Një zjarr i fuqishëm ka rënë në zonën turistike të Karaburunit në Vlorë. Kështu u raportua disa momente më parë (rreth orës 21:10) nga gazetari dhe njëkohësisht drejtuesi i emisionit “Shtegtim” në Rreze dielli në A1 Report, teksa në një lidhje direkte me Skype nga zona e Skelës në Vlorë shfaqej në vijë ajrore prej 6 kilometrash zjarri në Karaburun.

Sipas gazetarit Mati, zjarri ka filluar rreth orës 19:00, nga një vend i njohur si “Gjiri i Shën Janit” në Karaburun dhe vazhdon në vijë të drejtë deri në majën e Bitrit dhe zbret poshtë në pjesën lindore, ku sipas tij mendohet të jetë një përrua i njohur si “Përroi i Derrit”. Zjarri vazhdon duke u përhapur në vijë të drejtë rreth 3 kilometra, çka tregon se nuk është një vatër e krijuar nga erërat, por një zjarr i qëllimshëm duke marrë parasysh edhe faktin që zona ku ka rënë zjarri është e lagësht dhe madje cilësohet si kurorë e gjelbërt dhe jo e tharë. Fakte këto që përjashtojnë mundësinë e ndezjes së vatrës për shkaqe natyrore.

Flakët e këtij zjarri të përmasave të mëdha, me sa duket kanë qenë të “padukshme” për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila në njoftimin e saj zyrtar për situatën e zjarreve në vend për ditën e sotme, raportoi se në qarkun e Vlorës nuk ka asnjë vatër zjarri. Sipas Ilir Matit, zjarri në Karaburun ndikohet nga një erë nga jug-lindja.

OLLI: ZJARRI NE KARABURUN, PAS MBLEDHJES SE TE DHENAVE
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Leonard Olli, në një reagim për Shqiptarja.com, tha se të dhënat për situatën e zjarreve në vend, dhe më tej publikimi i njoftimit në media, ka ndodhur para se të shfaqej zjarri në Karaburun, dhe për këtë arsye qarku i Vlorës është raportuar në njoftim se nuk ka asnjë vatër aktive.

Sipas Ollit, është një proces i tërë që kërkon kohën e tij në marrjen e informacionit dhe më tej përpunimin e tij për tu paraqitur edhe në media.

Sipas zëdhëndësit të Ministrisë së Mbrojtjes, Leonard Olli, në të gjithë qarqet e vendit, si pasojë e shfaqjes së disa vatrave të reja dhe riaktivizimit të disa të tjerave, rezultojnë 21 vatra aktive zjarresh.

Ndërkaq, në njoftimin e saj Ministria e Mbrojtjes tregon se kanë vijuar operacionet në shuarjen e zjarrit në Malin e Dajtit, ndërsa ndërhyrjet nga ajri sërish nuk kanë qenë të mundura për shkak të kushteve atmosferike. Sipas informacionve për situatën e sotme të zjarreve në vend, janë vënë nën kontroll flakët në Parkun Kombëtar të Lurës, ndërsa zjarri në Parkun e Bozdovecit në Korçë vijon ende të jetë problematike.

JA SITUATA E ZJARREVE NE VEND SIPAS MINISTRISE SE MBROJTJES

Qarku Dibër: Ka 4 vatra zjarri aktive. Zjarri në “Liqeni i Bruçit” në Parkun Kombëtar Lurë është nën kontroll. Në orët e pasdites, në Klenjë, komuna Trebisht është shfaqur një vatër zjarri, në pyll të përzier dhe kullotë. Zjarri mbetet mjaft aktiv.
Një tjetër vatër e re zjarri e re është shfaqur në vendin e quajtur “Kulemath” në ekonominë pyjore Kacni, fshati Kacni, Komuna Selishte. Ndërsa zjarri në malin e Bejinit në “Vargmalin e Balgjajt” dhe në Skënderbeg, vazhdon me intesitet mesatar.
Zjarret në “Dhoks” Bulqizë, fshatin Dragu Fushë –Studen, Lene Martanesh “Kaptinë” janë shuar plotësisht. Po kështu, zjarri i ardhur nga territori i Republikës së Maqedonisë, në afrësi të komunës Trebishtë, u shua plotësisht.

