Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me studentët e Arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës.Takimi i Ramës me studentët vjen në kuadër të hapjes së një procesi dialogu mes qeverisë dhe studentëve për plotësimin e 8 kërkesave të parashtruara prej 2 javësh nga studentët. Ndërkohë disa studentë thonë se nuk janë lejuar që të hyjnë brenda sallës pasi salla është mbushur plot. Gjatë takimit, Rama u shpreh se qeveria ka angazhimin e duhur për të plotësuar 8 pikat e propozuara nga studentët, por edhe për të shkuar më tej. Kryeministri foli për herë të parë për subvencionim të tarifës së studimeve Master për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje që marrin ndihmë ekonomike.
Ditën e djeshme, qeveria publikoi “Paktin për Universitetin”, një platformë e cila synon plotësimin e kërkesave dhe përmirësimin e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Rama takoi dje studentët e Universitetit të Vlorës, ndërsa më parë diskutoi edhe me ata të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe studentët e Gjeologji-Minierave. Më herët gjatë ditës kryeministri u përball me opozitën në Kuvend, ku u qëllua me vezë nga deputeti demokrat, Endri Hasa. (Lexo këtu).
Një nga studentët u cua në këmbë dhe iu bëri thirrje studentëve të dilnin nga takimi. Studentja tha se kryeministri e kishte telefonuar dhe e kishte quajtur "dembele mendore" atë edhe studentët e tjerë që kanë protestuar gjatë këtyre ditëve.
Diskutimet
Edi Rama: Qetësohu moj, ç’është kjo histori kështu. Dale ta dëgjojmë shoqen tuaj… Aaaaa ndodh kjo, patjetër…
Studentja: Kemi kontaktuar edhe dje. Më shkruajtët në mesazh. Dembela mendorë. Më keni marrë në telefon në orën 10:30 të natës. Më merr të keqen për zhvatjen me vetëdijen.
Edi Rama: Lexoje në mënyrë korrekte fjalinë time. I respektoj të gjithë ata që më shkruajnë. Një minutë moj se të sheh e gjithë Shqipëria.
Studentja: The një mijë fjalë për nivelin e dembelizmit mendor që është shfaqur gjatë këtyre ditëve. Qetësohu?! Çfarë jemi ne? Lolot e qeverisë? Nuk na blini dot neve me 1000 freshista. Duke na kërcënuar me makina dhe duke na hequr prindërit nga puna. Doni monolog. Ky s’është dialog, kjo është shfaqje. Dialogu do bëhej me të gjithë. Po luani lojë kukafshehti. Këtë keni bërë në çdo universitet. Ky s’është dialog, kush do të dalë le të dalë. (një pjesë e studentëve largohen).
Edi Rama: Hajde shëndet, po kujdes edukatën, jam shumë i shqetësuar.
Një pjesë e studentëve duke u larguar nga takimi me Ramën
Kryeministri Edi Rama ka replikuar me disa student në takimin e zhvilluar në Fakultetin e Arkitekturës. Një nga studentët tha se nxënës ekselent janë edhe ata poshtë notës 10.00. Këtu vjen edhe sfida e kryeministrit.
Debati mes Ramës dhe studentëve:
Studentët: Kam vetëm një sugjerim për këtë gjë. Jam student i inxhinierisë së ndërtimit, të ketë tarifa falas edhe për studentët që nuk janë 10.00
Edi Rama: Po si i bëhet o vëlla? Po të ishte kollaj do ishim të gjithë njësoj në këtë botë. Ata që nuk duan t ëmësojnë është në të drejtën e tij që të abuzojë me prindin, por jo me shoqërinë. Ekselenca në të gjithë planetin është 10.00
Studenti: Jo nuk është 10.00. Ka edhe me 9 pikë ca…
Edi Rama: Ekskelencën ta tregoj unë ty… Do të shkoj në Postribë, do të të çoj në një familje ku fëmijët mësojnë me çadër në dhomë se hyn shiu se janë 10.00
Studentët: Kush e ka fajin që ata mësojnë në çadër?
Edi Rama: Lëreni ju kush e ka fajin për çadrën, 10.00, këtë shikoni ju.
Gjatë diskutimeve në sallën e Fakultetit të Arkitekturës, kryeministri Edi Rama është pyetur nga një studentët lidhur me hapësirat e këtij fakulteti. Menjëherë pas fjalës së studentit dhe përgjigjies së Ramës salla ka "shpërthyer" në duartrokitje. Ndiqni diskutimet si më poshtë:
Studenti: Ne jemi pa hapësira. Një studenti i takon një hapësirë 2 metra katrorë. Aq na bie për pjesë. Çfarë do bëhet me godinën tonë?
Edi Rama: Po ju e mendoni si unë çështjen e Shqiponjës:
Studenti: Jam dakord me ty për Shqiponjën po ti je dakord me mua për Fakultetin
(Duartrokitje)
Studenti: Duam që në janar të jetë vënë dorë…
Edi Rama: E do që në janar ti ëëë?
Studenti: Po, projektin e bëjmë vetë…
(Duartrokitje)
Edi Rama: Kemi ngritur grupe pune.
Studenti: Cilat janë grupet e punës?
