Dhoma e Avokatisë Vlorë ka reaguar për dhunën që disa roje private të sipërfaqes që rrethuar në Zvërnec, ushtruan ndaj një qytetari që protestonte kundër ndërtimit të resortit, me pretendimin se toka është private.

Përmes një deklarate të postuar në rrjetet sociale, Dhoma e Avokatisë Vlorë, duke iu referuar atyre që pretendohet se janë roje private dhe që dhunuan qytetarin, thotë se "nëse këta persona nuk kanë qenë funksionarë të ligjshëm që vepronin në përputhje me procedurat ligjore, atëherë kemi të bëjmë me një ngjarje që ngre dyshime serioze për vepra penale të rënda".

Reagimi i plotë:

Pamjet e bëra publike nga Zvërneci nuk janë thjesht shqetësuese; ato përbëjnë një alarm serioz për funksionimin e shtetit ligjor. Një qytetar tërhiqet me forcë, zvarritet dhe merret nga persona të paidentifikuar, ndërsa opinioni publik mbetet ende pa përgjigje të qarta dhe bindëse nga institucionet përgjegjëse.

Nëse këta persona nuk kanë qenë funksionarë të ligjshëm që vepronin në përputhje me procedurat ligjore, atëherë kemi të bëjmë me një ngjarje që ngre dyshime serioze për vepra penale të rënda. Nëse kanë qenë funksionarë shtetërorë, atëherë lind pyetja nëse janë respektuar kompetencat dhe procedurat që ligji parashikon. Në të dy rastet, heshtja institucionale është e papranueshme.

Pyetjet që sot kërkojnë përgjigje publike nga Policia e Shtetit dhe veçanërisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë janë të drejtpërdrejta:

A është regjistruar procedim penal për këtë ngjarje?

A janë identifikuar personat që ushtruan forcë ndaj qytetarit?

Nëse jo, çfarë veprimesh konkrete hetimore janë kryer deri tani?

A ekziston dyshimi për vepra penale që lidhen me heqjen e paligjshme të lirisë, vetëgjyqësinë, dhunën apo vepra të tjera të parashikuara nga Kodi Penal?

Përse nuk është shoqëruar, ndaluar apo marrë në pyetje asnjë prej personave që shfaqen në pamje duke ushtruar forcë?

A do të kishte reaguar në të njëjtën mënyrë prokuroria nëse viktimë do të ishte një prokuror, gjyqtar, oficer policie apo familjar i tyre?

Dhe pyetja më e rëndë që sot ngrihet natyrshëm nga çdo qytetar është:

Çfarë po prisni? T'ju rrëmbejnë edhe ju që të kuptoni seriozitetin e ngjarjes?

Shteti ligjor nuk mund të funksionojë me standarde të dyfishta. Kur një qytetar merret me forcë në mes të ditës nga persona të paidentifikuar, reagimi i parë i institucioneve duhet të jetë identifikimi, ndalimi dhe hetimi i menjëhershëm i autorëve, jo pritja, heshtja apo justifikimi.

Mosveprimi në raste të tilla është po aq i rrezikshëm sa vetë ngjarja. Ai krijon perceptimin se në këtë vend kushdo mund të marrë rolin e ligjit në duart e veta dhe se institucionet reagojnë vetëm kur presioni publik bëhet i padurueshëm.

Prokuroria e Vlorës ka jo vetëm kompetencën, por edhe detyrimin kushtetues e ligjor të veprojë menjëherë, me vendosmëri dhe transparencë. Çdo vonesë dëmton besimin e publikut te drejtësia dhe forcon bindjen se qytetari i zakonshëm nuk gëzon të njëjtën mbrojtje që ligji garanton në letër.

Sot nuk kërkohet asgjë më shumë sesa zbatimi i ligjit. Identifikoni autorët. Hetoni ngjarjen. Informoni publikun. Vendosni përgjegjësi. Sepse askush nuk duhet të ndihet i pasigurt në vendin e vet dhe askush nuk mund të lejohet të sillet si mbi ligjin.


Lajmi kryesor:

Protesta kundër resortit në Zvërnec/ Kush janë personat me maska që përdorin spraj me piper? Hita pezullon drejtorin e Policisë së Vlorës: Qytetari i ndaluar nga rojet private, nuk u fut në kantier me dhunë! Në pranga njëri prej tyre (VIDEO)