Dialogu, Basha me kusht të ri:
Presidentin ta zgjedhë populliPD në korrik 2016 kundër Presidentit nga populli

Dialogu, Basha me kusht të ri:<br />Presidentin ta zgjedhë populliPD në korrik 2016 kundër Presidentit nga populli
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri sot një propozim surprizë sa i takon zgjedhjes së Presidentit, duke i shtuar edhe një kusht tjetër tryezës së dialogut me mazhorancën. 

Pas apeleve të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për përfshirjen e opozitës në procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, nga çadra e protestës përpara Kryeministrisë, Basha tha se "oferta e vetme e opozitës është një President i zgjedhur nga vota e popullit".

Ndonëse Kushtetuta parashikon zgjedhjen e kreut të shtetit nga Kuvendi, në këtë pikë kreu i opozitës duket se bëri një lëshim nga qëndrimet e mbajtura nga opozita deri tani për raportet me Parlamentin, pasi deklaroi se është i gatshëm për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit, duke nënkuptuar kështu rikthimin e demokratëve në Kuvend. 

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon 94 vota të cilat mazhoranca PS-LSI dhe vetëm një konsensus unanim mund të çonte ndryshimin e nenit për zgjedhjen e Presidentit.  

Por nga ana tjetër ky propozim i kryedemokratit tingëllon si një kusht shtesë i opozitës që pritet t'i shtohet tryezës së dialogut javën e ardhshme të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët McAllister dhe Fleckenstein, pasi Kuvendi ka nisur procedurën parlamentare për Presidentin dhe ka ezauruar dy raundet e para ndonëse nuk ka pasur asnjë kandidat. 

"I kujt është presidenti? I Edi Ramës? Ilir Metës? Jo. Oferta ime është të zgjedhim President nga populli.

Hap i rëndësishëm i Republikës së re është transferimi i pushtetit te qytetarët.

Natyrisht fokusi ynë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por meqenëse çështja e presidentit po shtrohet në tavolinë dhe po kërkoni kontributin tonë, ju japim një dhe vetëm një ofertë për Presidentin: Të ndryshojmë Kushtetutën, ta zgjedhë populli shqiptar!"
, u shpreh Basha.  



Opozita pati refuzuar të bëhej pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit në dy raundet e ezauruara tashmë nga Kuvendi pa asnjë kandidat. Ndërsa shumica parlamentare edhe pse i ka votat e mjaftueshme (84)  për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit në tre raundet e para, ka kërkuar konsensusin e pakicës parlamentare. 

Paradokset e PD/Në korrik 2016 kundër Presidentit nga populli
Në 22 korrik të vitit të kaluar, i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka votuar ndryshime kushtetuese.
 
Gjatë diskutimeve dhe kundërshtive për Kushtetutën e re, Partia Demokratike nuk ka ngritur asnjë pretendim për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të ri.
 
Aktorë të politikës dhe të shoqërisë civile e kërkon një gjë të tillë, por propozimi nuk gjeti mbështetje nga partitë kryesore, përfshirë edhe PD. Për rrjedhojë, ndryshimet kushtetuese nuk prekën pjesën e katër të Kushtetutës së Shqipërisë, për Presidentin e Republikës.

"Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.
 
Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime"
, parashikon neni 87 i Kushtetutës.

Po ashtu, përmbajtja e Kushtetutës aktuale është shpallur si një fitore historike edhe nga vetë kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

Basha s'tërhiqet: Dialog, por për 'qeverinë teknike'
Katër ditë nga mbërritja e negociatorëve të BE në Tiranë për të negociuar zgjidhjen e ngërçit politik, kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëron se nuk do ketë tërheqje të opozitës nga kushtet e saj.
 
Nga çadra e protestës në Bulevard, kryetari demokrat tha se dy janë rrugët për zgjidhjen e ngërçit politik; dialogu me kushtin e qeverisë teknike, ose në të kundërt populli do të marrë në dorë fatin e tij.  
 
"Zgjedhja pa opozitën dhe nuk ka dhe nuk për të pasur.
 
Çdo përpjekje për dialog duhet të ketë parasysh se mbi standardet zgjedhore, mbi ccështjen e qeverisë teknike që do t'i garantojë, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë tërheqje.
 
Rruga për dialog, për një pakt kombëtar për zgjedhje të lira, për një pakt kombëtar për një Shqipëri Europiane, mbetet e hapur.
 
Kjo ofertë nuk duhet të nënkuptohet si dobësi por zemërgjerësi. Dy janë rrugët: Ta zgjidhim përmes dialogut, ose ndryshe populli do ta marrë në dorë
", u shpreh Basha.
 
Kjo deklaratë e kryetarit demokrat është një mesazh i qartë se opozita nuk do tërhiqet nga kushti i saj për qeveri teknike edhe në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët.
 
Takimi i parë i negociatorëve të BE, David McAllister dhe Knut Fleckenstein me përfaqësuesit e politikës shqiptare pritet të zhvillohet të martën e javës së ardhshme. 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Gjashtë vite zvarritje, Agro-Ushqimori nuk paguan gjobën, vetëm 24 mijë euro nga 430 mijë! Allajbeu abuzoi me pozitën dominuese e çmimet

Gjashtë vite zvarritje, Agro-Ushqimori nuk paguan gjobën, vetëm 24 mijë euro nga 430 mijë! Allajbeu abuzoi me pozitën dominuese e çmimet