Ja si u zhvillua seanca dëgjimore.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i proçesverbalit.
2. Seancë dëgjimore ”Transfuzioni dhe siguria e gjakut”.
Marrin pjesë:
Et’hem Ruka, Tritan Shehu, Flamur Noka, Eglantina Gjermeni, Besnik Dushaj, Rajmond Hoxha, Mehmet Xheka, Kosta Barka, , Klodiana Spahiu, Eltar Deda, Astrit Beci dhe Ndue Paluca.
Mungojnë:
Vangjel Tavo, Albana Vokshi
Të ftuar:
Pëllumb Pipero - Drejtor i përgjithshëm i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në MSH,
Petro Mersini - Drejtor i Planifikimit Shëndetësor,
Vjollca Duro – specialiste për problemet e gjakut në Drejtorinë e Planifikimit Spitalor në MSH,
Irena Qendro – Drejtore e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Et’hem Ruka – Meqenëse është korumi i mjaftueshëm, fillojmë mbledhjen. Sot kemi seancën dëgjimore ”Transfuzioni dhe siguria e gjakut”. Të ftuar janë: Pëllumb Pipero - Drejtor i përgjithshëm i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në MSH, Petro Mersini - Drejtor i Planifikimit Shëndetësor, Vjollca Duro – specialiste për problemet e gjakut në Drejtorinë e Planifikimit Spitalor në MSH, Irena Qendro – Drejtore e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Këtë seancë kemi dashur ta bëjmë kohë më parë, pasi donim të korrespondonte me datën 1 dhjetor, ditën ndërkombëtare të luftës kundër SIDË-s, por u detyruam ta shtyjmë për arsye të buxhetit. Ne duam të dimë se sa janë rezervat e gjakut, garancinë e tyre, nëse ka raste abuzimesh me dhënien e gjakut etj.
Fillojmë me zotin Pipero.
Pëllumb Pipero – Ju falënderojmë për ftesën që na bëtë. Gjaku, sasia e tij, siguria e tij, kanë qenë një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, që personalisht e kam ndjekur shumë, sepse është një problem që ka sensibilitet të madh. Së pari, ne kemi 2 grupe që kanë nevojë për gjak: të sëmurët, pacientët kronikë, dhe të traumatizuarit, që kërkojnë sasi të konsiderueshme gjaku. Qëllimi ynë është që të kemi më shumë dhurues vullnetarë sesa të paguar. Në fakt, raporti i tyre ka ndryshuar, pasi është shtuar numri i dhuruesve vullnetarë, ndërsa ata me pagesë janë shumë më pak. Politika që ndjekim ne është që jo vetëm të kemi gjak, por ta kemi edhe të sigurt. Një faktor i rëndësishëm është edhe përmirësimi i bazës ligjore, që tashmë është përgatitur dhe është bashkëkohore. Gjithashtu, jemi fokusuar drejt sigurimit të bazës praktike të marrjes së gjakut, për rritjen e sigurisë së tij, rritjen e kapaciteteve marrëse me bankat e gjakut. Testimi i gjakut bëhet në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Ndërkohë vazhdon rritja e kapaciteteve. Gjithsesi për vitin e ardhshëm jemi fokusuar në blerjen e aparaturave të reja. Gjak i sigurt 100 % është e vështirë të ketë, por ne po mundohemi. Sipas të dhënave vitet e fundit nuk kemi infektim nga gjaku dhe kjo për ne është arritje. Përsa i takon bankave të gjakut, ato duhet të jenë 5: në Tiranë, Vlorë, Kukës, Shkodër, Korçë. Por faktikisht tani kemi vetëm ato të Tiranës dhe të Vlorës. Për promocionin, kemi patur mbështetjen e Kryqit të Kuq, të Shoqatës së Dhuruesve të Gjakut dhe të disa institucioneve të tjera. Ndërkohë jemi fokusuar edhe në trainimin e personelit. Por kemi 2-3 probleme, të cilat unë dua t’i shtroj para jush. Jemi larg objektivit për mbulimin e të gjitha nevojave me gjak, pavarësisht se sot kemi 2-3 herë më shumë, por duhet të arrijmë të paktën në 40 dhurime për 1000 banorë. Duhen marrë masat për të sëmurët kronikë, për talasemikët, duke u mbështetur te dhurimi nga familjarët. Gjithashtu, kemi problem me institucionet shëndetësore jopublike, pasi gjaku ka një kosto dhe ne kemi tentuar të gjejmë një mirkuptim me ta, që të vënë koston reale. Por të them të drejtën nuk arrijmë të mirkuptohemi kollaj me ta. Nuk mund ta paguajmë ne këtë kosto. Ne si institucion publik, jemi drejt përmirësimit për të plotësuar nevojat.
