Dialogu, karta e Kosovës dhe
Serbisë drejt BE-së

Dialogu, karta e Kosovës dhe <br />Serbisë drejt BE-së
Finalizimi i marrëveshjes me një plan të zbatimit të saj, do t’i përafronte Kosovën dhe Serbinë në procesin e integrimeve evropiane. Serbia, shpreson që me dakordimin për planin e zbatimit, nga fundi i qershorit të sigurojë datën e nisjes së negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Kurse Kosova, ndodhet shumë më larg në këtë proces, por shpreson që të sigurojë datën e nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizimin-Asociimit, si hapi i parë i vendeve që aspirojnë integrimin në BE.

Të martën, më 21 maj, kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, pritet të zhvillojnë takimin e radhës në Bruksel me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, pikërisht për t’u dakorduar rreth këtij plani implementues.

Efektet e fillimit të zbatimit të marrëveshjes konsiderohet të jenë të dyfishta. Në njërën anë, palët do të pajtoheshin për fillimin e normalizimit të pjesës veriore të Kosovës dhe, në anën tjetër, të dyja vendet do të mund të avanconin në proceset integruese evropiane.

Ministrja e Integrimeve në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se Kosova i ka përmbushur kriteret teknike të kërkuara nga Komisioni Evropian, kurse dialogu shihet si një ndihmesë në këtë proces.

“Kriteret afatshkurta ne tashmë i kemi përmbushur dhe kjo është konfirmuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe komisionari për Zgjerim, Stefan Fule. Po ashtu, është më se e qartë që qasja konstruktive që kemi ushtruar tash e një vit në procesin e ndërmjetësuar nga baronesha Ashton për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka luajtur rolin e vet”, thotë Çitaku.

Në anën tjetër, ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Serbisë, Suzana Grubjeshiq, nuk beson që vendi i saj do të marrë datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE, pa finalizuar marrëveshjen me Kosovën.

"Pa dakordimin për zbatimin e marrëveshjes nuk mund të shpresojmë në asnjë mënyrë se do të fitojmë datën për nisjen e negociatave nga fundi i qershorit”, thekson Grubjeshiq.

Pas dy raundeve të bisedimeve midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia, nuk ishte arritur dakordimi për planin zbatues të marrëveshjes. Prishtina ka fajësuar palën serbe për këtë dështim.

Vlora ÇitakuVlora Çitaku
Ministrja Vlora Çitaku beson se edhe në rast të mosakordimit ndërmjet palëve, Kosova nuk do të duhej ndëshkuar për fajin e Beogradit.

“Kosova është e gatshme ta pranojë marrëveshjen, si edhe planin e zbatimit dhe në rast se Beogradi refuzon, unë nuk besoj që Kosova do të paguajë çmimin. Unë nuk pres dhe nuk besoj që Bashkimi Evropian do ta ndëshkojë Kosovën për shkak të kokëfortësisë së Beogradit”, shprehet Çitaku.

Se Kosova i ka përmbushur kriteret afatshkurta të kërkuara për fazën e nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit pajtohet edhe analisti Shenoll Muharremi. Kurse, kushtëzimin e këtij procesi me përparimet në dialogun me Serbinë, Muharremi e sheh si një vendim jo parimor të Brukselit.

Shenoll MuharremiShenoll Muharremi
“Është shumë joparimore nga ana e Bashkimit Evropian që të ndërlidhë dialogun si kusht specifik për t’i dhënë datën Kosovës për MSA-në. Bashkimi Evropian e ka shfrytëzuar pozicionin e vet, në këtë rast negativisht për Kosovën, vetëm që ta detyrojë lidershipin e Kosovës që të bëjë kompromise të reja dhe të pajtohet me Serbinë”, vlerëson Muharremi.

Sidoqoftë, pritet që më 21 maj kryeministrat Thaçi e Daçiq të negociojnë sërish në Bruksel. Kësaj radhe në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur pikërisht në dialogun e zhvilluar midis tyre.

Pas marrëveshjes eventuale, Brukseli u ka bërë me dije të dyja palëve se ato do të duhet të japin edhe shenjat e para serioze të zbatimit të marrëveshjes në terren qysh gjatë qershorit, në mënyrë që Këshilli i Ministrave i BE-së të vendosë për avancimin e të dyja vendeve në proceset integruese.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm