Gjashtë muaj burg për ish-edukatoren e kopshtit "Diren", Elona Turdiu e cila së bashku me Anjeza Shabanin dhunonin fëmijët.

Rreth nëntë muaj pas shpalljes fajtore të Anjeza Shabanit për “keqtrajtim të të miturve” e cila u dënua me dy vite burg, në kopshtin privat të administruar prej saj, Gjykata ka dhënë dënimin edhe për edukatoren tjetër.

Elona Turdiu, u shpall e fajshme për të njëjtën akuzë, të konsumuar në dëm të tre fëmijëve të mitur. Sipas vendimit të shpallur më 18 korrik 2017, e pandehura u dënua me 6 muaj burg.

E pandehura Turdiu është gjykuar pa masë sigurie, në gjendje të lirë. Procedimi penal ndaj saj nisi pas publikimit në një emision investigativ të pamjeve filmike që denonconin dhunën ndaj të miturve në kopshtin privat në fjalë.

Përmes avokatit të saj mbrojtës, e pandehura mbajti qëndrim mohues në lidhje me akuzën dhe kërkoi pafajësi.

Anjeza Shabani u dënua me dy vite burg
Dhunoi fëmijët në kopshtin privat të paregjistruar drejtuar prej saj, dënohet me 2 vite burg nga gjykata Anjeza Shabani.

Prokuroria kërkoi dyfishin e këtij dënimi me 4 vite e gjashtë muaj ndërsa gjykata caktoi dënimin me dy vite burg.

Shabani përfitoi nga gjykimi i shkurtuar ndërsa aktualisht ajo qëndron me masën detyrim paraqitje dhe pas këtij vendimi që pritet të apelohet ajo s’do të rikthehet më në burg pasi një pjesë e këtij dënimi është ezauruar me periudhën e masës së sigurisë.

Anjeza Shabani u hetua për dhunë ndaj dy të miturve ndërsa u regjistrua nga kamerat e fshehta teksa dhunonte të miturit në kopshton “Diren”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com