Irena Qendro – Doktor Pipero bërë një përmbledhje të saktë. Unë do të quaja arritje përmirësimin e cilësisë së dhurimit të gjakut dhe rritjen e sasisë së tij. Të ndryshosh një traditë, nga dhënia e gjakut me pagesë në dhurim, është arritje, një ndryshim pozitiv. Nga 40 dhurime për 1000 banorë, tani jemi në rreth 90. Nëse do të kemi dhe 6000 dhurime më shumë gjak, do të jemi akoma më pranë plotësimit të nevojave. Janë mbi 5000 dhurues në vit. Ne po punojmë për t’i bindur që të dhurojnë 2 herë në vit dhe ky është gjaku më i sigurt. Arritje është edhe testimi i gjakut në një qendër të përgjithshme Tiranë nga i gjithë vendi, si dhe realizimi i përpunimit të tij. Këto janë pikat kryesore ku po punohet.
Tritan Shehu – Unë kam disa pyetje: 1.Çfarë po bëhet për promovimin e dhurimit vullnetar të gjakut, se kjo lidhet dhe me sigurinë e tij. 2. Çfarë po bëni me sigurimin e lehtësimit për marrjen direkt të gjakut në terren? Si jeni me nënproduktet e gjakut, qëndroni përsëri te plazma apo keni vashduar me albuminën?
Et’hem Ruka – Edhe unë kam disa pyetje: 1.Deri ku shkon përpunimi i gjakut te ne? 2. Ju përmendët që janë më shumë dhurues familjarë. Kjo është formë detyrimi, që e përdorin dhe vende të tjera? 3. A ka raste abuzimesh për të mbuluar nevojat, kur i thuhet pacientit që s’ka gjak dhe paguajnë për ta marrë? Se kjo skemë fillon me dhurimin, që është formë luajale. Pra, ka raste abuzimesh? E bëj këtë pyetje, sepse kam dëgjuar për raste të tilla.
Eltar Deda – 1. Si është sot siguria e gjakut dhe cilat janë institucionet që e sigurojnë atë? 2.Kemi rezerva? 3.Sa i sigurt është gjaku në raste urgjence? 4. Keni një raport të sigurisë së gjakut? 5.Mund të identifikohet menjëherë një dhurues gjaku?
Astrit Beci – Ju përmendët 5 qendra rajonale të gjakut. 1. Si janë kushtet higjeno-sanitare në to? 2. Janë marrë masa për t’u pajisur me punonjës të kualifikuar? 3. Si është raporti dhurues – marrës? Kemi pasur dhe raste të shitjes së gjakut brenda institucioneve shëndetësore. 4. Janë marrë masa? 5. Sa shpenzon qeverija për të blerë faktorët e koagulimit? 6.Kush e kontrollon situatën se si punohet me gjakun në institucionet private, sidomos ata që kanë hapur urgjenca?
Eglantina Gjermeni - Zakonisht ne organizojmë seanca dëgjimore për të parë se si shkojnë punët dhe se si mund të ndihmojmë ne, si komision. 1.Doja të dija nëse ka një sistem informacioni lidhur me dhuruesit, një data – base?
Pëllumb Pipero – Për sigurinë e gjakut dhe promocionin e tij - ka ardhur koha që dhuruesit të jenë të motivuar. Të jenë të pajisur me kartë. Aktualisht kemi rreth 6000 dhurues. Problemi është se si t’i bëjmë këta dhurues të vazhdueshëm. Pra, ne mendojmë që atyre t’u krijohen disa lehtësira, si, p.sh.: të vizitohen pa radhë të mjeku i familjes, të mos paguajnë në rastet e bashkëpagesës, të qarkullojnë në mjetet e transporti publik pa pagesë etj. Pra, ai që dhuron jetë, se unë kështu e konsideroj dhënien e gjakut, të ketë disa privilegje.
