TIRANË- Më kërkesë të prokurorisë, policia ka arrestuar sot (9 nëntor) edukatoren e kopshtit privat ‘Stinët’, Majlinda Dehima, pasi dhunoi një vajzë 3-vjeçare. Edukatorja është arrestuar pasi akuzohet për veprën penale 'keqtrajtim i të miturit'. Sipas prokurorisë kjo kërkesë u bë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb) si dhe pas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor.

Majlinda Dehima, 48-vjeçe, e cila në pamjet e publikuara, dyshohet se është autore e thyerjes së këmbës së vajzës, para hetuesve ka mohuar gjithçka. Ndërkohë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në çerdhe, kopështe e shkolla private, policia thotë se ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat.

Ndërkaq zyrtarë dhe punonjës të Komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës, pranuan se kanë neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçare të cilës iu thye këmba në kopshtin privat. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka marrë në pyetje Ylli Çakon, shef seksioni i krimeve, Ergys Brahimajn, specialist seksioni i krimeve, Rustem Dervishin, shef i krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës. Ata pranuan se kanë neglizhuar çështjen e skandalit të thyerjes së këmbës së 3-vjeçares në ambientet e kopshtit “Stinët”.

Gjatë sqarimeve para agjentëve të AMP-së, ata theksuan se kishin ndër mend të shihnin pamjet e kamerave të sigurisë në ditët në vijim, për të kuptuar çfarë kishte ndodhur dhe si ishte thyer këmba e vajzës së mitur në atë mënyrë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore i ka referuar Prokurorisë së Tiranës dosjen ndaj 2 policëve, Ylli Çakon, shef i seksionit të krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës për akuzën “shpërdorim detyre”.

Hetuesit kanë dyshime se efektivët nuk kanë verifikuar sipas ligjit edhe dokumentacionet e kopshtit, siç rezultoi më vonë i palicensuar ministria e Arsimit. Ata po vijojnë hetimet për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë përfituar ryshfet për të lehtësuar pozitat e pronarëve të kopshtit privat “Stinët”, por kjo mbetet në kuadër të dyshimeve pasi për momentin nuk ka prova për ngritje akuze.

Kopshti “Stinët”, i cili ishte i palicensuar tashmë është mbyllur, ndërsa ngjarja brenda mureve të saj ka tronditur opinionin publik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:07
Dhunimi i 3-vjeçares në kopshtin ‘Stinët’, arrestohet edukatorja

1699363677_finalprojekt.00564017.Still085.jpg

Majlinda Dehima, është arrestuar nga policia pasi dyshohet se dhunoi fëmijën 3-vjeçar në kopshtin ‘Stinët’. Arrestimi i saj është kryer pas kërkesës së prokurorisë për masën 'arrest me burg' për veprën penale 'Keqtrajtim i të miturit'. Sipas prokurorisë kjo kërkesë u bë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb).

‘Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim M. D., për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, të parashikuar nga neni 124/b/1 i K.Penal.

Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor.

Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr.1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal.’- njofton prokuroria.

Ora 08:41
Tiranë/ Dhuna ndaj 3-vjeçares te kopshti ‘Stinët’, Mjekësia Ligjore kryen ekspertizën! Dje ia dërgoi Prokurorisë

1699515853_stinet.jpg

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka kryer ekspertizën për 3-vjeçaren e dhunuar në kopshtin privat ‘Stinët’ në Tiranë. 3-vjeçarja ka këmbën e thyer, por ende nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja. Në një njoftim për mediat, Instituti i Mjekësisë Ligjore thotë se akt ekspertimi është kryer me datë 7 nëntor dhe një ditë më pas, rezultatet i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet.

“Në lidhje me ngjarjen e fëmijës 3 vjeçe që është dëmtuar në një kopësht privat ju bëj me dije se, vendimi për kryerjen e ekspertimit për fëmijën e sipërpërmendur ka ardhur në 07.11.2023, në IML ( rreth orës 13.30) dhe menjëherë kemi ndërmarrë veprimet për kryerjen e aktin të ekspertimit. Dje, në datë 08.11.2023, akti i ekspertimit i fëmijës u krye dhe u nis po dje, për në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në njoftim.