Dibra zgjedh nesër kryebashkiakun
KQZ: Materialet zgjedhore janë gati

Dibra zgjedh nesër kryebashkiakun<br />KQZ: Materialet zgjedhore janë gati
Dibra voton nesër për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë. Procesi i votimin fillon në orën 07:00, ku të gjitha qendrat e votimit do të jenë të hapura.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se e gjithë baza materiale zgjedhore u mor në dorëzim nga Komisionet e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-së, nr. 19, Dibër.

Administrata e KQZ-së, e cila ndodhet në Dibër, ka bërë trajnimin e komisionerëve të Qendrave të Votimit, të cilët u paraqitën për të tërhequr bazën materiale zgjedhore pranë KZAZ-së, nr. 19.

Policia njofton se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit dhe se ka marrë në ruajtje objektet zgjedhore. 181 efektive policie janë angazhuar në garantimin e rendit dhe votës së lirë.

Në garë për kreun e ri të Bashkisë Dibër janë kandidai i majtë Muharem Rama dhe kandidati i djathtë Sherefedin Shehu. Zgjedhjet e parakohshme në Dibër mbahen pas shkarkimit të kryebashkiakut Shukri Xhelili, i cili u shfaq në një videoskandal duke i kërkuar favore seksuale një vajzë në këmbim të një vendi pune.

Ditët e fundit të fushatës ishin të tensionuara, pasi pati edhe përplasje ku mbeti i dhunuar administratori i njesisë Tomin, Nuri Meda. Meda deklaroi se u dhunua nga eksponentë të PD, konkretisht nga Dritan Selishta,  i cili u shoqërua për disa orë në polici për t'u liruar mbrëmjen e së shtunës. 

Por PD dha një tjetër shpjegim për ngjarjen, megjithëse nuk mohoi dhunën ndaj administratorit të majtë. PD deklaroi se Nuri Meda u kap duke blerë vota.


Ora 20:00-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se e gjithë baza materiale zgjedhore u mor në dorëzim nga Komisionet e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-së, nr. 19, Dibër. Administrata e KQZ-së e cila ndodhet në Dibër, ka bërë trajnimin e komisionerëve të Qendrave të Votimit, të cilët u paraqitën për të tërhequr bazën materiale zgjedhore pranë KZAZ-së, nr. 19.

Me tërheqjen e bazës së materialeve zgjedhore nga komisionerët e të gjitha qendrave të votimit të ZAZ-së nr. 19, në Dibër, fillon faza e përgatitjes së Qendrave të Votimit. Të gjithë Qendrat e Votimit duhet të jenë të hapura dhe të fillojë procesi i votimit në orën 07.00, të ditës së diel. Njëherazi, të gjithë sekretarët e qendrave të votimit duhet të komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me KQZ-në, për të përcjellë informacionin nw dinamikw për ecurinë e procesit të votimit. KQZ sjell në vëmendjen dhe i inkurajon komisionerët, që të zbatojnë me përpikmëri dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe të akteve nënligjore të nxjerra nga KQZ, në funksion të mbarëvajtjes së procesit të votimit ditën e zgjedhjeve.

Ora 17:00- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se situata për tërheqjen e bazës materiale nga Komisionet e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-së, nr. 19, ka përmirësim.

Nga 118 KQV kanë mbetur ende pa tërhequr bazën materiale zgjedhore 50 Komisione të Qendrave të Votimit. Mbetet problem mos paraqitja pranë KZAZ-së 19, për tërheqjen e bazës materiale zgjedhore e dy Komisioneve të Qendrave të Votimit në zona të largëta, përkatësisht Komisioni i QV-së 1232 në Zall-Dardhë dhe komisioni i QV-së 1173 në Fushë-Cidhen.

Ora 16:00-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se situata për tërheqjen e bazës materiale nga Komisionet e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-së, nr. 19, ka përmirësim. Nga 118 KQV kanë mbetur ende pa tërhequr bazën materiale zgjedhore 68 Komisione të Qendrave të Votimit. KQV-të të cilat ende nuk janë paraqitur për tërheqjen e bazës materiale zgjedhore janë kryesisht të njësisë administrative të Peshkopisë, Maqellarës.
Ndërkohë Komisionet e Qendrave të Votimit të Lurës, Kalasë së Dodës, Zall-Reçit dhe Selishtës, kanë përfunduar marrjen në dorëzim të bazës së materialeve zgjedhore.
Pavarësisht përmirësimit të situatës, afati ligjor nuk është arritur të respektohet, çka do të ndikojë në të gjithë procedurat e tjera lidhur me përgatitjen dhe organizimin e Qendrave të Votimit.
KQZ ripërsërit apelin ndaj partive politike që të dërgojnë menjëherë komisionerët e Qendrave të Votimit për të tërhequr bazën materiale zgjedhore.

NJOFTIMI I KQZ-SË
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre shqetësimin në lidhje me ecurinë e shpërndarjes së bazës materiale zgjedhore nga KZAZ nr. 19 për çdo Qendër Votimi, pasi shpërndarja e bazës materiale po ecën me ritme shumë të ngadalta. Deri tani është shpërndarë baza materiale zgjedhore vetëm për 17 Qendra Votimi nga 118 në total. Shkak për të këtë problematikë është bërë mos dërgimi nga partitë politike i komisionerëve të QV-ve pranë KZAZ-së, për të marrë në dorëzim materialet zgjedhore të cilat do të përdoren gjatë ditës së nesërme, që është edhe dita e votimit.

Deri tani asnjë nga Komisionerët KQV-ve të njësive administrative të Maqellarës dhe Peshkopisë nuk është paraqitur për të marrë në dorëzim bazën materiale zgjedhore. Afati përfundimtar i dorëzimit të bazës materiale nga KZAZ për çdo QV i përcaktuar në nenin 100 të Kodit Zgjedhor, është jo më vonë se 15 orë para hapjes së votimit, që korrespondon me orën 16.00 të ditës së sotme dhe me ritmet e sipër cituara, duke marrë në konsideratë dhe zonat e largëta ky afat kohor nuk arrin të respektohet dhe për me tepër kjo do të ndikojë në të gjithë procedurat e tjera lidhur me përgatitjen dhe organizimin e Qendrave të Votimit.

Partitë politike po bëhen pengesë për shpërndarjen e bazës materiale zgjedhore duke mos i dërguar komisionerët e propozuar prej tyre, për të marrë në dorëzimmaterialet zgjedhore, ndaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel partive politike të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe në mënyrë urgjente të dërgojnë komisionerët e Qendrave të Votimit për të tërhequr bazën materiale pasi në të kundërt, materialet zgjedhore, referuar dhe praktikave të zgjedhjeve të kaluara do t’u shpërndahen komisionerëve të QV-ve, cilët do të jenë prezent pranë KZAZ-së. Nr. 19 Dibër, për respektimin e këtij detyrimi ligjore
 
Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Rikthim në 2008-n, pse u rimbyllën listat e deputetëve?!

Ylli Pata: Rikthim në 2008-n, pse u rimbyllën listat e deputetëve?!