Në lidhje me dhurimin e gjakut në terren, ne vazhdojmë që nëpërmjet partnerëve tanë, të bëjmë takime me komunitetin, për t’i këshilluar që të japin gjak, dhe sapo bëhet një grup i konsiderueshëm vullnetarësh, ne arrijmë ta realizojmë procedurën e marrjes së gjakut në vend. Për shembull, në Tiranë kemi hapur një pikë, ku mund të shkohet për të dhuruar.
Dhurues vullnetarë dhe familjarë, të dy palët quhen dhurues, por nëse njëri e bën nga halli, po kështu dhurues mund të quhet edhe një që jep njëherë, për të marrë kur të ketë nevojë. Por kemi edhe vullnetarë pa ndonjë shkak shëndetësor.
A ka pasur abuzime – mund të ketë ndonjë rast të dëgjuar, por edhe kur kemi dëgjuar, kemi pasur sensibilitetet e nevojshme për t’i parandaluar apo për të marrë masat. Sidoqoftë informacion zyrtar për raste të tilla nuk ka. Kam ndërhyrë dhe vet për të siguruar gjak. Ne përpiqemi të shmangim abuzimet, punojmë për t’i parandaluar ato.
Në lidhje me sigurinë e gjakut, ne kemi gjak të sigurt në nivel optimal. Por gjak të sigurt 100 % nuk mund të ketë, pasi mund të ketë për sëmundjet që njohim, por jo për ato që nuk njohim. OBSH-ja sigurinë e gjakut te ne e ka konsideruar gjithmonë pozitiv. Edhe presioni juaj ka qenë pozitiv.
A ka plan për emergjenca - kemi një plan me OBSH-në, por sasinë e gjakut për emergjenca, nuk besoj se mund ta sigurojmë.
Në lidhje me organigramën e bankave, është problem, për organika të vogla, por të siguruara. Nuk mund të shtojmë shumë, por kemi marrë udhëzim të alokojmë burimet; jemi të vendosur që të shtojmë dhe shkurtojmë atje ku duhet.
Raporti dhurues me pagesë dhe dhurues familjar, jemi në favor të këtyre të fundit.
Për sigurinë e gjakut, ka një qendër kontrolli për këtë, siç e thashë edhe më lart.
Irena Qendro – Gjaku pasi mblidhet, përpunohet sipas komponentëve. Në lidhje me përdorimin e albuminës, ne konsiderohemi si vend i vogël për të patur një industri të nxjerrjes së komponentëve të gjakut. P.sh., Maqedonia ka bashkpunim me Italinë për këtë rast. Kur të arrijmë përfundimisht në dhurime të papaguara, mund ta arrijmë edhe ne këtë bashkëpunim.
Për abuzimet, vërtet thuhet që abuzohet, por mua zyrtarisht nuk më ka ardhur njeri për të denoncuar raste konkret. Për mua zgjidhja e problemit të abuzimit është sensibilizimi i vetë njerëzve, i vetë familjarëve. Nuk mund të flitet për rezervë gjaku, pasi gjaku mund të ruhet vetëm 42 ditë, ndaj ai qarkullon. Ne kemi nxjerrë një poster ku u themi qytetarëve të mos japin lekë për gjakun.
Tritan Shehu – Ka hapësirë për edukimin e qytetarëve, pasi ne peshën kryesore e kemi te familjarët. Ka ardhur momenti që me të gjitha forcat të jepet gjak, pa pasur thjesht interesa familjare. Njëkohësisht, duhet të zhvillohet edhe një fushatë tjetër për atë pjesë të popullsisë që ka probleme sëmundjesh, që të mos japin gjak. Por kjo ka të bëjë, në rradhë të parë, me emancipimin e njerëzve.
Pëllumb Pipero – Duhet ndërmarrë edhe një nismë tjetër nëpërmjet medias elektronike për të ndërgjegjësuar qytatarët në lidhje me këtë problem, pasi ne kjo na kushton shumë.
Tritan Shehu – Jashtë fushata të tilla bëhen falas. Ju mund të organizoni një takim me drejtues të medias.
Et’hem Ruka – Ne, si komision parlamentar, në bashkëpunim me Komisionin e Medias, mund të kërkojmë organizimin e një tavoline të rrumbullakët me përfaqësues të mediave, të bëjmë një fushtatë sensibilizuese.
Gjithashtu, do të nxisim edhe strukturat shtetërore për ngritjen e bankave të gjakut, pra që të vazhdohet puna edhe në qytet e tjera.
Irena Qendro – Për ne problem është edhe statusi i dhuruesve të gjakut, i cili duhet të formulohet.