Edi Rama: Kemi grupe që po merren në qeveri me çdo pikë. Drafti s’është i përfunduar. Ndaj thoja eja takohemi eja takohemi…
Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar me studentët e Fakultetit të Arkitekturës tha se 5% e GDP-së nuk mund të shkojë për Arsimin, në një vend si Shqipëria. Kryeministri foli për herë të parë për subvencionim të tarifës së studimeve Master për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje që marrin ndihmë ekonomike.
Edi Rama: Unë kam shifra, fakte dhe letra. Merri dhe verifikoji. Ligji i Arsimit të Lartë nuk e financon arsimin privat. S’ka dalë asnjë qindarkë. Janë gënjeshtra, zero! Këto lloj skenash, kështu me batuta nëpër turmë i kam parë vetëm nëpër filma.
Studentët: Ju i keni parë se bëni edhe Meme.
Edi Rama: S’ju them të mos bëni humor, por bën të qeshësh apo kur qesh me veten. Nuk e realizuam dot buxhetin 5%. Ishte premtim i 2013-ës. Në 2017 nuk e kishim në program se është i pabëshëm. Kemi angazhim për të plotësuar 8 kërkesat.
Studentët: Po pse thua për 8 pikat, nëse kjo s’bëhet
Edi Rama: Kjo s’bëhet pra… ehu… Këtë vit do të paguajnë gjysmë tarife edhe ata me katra e me pesa, por kjo do të ndodhë vetëm këtë vit dhe ta harrojnë që vitin tjetër akademik, ata me katra e pesa nuk do ta paguajnë më këtë, nëse nuk duan të mësojnë është problem për ta. Subvencionim do të ketë edhe për studentët ekselentë që do të vazhdojnë masterin, si edhe për studentët që vijnë nga familje që marrin ndihmë ekonomike.
Në takimin që po zhvillohet tek Arkitektura mes Ramës dhe studentëve të këtij Fakulteti, nuk kanë munguar as replikat e shefit të qeverisë. Rama iu përgjigj disa prej koreve të studentëve, si edhe shqetësimit të një studenti për përdorimin e Instagramit.
Edi Rama: Ç’janë këto kore, more? Ku i keni parë këto kore? Në fillore je? Kush futet në kor për të prishur bisedën, s’ka fuqi të mbrojë argumentin.
Studentët: Kë kërcënon ti?
Edi Rama: Pusho, respekto radhën dhe profesorin. Pse ndërhyn? Mos ndërhy se po dëgjojmë këtë. S’pranoj dot se jam këtu për të folur, ky flet ju bëni kor…Dua përgjigje. Kam ardhur për dialog, jo t’ju dëgjoj juve me kore.
Studenti: Jeni kryeministër diplomat, dhe i matur. Kush mban përgjegjësi për pedagogët me mesatare nën 8.5? Përdorni Instagramin për meme, as unë nuk bëj meme. Nuk e imagjinojmë Merkel të merret me meme.
Edi Rama: Si e ke hallin, do humor? Do të të bëj që të qeshë gjithë Shqipëria me ty?
Kryeministri Edi Rama iu tha studentëve të Arkitekturës të komunikojnë me edukatë, dhe të mos sillen si studentët e fakulteteve të tjera që “lanë nam” me mungesën e edukatës.
Diskutimet mes Ramës dhe studentëve:
Rama: “Në këtë sistem që jemi zgjedhur nuk ka më qofte te daja, ka ikur ajo kohë. Secili ka luftën e vet për të bërë, nuk çohen kërkesa si në Amazon.com. Mos më ndërprisni vetë e kemi lënë një herë ju, një herë unë. Ju keni të drejtë të thoni ç’të doni, por edukatën s’e përmbysni dot ju, as me protesta”
Studentët: Ne e kemi treguar eduaktën me protestat. Po flet shumë, të kemi dëgjuar.
Rama: Aq ju them unë, këto koret e të bërtiturat janë humbje kohe. Mos bëni atë që bënë kolegë tuaj në universitete të tjera që lanë kokrrën e namit. Respektoni prindërit tuaj. Dialogu është fol e dëgjo. Aty ku jeni ju kam qenë dhe unë. E kam bërë me të tjerë kundër një regjimi, jo kundër një qeverie që u thotë hajde ulemi.
Në takimin e Ramës me studentët e Arkitekturës, një nga pedagogët e pranishëm i tha kryeministrit, se pedagogët e këtij fakulteti janë me mesatare qesharake dhe promovohen nga Rektorati.
Studentët: Të kemi dëgjuar, duam të flasim vetë. Ku shkojnë paratë tona?
Edi Rama: Flisni me edukatë. Shqetësimet e studentëve janë të drejta.
Pedagogu: Ligjin këtu se pyet më njeri. Këtu punësohen pedagogë në kundërshtim me statutin. Kur iu tregon ligjin, e marrin me shaka. Unë kam një korrespondencë të gjatë me rektoratin, janë mjeshtra në ping-pong. Iu drejtova gjykatës, u gjetën lloj lloj marifetesh, këtu ka plagjiatura, pedagogë me mesatare qesharake. Rektorati i promovon këta njerëz.
Disa studentë të Fakultetit të Arkitekturës kanë ngelur jashtë sallës ku po zhvillohet takimi i kryeministrit Edi Rama me studentët. Studentët kanë kërkuar të hyjnë brenda, por ata janë lenë jashtë, pasi salla është mbushur plot.