Një zjarr i dyshuar si i qëllimshëm ka përfshirë mbrëmjen e së mërkurës mjetet e punës të një kompanie private, DU-ER, që ushtron aktivitet në fushën e guroreve në Mamurras.

Flakët kanë shkrumbuar 3 ekskavatorë dhe një kontejner, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. kjo është hera e dytë që kompania përballet me një ngjarje të tillë. Sipas policisë, persona të paidentifikuar kanë goditur edhe rojen, një 45-vjeçar. 

Rasti është denoncuar pranë autoriteteve, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin shkaqet e zjarrit dhe të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 02:00, shtetasi F. K., pronar i një subjekti (gurore) në Mamurras, ka njoftuar Policinë se persona të paidentifikuar kanë goditur rojën e subjektit, shtetasin B. X., 45 vjeç, dhe më pas u kanë vënë flakën 3 mjeteve të rënda (ekskavatorë). Si pasojë e zjarrit është djegur edhe një kontejner.

Menjëherë është ngritur grupi i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.