Gjykata e Apelit la të pandryshuar masën arrest në burg, për një nga rojet private të sigurisë të arrestuara pas përplasjeve me protestuesit në Zvërnec, ngjarje e ndodhur më 29 maj, e që nxiti më tej protestat në Tiranë. Apeli vendosi të lë në fuqi masën arrest në burg dhënë nga Gjykata e Vlorës, për Geraldo Bibën, pronarin e kompanisë "Major Security".

Më herët, Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Gazmend Vathin, nga "arrest në burg" në "arrest shtëpie". Në seancat e mëparshme, ka mbetur në fuqi masa arrest me burg edhe për Artur Granin.

Ata dyshohen për përfshirje në incidentin ku një protestues u tërhoq zvarrë gjatë tubimit në Zvërnec kundër idesë për një resort, në prani të efektivëve të Policisë së Shtetit. 

Gazmend Vathi dhe Artur Grani ishin punonjës të kompanisë së sigurisë, por të paregjistruar. As kompania Major Security nuk ishte kontraktuar për sigurinë në kantierin e Zvërnecit. 

Pas incidentit, u shkarkua nga detyra drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, ndërsa hetimet për ngjarjen janë ende në zhvillim..

Artur Grami dhe Gazmend Vathi

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.