Gjykata e Vlorës ka dënuar me 5 vite burg 44-vjeçarin Ilirjan Pajo me akuzën e dhunës në familje, pasi në datë 7 qershor në qendër të qytetit bregdetar dhunoi duke goditur disa herë me shqelma dhe grushte gruan e tij me të cilën ishte në proces divorci Marsela Çaushaj në prani të fëmijëve të mitur.
 
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për dënimin me 5 vite burg, ndërsa pala mbrojtëse kërkoi nga gjykata që dënimi të ishte më i lehtë për 44-vjeçarin Ilirjan Pajo duke e justifikuar dhunën me faktin se ishte i dehur, por kërkesa nuk është marrë parasysh nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Laurent Fuçia.
 
Vendimi i gjykatës u bazua në videon e dhunës, e cila bëri xhiron e rrjeteve sociale 6 javë më parë, ndërsa ngjarja u dënua edhe nga opinioni publik.
 
Marsela Çaushaj dhunohej sistematikisht nga burri i saj, teksa Gjykata e Vlorës në qershor të vitit 2014 kishte vendosur urdhër mbrojtje.
 
Blendi Klosi vendosi të ndihmojë Marsela Çaushajn dhe dy fëmijët e saj të mitur pas ngjarjes duke i dhuruar një shtëpi me qira të paguar.

(Videoja ku Marsela Çaushaj u dhunua nga burri në Vlorë në 7 qershor)