajonal, nëpërmjet të cilave u njoh paraprakisht dhuna ndaj grave në familje si formë e veçantë diskriminimi dhe u nxitën qeveritë e Shteteve Anëtare të Kombeve të Bashkuara që të ndërmerrnin hapa përpara në politikat e brendshme të tyre, me qëllim mbrojtjen, përmbushjen dhe zbatimin e të drejtave të grave dhe vajzave. Një nga këto instrumente – CEDAW u ratifikua nga Shqipëria më 23 qershor 2003, ndërsa adoptimin e kësaj Konvente nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ajo e nënshkroi në Takimin e KiE në Stamboll më 19 dhjetor 2011.

     Këto dhe të tjera të dhëna në fushën e legjislacionit kanë shënuar edhe në Shqipëri përparime. Por sa më tepër kohë kalon, aq më të limituara, aq më të pamjaftueshme mbeten deri diku këto përparime. Për shembull, ligji ”Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” përcakton në nenin 3 të tij kuptimin e dhunës sipas legjislacionit shqiptar, pra si: ”çdo veprim apo mosveprim që cenon integritetin fizik, moral, psikologjik, seksual, ekonomik, social të personave”. Ndërkohë që në neni 1 të DEVAW kuptohet me dhunë posaçërisht ndaj gruas çdo akt që rezulton ose mund të rezultojë me dëm fizik, seksual apo psikologjik. Ndërsa me përdorimin në Kodin tonë të Familjes të termit ’keqtrajtim’, vëmendja përqëndrohet më shumë te efekti se sa te sjellja. Më këtej, sipas një dispozite të fundit të Kodit Penal për dhunën në familje, përkatësisht për dhunën ndaj grave në mjedisin familjar, kjo duhet të paraqesë ankesën dhe të mbajë para organeve të drejtësisë barrën e të provuarit.

Mirëpo, këtu megjithatë vazhdon ngërçi në raportet e rasteve, sepse (siç është diskutuar dhe ngritur me të drejtë zëri i disa ekspertëve të fushës) kompleksi i turpit, pamundësia për ta provuar dhunën psikologjike, përballja ende me paragjykimet dhe mosbesimi te organet e drejtësia, gruan shqiptare në përgjithësi e frenojnë për të përfituar nga garancitë dhe mbrojtja, që i siguron asaj legjislacioni. Në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006 ”Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” parashikohet që në rastet kur mungojnë provat e kërkuara për lëshimin e një urdhëri mbrojtjeje, gjykata vendos me bindjen e vet. Edhe ky parashikim, përveç efektit pozitiv të mosngarkimit të gruas me barrën e sigurimit domosdoshmërisht të provave, gjithashtu mund të ketë edhe efektin negativ në rastin e moslëshimit të këtij urdhëri mbrojtjeje në kushtet e dhunës së vazhdueshme psikologjike, që është pothuajse e pamundur të provohet me raporte mjekësore, duke krijuar te gjykata ndrojtjen apo refuzimin për të vendosur dhe shpallur urdhër – mbrojtjen.

     Dihet që ndërmjet masave kundër dhunës në familje legjislacioni shqiptar parashikon edhe ndalimin e menjëhershëm të bashkëshortit dhunues. Por kjo ndërhyrje e shtetit, praktikisht  shërben veçse si ndërprerje e përkohëshme e cikli të dhunës, sikurse edhe largimi i detyruar për disa kohë nga streha bashkëshortore i burrit dhunues më tepë tep është një sanksion social. Dhe të gjitha këto, për të mos lejuar ata të dhunshëm që të arrijnë në vepra penale më të rënda. Këtij qëllimi duket se i përkon parashikimi i Kodit tonë Penal, për dënimin deri në 2 vjet burgim përgjegjësit për dhunën në familje. Ndërsa, duke iu referuar të drejtës familjare, e cila ”këshillon” ruajtjen dhe konservimin e martesës si celulë bazë e shoqërisë, vetëm bashkëjetesa e pamundur më gjatë do të plotësonte juridikisht motivin e zgjidhjes së martesës. Mirëpo, përmbajtja e këtij motivi mund të interpretohet me fjalë të tjera edhe që divorci të arrihet vetëm pas vazhdueshmërisë së keqtrajtimieve ndaj viktimës. Prandaj, ndonjëherë operatorët juridikë e shohin më efektive ndalimin e dhunës jo aq nga zgjidhja e martesës së çiftit, se sa nga kallëzimi penal në referim të nenit 130/a të Kodit Penal.

     Nuk mund të mohohet kategorikisht që në Shqipëri edhe punohet me programe të rehabilitimit të grave të dhunuara dhe, në këtë kuadër, ditëve të fundit Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë deklaroi se brenda një periudhe disa mujore femrat që kanë  denoncuar dhunën ndaj tyre e kalon numrin 600. Megjithatë, më tepër se sa shifrat, për t’u mbështetur është opinioni edhe i ndonjë eksperti shqiptar të së drejtës private evropiane, sipas të cil/it/ës, nuk duhet harruar që nëse kemi gjithnjë e më shumë gra të afta që kundërshtojnë haptazi dhunën e bashkëshortëve të tyre, nuk kemi gjithashtu më pak burra dhunues. Pra, ende nuk po bëhen përpjekje efektive dhe të kohës që eleminimi i dhunës në familje të nisë jo nga gratë, por pikërisht nga burrat, që ushtrojnë keqtrajtim të vazhdueshëm mbi bashkëshortet e tyre. Është e qartë që rezultatet konkrete nuk mund të jenë të menjëhershme dhe të konsiderueshme, sepse më së pari shumë burra shqiptarë, sidomos ndërmjet atyre që jetojnë tradicionalisht në zona rurale të varfëra apo që janë shpërngulur së fundi në periferitë e qyteteve të mëdha, ende vuajnë nga maskilizmi brutal ”i denjë” për kohët precivilizuese. Te disa nga ata, këtij tipari i shtohen edhe një sërë kompleksesh të tjera, që i bëjnë të mos mund të pranojnë biseda në grup, përderisa e quajnë dhumën ndaj gruas, duke u mbështetur edhe nga të afërm të vet, si një çështje private.

Sidoqoftë, ndoshta do të ishte me interes të vendoseshin ndaj tyre nga organet e Rendit masa të detyrimit për paraqitje, për paraqitje jo në komisariatet e Policisë së Shtetit, por në qendra të specializuara, ku mund të sigurohet komunikimi ndërpersonal. Në vazhdim të kyre përpjekje, në legjislacionin tonë mund të parashikoheshin dhe të aplikoheshin kufizime të lirisë barabare të atyre burrave, deri edhe te konfiskimi i ndonjë llogarie bankare apo vendosjen e një gjobe, duke mundësuar me ’to suporte ekonomike që gruaja të siguronte, qoftë edhe pjesërisht, vazhdimësinë ekonomike të saj dhe të familjes. Ka edhe mënyra të tjera të efektshme, për shembull, organizimi i trajnimeve për informim paramartesor, si një obligim social që mund t’ia vendosin çiftit zyrat e Gjendjes Civile etj, etj. Përpjekjet për të gjetur forma të shumëllojshme në këtë drejtim janë tek e fundit obligim edhe për të gjitha organet publike, përderisa shteti mbart detyrimin të transmetojë te qytetarët vlerat e një bashkëjetese të bazuar në parimet për emancipimin e shoqërisë, në respektin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat shprehen qartë në Kushtetutën e vendit dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të pranuara gjithësisht.     

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, demokratët shpërdoruan taksat e amerikanëve për të goditur

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, demokratët shpërdoruan taksat e amerikanëve për të goditur