Në këtë kuadër, gjatë vizitës në Dibër, Kryeministri Edi Rama inspektoi konviktin e ri të Shkollës së Mesme Profesionale “Nazmi Rushiti”, një investim i rëndësishëm që rrit cilësinë e jetesës për nxënësit dhe mbështet zhvillimin e arsimit profesional në zonë.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, tha se konvikti i ri ka një kapacitet prej 120 vendesh dhe ofron kushte moderne akomodimi, duke garantuar një balancë të mirë gjinore mes nxënësve.

“Kapaciteti është 120 nxënës, 60 çuna 60 goca. Këtë balancën gjinore e kemi shumë të mire në Dibër, si gjithmonë. Edhe nga 240 nxënësit që janë në shkollë, janë 122 djem dhe 118 vajza. Besoj se është një ndër shkollat e pakta profesionale që e kemi kaq të mirë këtë balancën gjinore.” – u shpreh ajo.

“Kemi krijuar këtë qendër këtu, e cila është e treta pas Tropojës dhe Kukësit për punësimin e të rinjve. I gjithë trajnimi dhe punësimi realizohet online. Aktualisht kemi 15 të rinj që kanë nisur punën prej një muaji dhe synojmë ta zhvillojmë më tej si një innovation hub për startup-et e vogla,” u shpreh Manjani.

Në vijim, Kryeministri pa nga afër edhe ambientet e brendshme të konviktit, përfshirë mjediset e gatimit, si dhe hapësirat e shërbimit, dhomat e akomodimit, si dhe ambiente të dedikuara për personelin kujdestar, të pajisura më së miri, me të gjitha kushtet e nevojshme.

Shkolla e Mesme Profesionale “Nazmi Rushiti” ofron një gamë të gjerë profilesh, duke përfshirë ekonomi-biznes, teknologji informacioni dhe komunikimi, hoteleri-turizëm dhe gjeologji-miniera. Ajo bashkëpunon me 36 biznese dhe rreth 95% e nxënësve zhvillojnë praktikat profesionale pranë tyre, duke forcuar lidhjen mes arsimit dhe tregut të punës. Gjatë vizitës, Kryeministri Rama u interesua edhe për përfundimin e konvikteve të tjera në zonë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të investimeve për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në arsimin profesional.


Lajmi kryesor:

Rama me fermerët në Dibër: ‘Kooperativa e re’, prodhoni më vete, por shisni bashkë! Nuk shesim dot me çanta rrugëve të Brukselit