Njohësi i çështjeve diplomatike, Seb Bytyçi u shpreh se në tre muajt e parë të vitit 2023 pritet të ketë përparim për dialogun Kosovë-Serbi. Në një intervistë për Report Tv me gazetarin Sebastian Zonja, tha se vetëm presioni mund ta detyrojë Serbinë të ulet në tryezë për një marrëveshje. Gjatë kësaj kohe, sipas tij, Beogradi ka bërë fushatë në vendet e tjera që të mos e njohin Kosovën.
“Nga janari deri në mars pritet përparim për dialogun. Edhe nëse nuk arrihet marrëveshja, të ketë intensifikim të dialogut. Për të pasur sukses në dialog, duhet të përdoret dhe shkopi me Serbinë sepse vetëm një presion i madh ndaj Serbisë mund ta detyrojë që të ulet dhe të pajtohet për një marrëveshje. Serbia ka ndjekur politikë zvarritëse dhe kjo i shërben se e keqinterpreton dhe bën fushatë te vendet e tjera që të mos e njohin Kosovën”, tha Bytyçi.
Po ashtu u shpreh se Vuçiç nuk i përgjigjet thirrjeve për të mos nxitur tensione dhe bën veprime destabilizuese. Ndër të tjera, shtoi se njohja e Kosovës nga Greqia ka rëndësi të madhe pasi ndikon në anëtarësimin në NATO dhe hap rrugën për integrimin në BE.
“Thirrja për të mos u ngritur tensionet nuk janë respektuar herët e tjera. Në të ardhmen, sipas asaj se si e sheh të nevojshme Vuçiç mund të ketë akte të tjera destabilizuese dhe të pritet befasi e radhës. Ka politikë intimiduese ndaj serbëve të Kosovës dhe mund të pritet ndonjë veprim kundër tyre apo veprim tjetër destabilizues që ka për qëllim ta nxjerrë dialogun nga binarët. Për Kosovën, njohja nga Greqia është mjaft me rëndësi, si për shtete të tjera anëtare të NATO dhe BE. Po ashtu do të ishte mesazh domethënës për Serbinë dhe do të hapte rrugë për anëtarësimin në NATO dhe BE”, tha Bytyçi.
Pedagogu e cilësoi Ballkanin si pikë të nxehtë prej veprimeve destabilizuese të Serbisë.
“Kjo është edhe frika e Perëndimit ndaj merret me të mirë Serbia. Duhet të ketë vendosmëri më të madhe nga Perëndimi që të ndalen politikat e Serbisë”, tha Bytyçi.
Për 20 ditë me radhë, u vendosën barrikadat në rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi si shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës. Por pas zbutjes së masës së sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’, të enjten e 29 dhjetorit në veri të vendit serbët larguan barrikadat e vendosura në veri të Kosovës.