Qarku Elbasan
: Ka 2 vatra zjarri aktive. Në rrethin Librazhd është aktiv zjarri në Malin e Raduzit, komuna Stëblevë. Në rrethin e Gramshit është aktive vatra e zjarrit në fshatin Tushaj, komuna Sult.

Qarku Korçë.
Ka aktive 3 vatër zjarri. Situata në Parkun Kombëtar të Bozdovecit vijon të jetë problematike. Edhe gjatë ditës së sotme është operuar nga 164 forca të ushtrisë, forcat e pyjores, si edhe të komunitetit. U angazhuan edhe 2 mjete zjarrfikëse nga shërbimi i PMNZSH-së, pasi sepse zjarri rrezikoi të arrinte deri në rrugën e minierës (Fusha 1).
Në rrethin e Devollit, në zonën e malit të Elbit, mbi fshatin Hoçisht dhe mbi fshatin Bradvicë dhe Gjyres, komuna Hoçisht vatra e zjarrit e shafqur sot u vu nën kontroll. Vatra e zjarrit në afërsi të fshatit Hondisht, komuna Trebinjë (Mokër), në rrethin e Pogradecit u riaktivizua gjatë ditës së sotme dhe mbetet aktive.

Qarku Kukës: Ka aktive 3 vatra zjarri aktive. Një vatër e re zjarri u shfaq gjatë ditës së sotme në vendin e quajtur Rrethi i Bardhë, mbi fshatin Kukaj, komunën Margegaj, dhe është tepër aktiv. Po kështu dhe zjarri në Dragobi, u riaktivizua gjatë ditës së sotme dhe vijon të jetë aktiv. Në Bjeshkët e Bardhocit në malin e Koretnikut, në komunën Tërthore vatra e zjarrit vijon me të njëjtin intesitet.

Qarku Tiranë. Ka 1 vatër zjarri aktive, vetëm ajo në Malin e Dajtit. 250 efektivë të FA-ve, 50 forca të Shërbimit pyjor dhe mjete zjarrëfikëse, kanë vijuar operacionet për fikjen e zjarri, por në pjesën jugore zjarri është aktiv, për shkak të erës së fortë.

Qarku Shkodër: Ka aktive 6 vatra zjarri. Në rrethin Malësisë së Madhe kemi 3 vatra zjarri: Komuna Kelmend, në fshatin Vukël. Në malin e Haramisë, në Budaç dhe në komunën Shkrel është krijuar një vatër e zjarri në Luginë të Rrjollit.
Në Rrethin Pukë, kemi 3 vatra zjarri aktive: Në komunën Qafë Mali, fshati Orosh, në Kryezi, ku zjarr i për arsye të erës së fortë ka marrë përmasa më të mëdha dhe ka kaluar në fshatin Flet, të Komunës Blerim. 60 efektivë të FA-vë, të Repartit të Vau Dejës u janë bashkuar forcace të Shërbimit pyjor. Në Malin e Krrabit, në Mide tek antenat vatra është nën kontroll. Ndërsa vatra e zjarrit në Qafë Shari, në komunën Iballë, u riaktivizua dhe megjithëse operojnë forca të FA-ve, Pyjores dhe nga komuniteti vijon të jetë problematike.

Qarku Lezhë. Ka aktive 2 vatra zjarri aktive. Vatra më problematike është ajo në komunën Orosh, fshati Ndërshen dhe vatra në fshtin Lari, komuna Kaçinar.
Qarku Vlorë. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Berat. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Durrës. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Fier. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Gjirokastër. Nuk ka vatra zjarri.

(Gre.M/Shqiptarja.com)