Dhuna në familje, Rauning: 60% e 
grave viktima, denonconi abuzimet!

Dhuna në familje, Rauning: 60% e <br />grave viktima, denonconi abuzimet!
ELBASAN - Në kuadrin e Ditëve kundër dhunës në familje, organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Florian Rauning, u bëri thirrje të gjithë viktimave të këtij fenomeni që të denoncojnë rastet e dhunës dhe abuzimit, ndërsa bëri apel se ky është një fenomen i cili mund të luftohet krahas të tjerave edhe përmes sensibilizimit të të gjithë shoqërisë.

Rauning tha se viktimë e dhunës në familje janë të gjithë, dhe jo vetëm gratë apo fëmijët.

“Kam kënaqësinë të hap sot në Elbasan një nismë të rëndësishme të Prezencës së OSBE-së dhe Policisë së Shtetit shqiptar: një fushatë kundër dhunës në familje në Shqipëri. Dhuna në familje nuk është vetëm abuzim fizik – rrahje me grushte apo me shkelma – ajo përfshin edhe ofendimet, kërcënimet për dëme fizike, përdhunimin dhe një sërë sjelljesh kontrolluese. Gratë janë viktimat kryesore, por jo të vetmet. Edhe fëmijët dhe burrat mund të jenë objekte të dhunës në familje.” tha Rauning

Sipas Rauning, në kuadër të fushatave të sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve, janë shtuar rastet e denoncimit të grave për dhunën në familje. Megjithatë Rauning theksoi se akoma më tepër mund dhe duhet të bëhet në këtë drejtim.

Konkretisht, në bazë të statistikave të INSTAT, ambasadori i prezencës së OSBE-së nënvizoi se vetëm gjatë vitit 2013, 60% e grave kanë rënë pre e dhunës në familje në vendin tonë, dhe vetëm 8% prej tyre e kanë denoncuar abuzimin.

Por Rauning, shtoi se falë fushatave ndërgjegjësuese, është shtuar numri i grave që kanë marrë guximin ta denoncojnë, ndërsa shtoi se kjo praktikë duhet intensifikuar, për të neutralizuar këtë fenomen.

“Sipas sondazhit të INSTAT-it të vitit 2013, afërsisht 60% e grave shqiptare të pyetura në këtë sondazh kanë qenë në një moment të jetës së tyre viktimë e dhunës në familje; 53% ishin “gjatë kohës së sondazhit” në një marrëdhënie abuzive. Vetëm 8% e këtyre grave kishin kërkuar ndihmë. Pas disa muajsh angazhimi dhe trajnimesh të organizuara nga Prezenca e OSBE-së në Korçë, policia dhe shërbimet sociale na kanë informuar se është rritur numri i grave që kërkojnë ndihmë. Qëllimi ynë është të sigurojmë vazhdimësinë e kësaj tendence dhe përhapjen e saj në mbarë vendin. Dhuna në familje mund të ndodhë kryesisht pas dyerve të mbyllura, por ajo nuk është çështje private dhe familjare. Ajo është e pamoralshme dhe e paligjshme. Secili prej nesh e ka detyrim që të bëjë çfarëdo që të mundet për ta parandaluar këtë lloj dhune e për t’u dhënë mundësi viktimave që të marrin ndihmën dhe mbrojtjen që u nevojitet dhe për të garantuar ndjekjen penale të këtyre krimeve.” u shpreh ambasadori Rauning

Ambasadori i OSBE-së vuri në dukje faktin se në vendin tonë ekzistojhnë strukturat dhe kuadri ligjor për të luftuar këtë fenomen. Në këtë kontekst, Rauning, tha se prezenca e OSBE-së në Tiranë ka hartuar një udhëzues praktik për viktimat e dhunës në familje, për të ndihmuar ata që punojnë me viktimat dhe për të asistuar viktimat në marrjen e ndihmës.

Por krahas kësaj, ambasadori i OSBE-së, ripërsëriti thirrjen e tij për dhënien fund të heshtjes ndaj këtij fenomeni, që sipas tij është i papranueshëm në kulturën e një vendin europian dhe demokratik.

“Shqipëria e ka një kuadër ligjor për të asistuar viktimat, për t’i mbrojtur ato, duke i ndihmuar në të njëjtën kohë që të rindërtojnë nga e para jetët e tyre. Ekzistojnë një sërë strukturash dhe autoritetesh që mund t’i ndihmojnë ata që preken nga dhuna në familje. Disa prej tyre si Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit, janë këtu me ne sot. Ashtu si Prezenca e OSBE-së, ato janë të gjitha të angazhuara për ta parandaluar dhe për t’i dhënë fund dhunës në familje.  Si shprehje të këtij angazhimi, Prezenca ka hartuar një udhëzues praktik për viktimat e dhunës në familje, për të ndihmuar ata që punojnë me viktimat dhe për të asistuar viktimat në marrjen e ndihmës, mbrojtjes dhe drejtësisë. Ky udhëzues përdoret tashmë prej më shumë se gjashtë vjetësh. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet fakti se dhuna në familje nuk mund të adresohet vetëm përmes mjeteve ligjore. Kjo nuk është punë vetëm e policisë dhe gjykatave. Ne duhet ta ndryshojmë mentalitetin që e pranon dhunën ndaj grave dhe fëmijëve. Ne duhet të mos e pranojmë në asnjë mënyrë idenë se tradita apo kultura i bëjnë disa sjellje të papranueshme të duken disi të natyrshme. Kultura e heshtjes duhet të marrë fund, tani!” përfundoi kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë.

I të njëjtit mendim ishte edhe zëvendësministri i Brendshëm Ilirjan Mustafaraj, i cili theksoi se Ministria e Brendshme ka kapacitetet e nevojshme për të luftuar dhunën në familje, ndërsa shtoi se kjo një çështje që i përket, jo vetëm një familje, por edhe sigurisë së qytetarëve. Mustafaraj, nënvizoi se viktimë të kësaj forme dhune janë edhe nxënësit e shkollave.

“Të përfshirë nxënësit e shkollave. Ministria e Brendshme ka strukturat e saj për të luftuar dhunën në familje dhe çështjet e dhunës nuk janë vetëm çështje të brendshme në familje por çështje të sigurisë së qytetarëve.” tha Mustafaraj
 
Fushata sensibilizuese e OSBE-së, e cila filloi në qershor 2014 në Korçë do të vijojë edhe në qytete të tjera, falë mbështetjes nga Mbështetja Suedeze për Ministrinë e Brendshme, Policia e Shtetit për Policimin në Komunitet dhe nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E keni njohur Kosovën! Nervozohet Vuçiç: Nuk është thënë kurrë, nuk dua 'Serbinë e Madhe'

E keni njohur Kosovën! Nervozohet Vuçiç: Nuk është thënë kurrë, nuk dua 'Serbinë e Madhe'