Didi: Policia, fushatë sensibilizuese
për vijat e bardha dhe shkollat

Didi: Policia, fushatë sensibilizuese<br />për vijat e bardha dhe shkollat
TIRANË - Policia e Shtetit nga data 21-26 tetor po zhvillon në të gjithë vendin javën e vizitorëve të policisë në kuadër të filozofisë së Policimit në Komunitet. Në këtë kontekst, nxënës të shkollave të ndryshme në mbarë vendin po zhvillojnë vizita në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe të Drejtorive të Policive apo Komisariateve në qarqe.

Gjatë paradites së sotme, grupe nxënësish nga shkolla 9-vjeçare “Ali Demi” dhe gjimnazi “Ismail Qemali” në Tiranë vizituan ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku pasi u njohën me ambientet dhe funksionimin e zyrave bashkëbiseduan me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi gjatë bashkëbisedimit me nxënësit theksoi se “kemi ndërmend të ndërmarrim disa nisma për të ndërgjegjësuar njerëzit dhe jo vetëm ato që përdorin mjete, por edhe për këmbësorët, që nuk respektojnë rregullat apo sinjalistikën rrugore. Kemi në plan, që me ndihmën tuaj, ne të bëjmë një fushate sensibilizuese edhe për më të rriturit, duke vendosur disa fëmijë apo të moshës tuaj pranë semaforëve, apo në vendet ku ka vetëm vija të bardha, për të disiplinuar përdoruesit e rrugës, pra kalimtarët e thjeshtë, që edhe ata të kuptojnë, që të gjitha palët duhet të respektojnë rregullat. Po u respektuan rregullat nga të gjitha palët, nga të gjithë njerëzit, atëherë edhe jeta jonë do të jetë më qetë, më e këndshme”- u përgjigj Didi pyetjeve të nxënësve mbi aksidentet rrugore.
 
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në këtë bashkëbisedim me nxënësit shpalosi edhe nismën më të re, që ka ndërmend të ndërmarrë Policia e Shtetit, për rritjen e sigurisë pranë ambienteve shkollore. “Ne mendojmë të iniciojmë edhe një tjetër nismë në kuadrin e sigurisë në shkolla, për të krijuar zona të ruajtura, ku në vendet me tabelë “zonë shkolle”, në distanca dhe largësi të caktuara nga shkolla të mos ketë lokale të zhurmshme, ambiente të caktuara, që të mbledhin njerëz, që janë me precedent kriminal, me qëllim që ju të jeni sa më të sigurt.” – theksoi në mbyllje të fjalës së tij Didi.

“Ne si polici jemi të interesuar dhe të prirur, sidomos që brezi i ri dhe ju që jeni e ardhmja e Shqipërisë, të keni një jetë sa më të sigurt, të jeni të ruajtur dhe të garantuar nga çdo veprim keqbërës apo nga çdo veprim tjetër i kundërligjshëm, që mund t’ju dëmtoj ju, mund të dëmtojë të ardhmen tuaj. Për t’ju shprehur apo dhënë këtë mesazh, ne kemi organizuar këto aktivitete me qëllim, që edhe ju ta ndjeni më afër policinë dhe mos ta shikoni policinë si dikur. Polici është për të ndëshkuar keqbërësit, ndërsa në raport me publikun, në raport me fëmijët, me brezin e ri,  ai është një shok, një partner, një mbështetës, që ju gjithmonë do ta keni pranë”, - theksoi Didi.

artan didi nxenesit
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, sa cilësor është shërbimi në spitale shtetërore?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Shfrytëzonin shtetase të huaja për prostitucion, në pranga 29 vjeçari, në kërkim motra e tij

Tiranë/ Shfrytëzonin shtetase të huaja për prostitucion, në pranga 29 vjeçari, në kërkim motra e tij