DIBER E MADHE - Një i vdekur dhe 4 të plagosur është bilanci i një grabitjeje në Dibër të Madhe. Gjashte persona të maskuar, mes tyre dy shqiptarë kanë arritur të grabisin 18 kg flori nga një argjendari në qendër të Dibrës, ndërsa viktimë ka mbetur njëri nga autorët. Pala maqedonase mbyll kufirin e Bllatës. Në një lidhje telefonike për “A1 Report”, kryetari i komunës Dibër e Madhe në Maqedoni, Ruzhdi Lata, tha se grabitësit ishin 6 persona të armatosur, të cilët “krijuan panik dhe pasiguri të qytetarët”.

Sipas mediave maqedonave, 6 persona të maskuar mes tyre disa shqiptarë kanë grabitur një argjendari në qendër të Dibrës së Madhe. Viktima është një nga autorët e vjedhjes, i dyshuar me origjinë nga Shqipëria, i cili ka qenë pjesë e grupit prej 6 të maskuarve që kanë hyrë në argjendarinë e vëllezërve Erebara në Dibër.

Të plagosur kanë mbetur pronari i argjendarisë Mexhit Erebara, aktualisht i shtruar në Urgjencën e Shkupit. I plagosuri i dytë është një taksist Agron Cami, i cili ishte marrë peng në planin e grupit me maska, për mbërritjen dhe për largimin nga vendi i ngjarjes.

Të plagosur janë edhe dy shtetas të Shqipërisë, të cilët janë në spitalin e qytetit, nën vëzhgimin e policisë, pasi dyshohen si bashkautorë të grabitjes. Policia maqedonase ka mbyllur të gjitha hyrje-daljet nga qyteti i Dibrës si dhe vendkalimin kufitar me Shqipërinë në Bllatë.

Sipas mediave maqedonase një nga grabitësit është pikasur nga kalimtarët dhe njëkohësisht ka ndeshur në rezistencën e pronarëve të argjendarisë. Personat e tjerë që mbështetnin plaçkitësin qëndronin jashtë. Pas zbulimit të skemës, kalimtarët e rastit i janë vërsulur grabitësit për ta neutralizuar, dhe në këtë përleshje, janë shkrepur edhe armët.
 
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)