Dhunimi i 3-vjeçares në kopsht, zv.ministrja e Arsimit: ‘Stinët’ s’kishte licencë nga MAS! Task Forca kontrolle në gjithë vendin, masa deri në mbyllje për shkelësit e ligjit

TIRANË- Kopshti ‘Stinët’ në Tiranë ku u dhunua 3-vjeçarja, nuk kishte licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti. E mitura është dërguar me këmbë të thyer në spital më 1 nëntor, por ende nuk është zbardhur se si ka ndodhur ngjarja.

Zv.ministrja e Arsimit Nina Guga, në një intervistë për Report Tv pranon se kopshti nuk kishte licencë, pasi nuk ka aplikuar në Ministrinë e Arsimit për ta marrë. Por si e ka ushtruar ky kopsht aktivitetin në paligjshmëri? Zv.ministrja thotë se është përgjegjësi e shumë institucioneve, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Arsimit, që nuk kanë bërë kontrolle. Guga u shpreh se një ‘hallkë’ që duhet përmirësuar është ajo me QKB, që ky institucion të njoftojë menjëherë MAS nëse ka dhënë leje për hapjen e institucioneve arsimore private.

Në emisionin ‘Përballje’ me gazetaren Besmira Pelushaj, zv.ministrja tha se sapo kanë dalë pamjet e dhunimit, Ministria ka nisur verifikimin për këtë kopsht dhe është vendosur mbyllja e tij.

“Kemi kërkuar të zbardhet ngjarja dhe çdo përgjegjës të shkojë në vendin e vet. Ministria e Arsimit pas transmetimit të pamjeve, menjëherë mori masa për të evidentuar rastin ku kishte ndodhur dhe çfarë situate kishte. Kopshti quhet stinët. Menjëherë këtë verifikim bëmë, pamë se nëse kishte apo jo licencë. Ishte i pa licencuar nga ministria. Të hapësh biznes do aplikosh në QKB, subjekti aplikon për të bërë të gjitha procedurat dhe më pas duhet të aplikojë në MAS për licencën”, tha ministrja.

“Përgjegjësi shumë palëshe, inspektorateve, takimet, inspektoriatit të punës, shëndetësisë. Janë disa institucione, duke nisur nga Ministria e Arsimit pa e hequr përgjegjësinë. Një nga ato që na ka munguar, është fakti që në momentin që një institucion kërkon leje, në QKB duhet që QKB të na bëje me dije që kemi dhënë leje për një institucion arsimor. Kjo është një hallkë që duhet ta përmirësojmë punën tonë.

Ndërkohë ajo shpjegon se është ngritur edhe një Task Forcë në gjithë vendin që do të ushtrojë inspektime në gjithë vendin në objektet arsimor e private. Në rast se kapen me shkelje masat do jenë të ashpra, deri në ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë. Task Forca ka nisur menjëherë nga puna që ditën e sotme në Tiranë dhe Elbasan, e më pas edhe në qytetet e tjera. Task Forca është nën monitorimin e Ministrisë së Arsimit.

“Kemi ngritur task-forcën. Kemi ngritur një urdhër të menjëhershëm pune dhe këto grupe, task-froce janë të përhapura në të gjithë territorin dhe po punojnë të verifikuar ligjshmërinë e institucioneve.  Për çdo konstatim të këtij grupi që monitorohet nga ministria do kemi gjithë masat që janë që nga detyrat për plotësimin e legjislacionit, pezullimi i veprimtarisë pa revokimin e licencës dhe mbylljen e veprimtarisë, deri në ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë siç u bë me ‘Stinët’.

E kemi ngritur për institucionet private, në të gjithë territorin e vendit janë, kryesisht kopshte private janë në zonat më të zhvilluara, në ato me numër më të madh popullsie. Ka nisur që sot, në Tiranë dhe Elbasan, me inspektime direkte. Monitorimin e bën ministria”, tha zv.ministrja Guga.

Guga nuk e ka ende një përgjigje se kur mund të dalin rezultatet e para nga kontrolli i ushtruar nga Task Forca.

“Nuk mund të them se sa kohë do zgjasë, se jemi në këtë proces. Masa të përshkallëzuar deri në ndërprerje të aktivitetit. Nuk besoj se do kemi një rikthim në këtë situatë”, vijoi Guga.

Zv.ministrja shpjegoi se punonjësit e institucioneve arsimore publike që emërohen nga portali kalojnë i nënshtrohen Komisionit për Vlerësimin Psiko-social, por një strategji e tillë nuk ndiqet për punonjësit e insitucioneve arsimore private. 

“Ne kemi gati një vit, që nga qershori kaluar që kemi nxjerrë një urdhër të posaçëm për ngritjen e komisionit të vlerësimit psiko-social të punonjësit arsimor. Në momentin e procedurave të emërimit të një punonjësi arsimit, përfshirë dhe edukatore, ky komision trajton raste nga sistemi i portalit. Nëse emërohet prej portalit, ka një provë 3 muaj. Më pas ky komision psiko social bën vlerësimin e punonjësit nga shumë fusha. Nëse mësuesi e kalon në mënyrë pozitive kontrata kalon me afatin e përcaktuar. Kjo ndodh për atë që emërohen për herë të parë. Për të tjerët në bazë të ankesave që vijnë nga drejtuesit e shkollave trajtohen në këtë komision dhe merren masa sipas legjislacionit”, tha Guga.

Në pamjet që janë publikuar nga ambientet e brendshme të kopshtit, duket mësuesja Majlindja Dehima, e cila qëllon me vizore dhe me shpulla 3-vjeçaren. Emisioni investigativ ‘STOP’, publikoi pamjet nga dhoma e gjumit, të 1 nëntorit, ditë kur fëmija ka përfunduar në spitalin e Tarumës me këmbë të thyer. Në materialin filmik dëgjohet të sharat e edukatores ndaj të miturës, më pas një kërcitje që mendohet se është zhurma e thyerjes së kockës dhe më pas të qarat e vajzës. Prokuroria e Tiranës ka vënë në hetim edukatoren Mjalinda Dehima.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta