Dhunohet statuja e Odhise Paskalit
i shtrembërojnë tytën e pushkës

Dhunohet statuja e Odhise Paskalit<br />i shtrembërojnë tytën e pushkës
Historia e trishtë e tre kryeveprave të Paskalit. “Naum Veqilharxhi” është masakruar i tëri, i dërguar në një pikë grumbullimi skrapi i sharruar në mes, ndërsa shtatorja e Themistokli Gërmenjit është dëmtuar pjesërisht.

Korça mund të quhet fatlume që zbukurohet nga tre vepra të shquara të Odise Paskalit. Dy prej tyre, “Luftëtari Kombëtar” dhe “Themistokli Gërmenji” janë krijuar me porosi dhe ndihmesë në të holla të vetë korçarëve në kohën e Mbretit Zog, ndërsa e treta, busti i Naum Veqilharxhit është krijuar prej Shtetit gjatë periudhës së socializmit. Por, gjatë viteve të fundit të tria këto vepra janë dëmtuar.

Monumentit të Themistokli Gërmenjit i janë shkulur dy pllaka anësore të derdhura në bronx, që në relieve të ulta (bas relief) pasqyronin çaste nga veprimtaria politike dhe atdhetare e heroit. Gërmat origjinale, që tregonin emrin e tij gjithashtu janë shkulur dhe zëvendësuar me të tjera.

Monumenti është ngritur mbi varrin e atdhetarit. Të paktën monumenti i tij, ndryshe nga ai i Luftëtarit Kombëtar, nuk është lëvizur asnjëherë. Ndërsa, busti i Naum Veqilharxhit ka pësuar një masakrim të vërtetë. Mbasi është shkulur i tëri është transportuar në një pikë grumbullimi skrapi ku - me sa mbaj mend - ishte sharuar vertikalisht i gjithi, për t’u ndarë në dy pjesë.

Kështu u gjend nga policia dhe rivendosja e tij i meremetuar në mënyrën më profesionale të mundshme nuk ka humbur shumë nga vlerat, pavarësisht jetës jo të gjatë – siç thonë artistët- që mund të ketë vepra në gjendjen që është.

Statuja e Luftëtarit kombëtar ka një histori më trishtuese. Është i vetmi monument që e kanë lëvizur disa herë gjatë jetës së tij 83 vjeçare, si në kohën e socializmit, ashtu edhe pas viteve’90. Ai nuk e ka më rrethimin me zinxhirë në hallka të mëdha dhe të rënda, të cilat veç bukurisë që i jepnin monumentit krijonin largësinë e duhur midis tij e publikut, duke shënuar kështu cakun deri ku mund të afrohej vizitori.

Dedikimi në shkrimin: “PËR KUJTIM E MIRËNJOHJE NGA QYTETI I KORÇËS“ është hequr. Së fundmi, atij i është shkaktuar plaga më e madhe dhe fyerja më e shëmtuar, me anën e shtrembërimit të grykës së pushkës në mënyrën më të qëllimshme dhe më kriminale që mund t’i bëhet një shtatoreje të krenarisë kombëtare të të gjithë shqiptarëve.

Prej vitit të largët 1929, kur u vendos në qytetin e Korçës statuja e Luftëtarit Kombëtar, shumë ujë ka rrjedhur dhe shumë ngjarje kanë ndodhur. Mbi të gjitha ngjarjet e përmasave vërtetësisht nacionale ka qenë vetë vendosja e monumentit, vepër e skulptorit të madh, pionierit të skulpturës monumentale shqiptare, Odise Paskali.

Kjo vepër është e para e skulptorit të spikatur, që derdhi në bronx dhe përgjithësoi me një art të pashembullt përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi. Për nga fuqia, hijeshia mashkullore dhe harmonia, kjo shtatore (me çka kemi parë dhe nga ato që thonë shumë vlerësues të artit) është unike jo vetëm këtu, as vetëm në vendet rreth e rrotull nesh, por edhe më tej. Pikërisht për këtë statujë mund të bëhet vlerësimi sipas shprehjes latine: Nex plus ultra (më e mirë s’bëhet).

Ashtu si trupin e bukur e tregon një veshja e bukur dhe pikturën e zbukuron së tepërmi korniza e saj, për skulpturat monumentale është ndryshe: bukurinë apo edhe shëmtinë e tyre e vendos natyra; natyra është e vetmja dhe më e rehatshmja “shtëpi” e tyre. Autori ka të drejtën e zgjedhjes së vendit dhe kjo e drejtë mbron si veprën, ashtu dhe truallin ku është vendosur. Në rastin e “Luftëtarit kombëtar”, përsa i përket vendit zgjedhja e tij nga autori, ashtu si edhe vetë vepra ka qenë e shkëlqyer. Pra, ky monument u njësua me natyrën.

Sheshi ku u vendos ai shumë shpejt u bë vendi i pikëtakimeve të qytetarëve. Emërtimi zyrtar i monumentit: “Luftëtari Kombëtar”, në gjuhën e folur u ndryshua me “Ushtari i Panjohur”. Pra, ky monument u njësua edhe me qytetarët.

“Luftëtari kombëtar “ qëndroi madhështor, i pa prekur as prej ushtërive italiane e gjermane, pavarësisht simbolikës antipushtuese që përmban kjo vepër. Në këmbët e tij më 9 shtator 1943 u vranë 59 vetë dhe u plagosën dhjetra të tjerë. Pra, ky monument u bë edhe pjesë e historisë.

Për ‘të kushdo mund të rrëfejë diçka. Të rrallë mund të jenë ata korçarë që të paktën një herë në ditë nuk e shohin atë. Edhe unë kam diçka për të rrëfyer, të dëgjuar ose të jetuar.
Ia vlen të kujtohet testimi që u bënte një mësues fatkeq, por shumë i kulturuar të sapoardhurve në qytet. Për atë nuk kishte rëndësi leja e banimit që jepej nga zyrat, por dijet që kishin ata rreth detajeve që përmbante monumenti.

Pyetja më e zakonshme e tij ishte: “Sa fishekë ka në kollanin e Luftëtarit kombëtar?”. Për këdo, pavarësisht se sa vjet kishte që banonte në Korçë , kjo mund të quhej pyetje e vështirë. Në rastin kur nuk kishte përgjigje, mësuesi e jepte vetë atë: “Kur të mësosh çka të kërkova, atëherë mund ta quash veten korçar”. Qëllonte që i pyeturi, duke u nisur nga numuri i vezmeve llogariste saktë numrin e fishekëve, por përsëri fjalën e fundit e thoshte mësuesi: “Vërtet aq sa thoni ju janë fishekët në kollan, 36, por harove edhe një që është në grykën e pushkës, pra duhet të thuash 37”.

Fatkeqësisht, sot kjo grykë mbas një përpjekje për ta shkulur tërësisht është e shtrembëruar dhe ngjan më tepër me një tub llastiku. Ndërsa nuk dihet, se çfarë rastësie fatlume e ka shpëtuar thyerjen përfundimtare të saj.

Para disa viteve, bashkë me një kolegun tim avokat u nisëm për në doganën e Korçës, që ndodhet në fund të qytetit. Shkuam atje mbas ndihmës që kishte kërkuar një qytetar grek për ca veprime të ndryshme doganore.

Që në fillim të bisedës prej tij në një shqipe të pastër kuptuam se kishim të bënim me një shqiptar nga ata të m’atanë kufirit tonë shtetëror. Ishte një burrë rreth të 50 - ve, mjaft simpatik. Mbasi mbaruam punë për çka na kish thirur, nuk ndëjti pa na pyeti nëse ishte e mundur t’i tregonim monumentin e Spiro Bellkamenit, luftëtar e udhëheqës i çetave kryengritëse në luftën për pavarësi, një dëshmor i asaj lufte.

Kolegu im nuk po e kuptonte për cilin ishte fjala. M’u desh ndërhyja, duke i thënë që të ktheheshim për në qendër të qytetit. Kur mbritëm para monumentit të Luftëtarit Kombëtar i bëra shënjë kolegut për t’u ndalur. Ndërsa shtetasit grek me origjinë shqiptare i thashë, duke i treguar monumentin: “Ja ku e ke Spiro Bellkamenin”, pa i folur atij për kujtimet e autorit , sipas të cilave kur ishte fjala për modelin që e kishte frymëzuar në krijimin e veprës ai përmendte një luftëtar tjetër, Nexhip Bënjën.

Në fund të fundit, çfarën rëndësie ka ngjashmëria e personalizimi i një vepre artistike, kur ajo përmban vlera të larta përgjithësuese? E lashë ta kundronte i qetë monumentin, pa i bërë përshtypje lëvizja e madhe e njerëzve dhe e makinave që i kalonin përbri. Ama, kur u larguam, nuk ishte e vështirë të dalloje një pikëllim të thellë në sytë e tij.


Një herë tjetër, disa qytetarëve francezë u lashë si vend takimi “Luftëtarin Kombëtar” . Vura re se nuk po e kuptonin për ku ishte fjala. Më në fund, njëra prej tyre u duk se kishte marrë vesh diçka. “Ah po! - shtoi ajo - besoj që është ai monumenti me veshje greke. Iu përgjigja se, ne shqiptarët nuk kemi qenë lakuriq.

Por ishte e kotë, mendja e saj qe mbushur me shpjegimet e LAROUSSE dhe enciklopedive të tjera, që e quajnë fustanellën si pjesë të kostumit kombëtar grek. Laroussë - nga vetë botuesit e tij - është quajtur sinonim i një diksioneri të mirëfilltë, të sigurt, të plotë dhe të padiskutueshëm.

Nuk mund të mohohet, gjithashtu, se një vepër e përmasave të tilla është fryt i punës së palodhshme të brezave të tërë dijetarësh. Është e vërtetë, që nga lindja e tij në vitin 1856 dhe deri më sot, LAROUSSE përbën një vlerë të pacënueshme të dijes botërore.


Por, duhet thënë që dëgjohen herë pas herë zëra të plotë, seriozë, të cilët pohojnë që fustnella nuk është greke, por shqiptare. Zëra të tillë janë dëgjuar pa përfunduar ende ndërtimi i shtetit grek dhe deri më sot. Nuk mungojnë pra, as historianë grekë të ditëve të sotme, që publikisht kanë pohuar se fustanella është tipike shqiptare.

Në një përfundim të tillë qysh në vitin 1877 ka mbërritur edhe autori i librit “Udhëtim nëpër vendet e rublës” , i cili përmban të dhëna të hollësishme për Rusinë, Greqinë etj. Me gjithë se libri nuk e ka emrin e autorit, ai përmban shënimin “Prej një ushtaraku francez”. Rëndësia e tij bie në sy menjëherë, përderisa kuptohet që botimi është bërë nën kujdesin e shtetit francez. Në faqen 295 të tij, pa asnjë mëdyshje dhe fare qartë thuhet: “Kostumi grek është shqiptar”.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset