Jemi në sezonin e virozave, kur shqetësime si temperatura, diarreja dhe të vjellat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, u ndalëm pikërisht te diarreja: si mund ta kuptojmë nëse shkaktohet nga një virus apo nga baktere si Salmonela dhe Escherichia coli? Cilat janë shenjat që duhet të na bëjnë të tregojmë kujdes dhe si mund ta ndihmojmë organizmin të rikuperohet? Specialisti i bimëve mjekësore, Ylli Merja, tregoi bimët që përdoren tradicionalisht për lehtësimin e shqetësimeve të tretjes, rolin e çajrave dhe ushqyerjes gjatë diarresë, si dhe rëndësinë e hidratimit për të zëvendësuar lëngjet e humbura nga organizmi.  

"Diarreja është inflamacion i stomakut dhe zorrëve, i shkaktuar nga viruse, baktere ose mikroorganizma të tjerë", thekson Merja.

Shkaktarët më të shpeshtë të diarresë janë viruset të cilat transmetohen përmes ujit dhe ushqimit të ndotur, kontaktit me persona të infektuar, apo mungesa e higjienës. Gjithashtu diarreja shkaktohet dhe nga bakteret si Salmonella, Shigella, Escherichiacoli. Transmetohet përmes ushqimit të kontaminuar (mish, vezë, qumësht), ujit të ndotur dhe higjienës së pamjaftueshme.

"Simptomat kryesore të diarresë së shkaktuar nga bakteret janë diarre (shpesh me gjak), të vjella, dhimbje barku të forta, temperaturë, dobësi trupore, ndonjëherë dehidratim", thekson biofarmacisti Merja, duke treguar se në rastet e diarresë të shkaktuar nga virozat ajo mund të jetë ujore, shoqërohet me therje barku, ndjesi përzierjeje, dobësi trupore dhe shpesh me temperaturë.

Sipas tij, ka shumë bimë dhe produkte që kanë veti antimikrobike, antiinflamatore dhe qetësuese për zorrët, si dhe që ndihmojnë në rikuperimin e florës intestinale.

RIGONI: Veti antimikrobike kundët baktereve, ndihmon në uljen e inflamacionit, qetëson dhimbjet e barkut.

MENDRA: Qetëson spazmat e zorrëve, ul të vjellat dhe nauzenë, ndihmon tretjen.

MËLLAGA: Mbron mukozën e zorrëve, qetëson irritimin dhe inflamacionin, ndihmon në konsistencën e jashtëqitjeve.

BORONICA: Ndihmon në uljen e diarresë, ka veti antimikrobike, pasuron me antioksidantë dhe ndihmon në rikuperimin e florës intestinale.

FTOI: I pasur me pektinë, ndihmon në konsolidimin e jashtëqitjeve, qetëson mukozën e irrituar.

PROPOLIS ME RIGON: Veti të fuqishme antimikrobike, ndihmon kundër baktereve dhe viruseve, forcon mbrojtjen natyrale të organizmit.

Trajtimi natyral në kushte shtëpie i diarresë

Si përgatitet çaji i bimëve: Në 1 litër ujë përzieni nga 1 lugë gjelle rigon, mendër, mëllagë ose trëndafil shkëmbi. Ziejini për 5–10 minuta. Lëreni të ftohet pak dhe kullojeni. Pini 3-4 filxhanë në ditë të ngrohtë.

Propolisi me rigon 20–30 pika, 2–3 herë në ditë, të tretur në pak ujë ose në çaj.

Konsumoni boronica 1 filxhan në ditë.

Konsumoni ftua të pjekur ose të zier, lyejeni me pak mjaltë dhe pak rigon, 1–2 herë në ditë.

Pini 1 gotë kos me 1 lugë supe niseshte dhe 1 lugë kafeje shegë të egër të grirë.

Ushqim i lehtë gjatë krizës si oriz i zier, kos natyral, mollë të pjekur dhe shumë ujë për të qenë të hidratuar.