TIRANE- Një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe bankieres amarikane Rebecca Gaskin Gain, ka zhbllokuar gjykimin në arbitrazh mes Shqipërisë dhe kompanisë DIA, duke shpëtuar përfundimisht shtetin nga rreziku për të paguar shumën prej 130 milion euro.

Ka qënë vetë bankierja amerikane që është tërhequr nga kërkesa e kompanisë DIA, për kërkimin e 130 milion euro, i nxjerrë si dëm financiar i prishjes së marëveshjes mes kompanisë DIA dhe “CEZ Shpërndarja”. Nga të dhënat që zotëron gazeta marrëdhëniet mes Ismailajt dhe Gaskin Gain mësohet se janë përkeqësuar në një farë pike, pasi një sasi parash që ajo ia pati dhënë Ismailajt në Shqipëri u konfiskuan nga autoritetet shqiptare. Gaskin Gain bashkëpunoi me autoritetet shqiptare pasi qe pjesë e hetimit fillestar për pastrim parash, siç bashkëpunoi edhe ish-drejtori çek i CEZ Shpërndarje Josef Hejsek.

Për pasojë Gaskin Gain është tërhequr nga gjykimi në 14 dhjetor 2015. Ndërkohë që prokuroria njofton se tre ditë pas vendimit të pushimit Rebecca Gaskin Gain, është tërhequr nga gjykimi në arbitrazh, pasi është vënë në dijeni të hetimeve të prokurorisë së Tiranës për administratorin e mëparshëm të kompanisë, shtetasin Kastriot Ismailaj. Ish-administratori i kompanisë “DIA”, tashmë i pandehuri Kastriot Ismailaj, ka dorëzuar në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë kërkesën për të detyruar shtetit shqiptar që të paguante shumën e sipërcituar.

Por, për shkak të problemeve ligjore në Shqipëri që kishte ky shtetas ka, shtetasja amerikane Rebecca Gaskin Gain, drejtore e përgjithshme e kompanisë “DIA”, e regjistruar në Britishn Virgin Island, e ka shkarkuar nga detyra e administratorit shtetasin shqiptar Ismailaj dhe, pasi është emëruar administratore, ka paraqitur tërheqjen e kompanisë që përfaqësonte nga gjykimi në Arbitrazh, me argumentimin që të mos cënohej më tej imazhi i kompanisë.

Gaskin, “De jure” administratore
Gjatë shqyrtimit në Arbitrazh, ish-administratori Kastriot Ismailaj, që deri në atë kohë nuk kishte pranuar në asnjë rast se ishte pronar i kompanisë “DIA”, ka paraqitur një dokument, sipas të cilit ishte ai që e kishte shkarkuar Rebecca Gaskin Gain nga detyra e administratores që në vitin 2012. Ky dokument shkarkimi, i cili ishte pjesë e hetimit në Shqipëri, u provua nga Prokuroria e Tiranës se ishte i fallsifikuar në vitin 2015. Pra, shtetasja Rebecca Gaskin është “de jure” përfaqësuese e ligjshme e kompanisë “DIA”.

Kjo shtetase, pasi u vu në dijeni në Gjykatën e Arbitrazhit, për rezultatet e hetimeve të Prokurorisë së Tiranës kundër shtetasit Kastriot Ismailaj, pranoi të tërhiqej nga gjykimi në Arbitrazh, pasi konstatoi se kompania që përfaqësonte tashmë, nuk mund të fitonte këtë proces të nisur me iniciativë të Kastriot Ismailajt. Gjatë gjykimit në Arbitrazh, përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë kanë kundërshtuar pretendimet e ish-administratorit të “DIA-s”, me argumenta ligjorë të përgatitura nga përfaqësues të OSHEE-së dhe institucioneve qëndrore, me bazë kryesore materialet hetimore të Prokurorisë së Tiranës.

Ndihma e prokurorisë
Veprimet hetimore të Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me juristë të OSHEE dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore, u janë vënë në dispozicion përfaqësuesve të Republikës së Shqipërisë në procesin e arbitrazhit “DIA-OSHEE”.Në bazë të dokumentave të Prokurorisë së Tiranës provohet plotësisht se i pandehuri Kastriot Ismailaj ka krijuar një skemë mashtruese, bazuar në dokumenta fiktivë, në bashkëpunim me persona të tjerë nën hetim, për të përfituar në mënyrë të padrejtë vlera financiare nga “CEZ-Shpërndarje”.

Provat e hetimore të grumbulluara gjatë hetimeve paraprake, marrja në përgjegjësi penale, caktimi i masës së sigurimit, etj. kanë ndikuar në vendimmarrjen e adminstratores së re të “DIA-s”, Rebecca Gaskin Gain, për t’u tërhequr nga gjykimi në Arbitrazh që kompania tashmë nën drejtimin e saj kishte nisur më parë me Shtetin Shqiptar.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)