ELBASAN - Të shtunën AF Elbasani dhe Vllaznia barazuan 1-1 për raundin e dytë të Superligës. Sfida, edhe pse pa tifozë, prodhoi dhunë nga tribuna VIP, pikërisht nga ata që duhet të jenë shembull i fair-playt dhe sjelljes korrekte në një ndeshjes.

Fill pas fërshëllimës finale të arbitrit Dorjan Maletaj, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi zbriti në dhomat e zhveshjes dhe sipas informacioneve të zyrtarizuara nga FSHF-ja, goditi me grusht arbitrin anësor Ergys Spahiu. Gjesti i kreut të klubit shkodran nuk është aspak i hijshëm për vetë pozicionin që ai mban, si edhe për vazhdimin e garës, duke kujtuar që jemi vetëm në raundin e dytë të sezonit të ri 2026-27.

Por pse ndodhi e gjitha kjo? Le t'i marrim gjërat hap pas hapi.

Vllaznia shënoi e para pas 18 minutave lojë me Edon Muratajn, ndërsa shkodrani Rubin Hebaj barazoi rezultatin 1-1 në minutën e 75-të. Ishte pikërisht fundit i ndeshjes që solli tensione të shtuara, aty ku Vllaznia ia faturon gjithçka vendimeve që sipas saj nuk janë të drejta.

Në minutat shtesë Vllaznia shënoi fillimisht me Tafilin dhe më pas me Mustën, por të dy golat u anuluan për pozicion jashtë loje me ndihmën e VAR-it. Në rastin e parë, ishte Perez që bllokoi pamjen e portierit, ndërsa në rastin e dytë Musta ishte në pozicion jashtë loje. Kjo duket se ka agravuar situatën.

Mbyllja e ndeshjes bëri që edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, të protestonte duke bërë shenjën e VAR-it. Ndërkohë që Alban Xhaferi s'i ka mbajtur nervat duke u futur në dhomat e zhveshjes dhe duke goditur me grusht një nga asistentët e arbitrit, Ergys Spahiun.

Arbitri i ndeshjes, Dorjan Maletaj

Federata Shqiptare e Futbollit dënon rastin dhe paralajmëron masa

FSHF si organizatore e garës ka dalë me një reagim urgjent duke dënuar rastin me forcën më të madhe, ndërsa shprehet se nuk do të ketë tolerim për askënd.

"Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë incidentin e rëndë të ndodhur pas përfundimit të ndeshjes AF Elbasani–Vllaznia, ku Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, ka goditur fizikisht një prej asistentëve të arbitrit të ndeshjes.

Një akt i tillë është absolutisht i papranueshëm dhe nuk ka asnjë vend në futbollin shqiptar. Dhuna ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të ndeshjes përbën një cenim të rëndë të integritetit të garës dhe të vetë vlerave të sportit.

Organet kompetente disiplinore të FSHF-së do të procedojnë në përputhje me rregulloret në fuqi dhe në pavarësi të plotë në marrjen e vendimeve përkatëse. FSHF do të mbrojë me vendosmëri arbitrat dhe çdo zyrtar të ndeshjes nga dhuna, kërcënimet dhe presioni.

Mund të ketë debate, kritika dhe kundërshtime për vendimet e arbitrimit, por ekziston një vijë që askush nuk mund ta kalojë: dhuna fizike. Në futbollin shqiptar nuk mund dhe nuk do të ketë tolerancë për akte të tilla, pavarësisht emrit, klubit apo pozicionit të personit që i kryen", bën me dije FSHF.

Në kanalet e komunikimit ka reaguar edhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Ai ka thënë se ishin golat e anuluar dhe vendimet e VAR-it që agravuan situatën. Xhaferi shton se problemet në futbollin shqiptar janë bërë standard, ndaj ky quhet një problem në sistem. Shkodrani duket se vijon me 'vetëgjyqësi', duke thënë se po i kursen arbitrat duke mos iu bërë publike numrat e telefonit.

"Dy gola të anuluar në shtesë. Dorjan Maleta dhe Kreshnik Bajramaj VAR-i, vetëm një pyetje; Sa gola duhet të shënojë Vllaznia që të quhet një? Numrat e telefonit po jua kursejmë. Pamjet flasin vetë. Problemi nuk është vetëm një ndeshje. Kur gabimet bëhen standard, problemi quhet sistem", shkruan Xhaferi.

Vetë klubi i Vllaznisë ka dalë publikisht me një deklaratë në orët e para të këtij mëngjesi. Vllaznia thekson se nuk mund të ketë paanshmëri në gjykimin e këtij incidenti, kur vetë FSHF ka dalë nominalisht dhe ka përmenduar emrin e presidentit Alban Xhaferi dhe duke ia faturuar atij dhunën.

"Federata Shqiptare e Futbollit, përmes faqes së saj zyrtare, publikoi një qëndrim ku përmend nominalisht Presidentin e KF Vllaznia dhe e paraqet akuzën ndaj tij si një fakt të kryer, ndërkohë që në të njëjtën deklaratë njofton se organet kompetente disiplinore do të procedojnë dhe do të marrin vendimet e tyre “në pavarësi të plotë”.

Pikërisht këtu qëndron shqetësimi ynë më i madh institucional. Si mund të garantohet realisht pavarësia e organit disiplinor kur institucioni të cilit ky organ i përket ka dalë publikisht, përpara vendimmarrjes së tij, duke përcaktuar autorin, veprimin dhe përgjegjësinë?", shkruan klubi shkodran.

Ndërkohë Vllaznia dënon dhunën, por në asnjë moment nuk thotë se Alban Xhaferi nuk është i përfshirë, duke kërkuar që të vlerësohet çdo provë, filmike apo shkresore përpara çdo vendimi, ndërsa kërkon që zyrtarët e saj të kenë të drejtë të mbrohen.

"KF Vllaznia dënon pa asnjë ekuivok çdo formë dhune në futboll, ndaj arbitrave, zyrtarëve, lojtarëve apo kujtdo tjetër. Dhuna është dhe do të mbetet e papranueshme. KF Vllaznia kërkon gjithashtu që çdo material filmik, raport zyrtar dhe provë tjetër lidhur me ngjarjen të administrohet dhe vlerësohet nga organet kompetente, duke garantuar të drejtën e klubit dhe të Presidentit të tij për t'u dëgjuar dhe për t'u mbrojtur përpara se të shpallet publikisht çfarëdo përgjegjësie", thuhet në reagim.

Më pas shkodranët i bëjnë edhe një thirrje kreut të FSHF-së, Armand Duka, për të frenuar klimën e lincimit publik që sipas tyre është e papranueshme dhe e iniciuar nga zyrtarët e Federatës.

"KF Vllaznia i drejtohet publikisht Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka, duke i kërkuar të ndërhyjë institucionalisht për të frenuar këtë klimë të papranueshme të gjykimit publik të iniciuar nga zyrtarë të Federatës, të garantojë që administrata e FSHF-së të respektojë kompetencat e organeve të pavarura disiplinore dhe të sigurojë që çdo çështje të trajtohet vetëm mbi bazën e provave, rregulloreve dhe procedurave përkatëse", thuhet në reagim.

Arbitër kryesor në këtë takim ishte Dorjan Maletaj, më ndihmës Rejdi Avdon, Ergys Spahiun dhe arbitër të katërt Egli Spahiun. Në sistemin VAR ishte Kreshnik Bajramaj.

S.Dh/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
4.5 / 5 (2 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21

    Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?