Dialektika e shpresës

Dialektika e shpresës
Plagët ia shohim të gjithë kësaj demokracisë sonë të plakun njizetvjeçare, gjithçka e keqe që duket asht e mjaftueshme me trishtue edhe ata që kanë stomakun e fortë e jo ma ata që e kanë zemrën e dobtë, megjithatë nën lëkurën e saj të trashë, të ndytë, plot parazitë e drekca, lëviz diçka vitale, diçka shpresëdhanëse që të këndellë, aq sa mund të japin shpresë diçka që nuk shihet ende mirë, por që ndihet. Në fakt, s’mund të merrena gjithë jetën me lundërthyesit e Shqipnisë, me esatat, haxhiqamilat, enverat e salitë, kena nevojë për shpresa të arsyeshme. Hija e tyne e gjatë asht kthye në nji torturë, vetë emni i tyne në lugat që na persekuton në çdo hap. T’i harrojmë për nji çast, por pa i shlye prej kujtesës sonë. T’ua dorzojmë faqeve ma të zymta të historisë dhe mureve të errta, pa i lanë me lëviz lirshëm siç kanë ba deri m’sot, tue derdhë helm e vnerë, tue infektue me ligshtinë e tyne çdo syth shpreset.

Sot shpresa asht kthye në nji imperative kategorik, diçka e ngjashme me andrrën e poetit: «Të lindet nji njeri Të mkambi nji kohë të re» Njerëzit e rinj bajnë të munduna shpresat e reja, sigurisht pa krijue iluzione, pse për çdo njeri të ri që lind, zezona jonë prodhon dhjetë a ma shumë kandrra, krymba, ushujza, morra që janë gati me thithë ato pak të mira që ka ky vend i mjeruem e i vorfën. Sot në ketë qeveri, në ketë lëvizje që Edi Rama me të drejtë e ka quejt “Rilindje” njoh të paktën 3-4 vetë që e kanë sensin e Shtetit, janë të ndershëm dhe janë të përgatitun, ka shumë tjerë që nuk i njoh aspak e ka do tjerë që sillen si hienat në pritje të gjahut. Megjithatë mue më mjaftojnë ata 3-4 që njoh për me ushqye shpresën teme të vogël, për me njohtë vullnetin e mirë të atij që i ka zgjedhë.

Më mjaftojnë ata, pse në qeverinë që shkoi nuk njihja as edhe nji të vetëm që të më ngjallte nji shpresë sado të brishtë.Tek “Iliada” Homeri ven në gojën e Nestorit këto fjalë: «Nji hall i madh Akejve u ka ra mbi krye sot jemi në teh të briskut, me u farue bindshëm Akejt ose me pshtue»  (përkth. im) Kurrë vargjet e nji poeti nuk më janë dukë ma të përshtatshme për ne. Kam besim se shpresa e kërthijtë e shqiptarëve ka me mbijetue dhe nji farë shelbimi imanent ka me na ardhë prej nji politike të re. Grekët e lashtë kanë adhurue nji hyjni pak të njohun që quhet Kairos; ky mishnonte për ta çastin fatlum kur duhet ba diçka. Kairos i antikëve asht koha ideale për me veprue e madje asht edhe mundësia e fundit për me lëviz dhe për t’u nda me të keqen.

Nji basoreliev i famshëm,  objekt studimesh të kahmotshme, e paraqet Kairos si nji djalosh që nget vrap, kokën e ka të qethun e vetëm përpara ka nji xhufkë flokësh prej kah mund të kapet fluturim para se të ikin. Po të kaloi nuk ke ku e kapë ma. E përfytyroj Kairosin tonë tue përshkue me ngut për të satën e ndoshta të fundmen here Shqipninë, dhe due me besue se ka sish që mëtojnë me e shtërngue fort atë shpresë shelbimi e me ketë nënkuptoj nji derivat kompleks tëlirisë si shtegtim drejt nji vetëdije ma të thellë për t’ardhmen tonë.

Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Vdekja e 18-vjeçarit shqiptar Samuel Tafçiu dhe binjakeve Esposito, arrestohet 38-vjeçari! Akuzohet se shkaktoi shpërthimin në fabrikën e lëndëve plasëse (FOTOT)

Itali/ Vdekja e 18-vjeçarit shqiptar Samuel Tafçiu dhe binjakeve Esposito, arrestohet 38-vjeçari! Akuzohet se shkaktoi shpërthimin në fabrikën e lëndëve plasëse (FOTOT)